Edhe drejtor, edhe trafikant droge e prostitutash

632
Prokuroria e Elbasanit ka marrë ditët e fundit një informacion të specifikuar lidhur me kërkesën e saj, për afro 26 emra që sot mbajnë poste drejtuese në ndërmarrje dhe institucionet e shtetit. Burime nga organi i akuzës në Elbasan i thanë dje “Telegraf” se “në kuadrin e procesit të dekriminalizimit, Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar detajimin e informacioneve për afro 26 drejtues ndërmarrjesh, që janë në detyrë prej shtatorit 2013, lidhur me verifikimin e disa fakteve dhe ka rezultuar se mes tyre kolegët nga Italia kanë sjellë përgjigje edhe për një prej tyre, që sot është drejtor në një ndërmarrje nacionale, që në vitin 2011 ka patur proces penal nën akuzën “trafikim të lëndëve narkotike dhe qenieve njerëzore”. Ky person, që është emëruar si “njeriu besnik dhe i devotshëm i partisë dhe Rilindjes”, edhe para vitit 2013 ka qenë i punësuar në një institucion shtetëror, por pas ardhjes së “Rilindjes”, ai u emërua drejtor, post të cilin e ka mbajtur falë lidhjeve të ngushta me drejtuesit e lartë të kësaj qeverie. I njëjti burim tha se “përgjigja nga kolegët italianë ishte e saktë dhe e specifikuar, pasi bëhej fjalë veç të tjerëve edhe për personin në fjalë, i cili kishte vajtur në Itali qysh në 2006 dhe kishte patur një jetë aspak të qetë me ligjin në vendin fqinj, pasi ishte kapur bashkë me 13 persona të tjerë në një banesë në Milano, ku gjendeshin pa dokumente, si dhe u ishte kapur sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike dhe parash, të pajustifikuara për burimin e tyre”. 

Drejtor, edhe në qeverisjen e PD-së
Sipas të njëjtit burim “personi që sot kapardiset në zyrën e drejtorit në një ndërmarrje goxha të rëndësishme nacionale, ka punuar edhe në kohën e PD në Policinë e Ndërtimit të asaj kohe, kur sapo ishte kthyer nga Italia, ku kishte patur seanca të zgjatura gjyqësore, dhe kishte fituar “lirinë”, pasi miqtë e tij jashtë qelive, kishin paguar një garanci pasurore goxha të majme”. Ndoshta në rast se nuk do të kishte nisur procesi dekriminalizimit, dhe të detyroheshin të mbushnin formularin, tipat si ky drejtor dhe dhjetëra e qindra të tjerë në gjithë Shqipërinë do ta kishin gëzuar të qetë postin e blerë me para, dhe asnjeri nuk do të kujtohej se “ata dikur kishin qenë qelive të Europës” për vepra të ndyra penale. Madje drejtori me “cen” në biografi, ka qenë i ftuari special edhe në festën e PS ditën e shtunë, madje në radhën e parë krahas figurave të rëndësishme të Rilindjes, duke treguar ndoshta se “pavarësisht faktit se mund të kem qenë burgaxhi, unë ashtu si edhe Rroshi dhe Bushi, nuk largohem kollaj nga posti im”. Por duke zhbiriluar edhe më tej, mësuam se në ndërmarrjen e tij ky drejtor Rilindas, e ka mbushur administratën me të paktën 22 persona të ardhur nga rruga, të cilët veç faktit se kanë blerë nga Universiteti i Elbasanit nga një diplomë, asgjë nuk i ka lidhur me zyrat e shtetit. 

Një skandal që ka nisur dhe vazhdon të jetojë me jetën e përditshme të qytetarëve të Elbasanit, që kur trokasin në dyert e drejtorive dhe institucioneve të Rilindjes, u bëhet ferr jeta duke mos mbaruar asnjë punë, duke mos zgjidhur asnjë problem, dhe duke mos marrë kurrë një përgjigje etike dhe të kulturuar, nga ata që kanë mbushur sot zyrat e shtetit. Largimi i atyre që shiheshin si “berishistë”, dhe ardhja e atyre që quhen sot “rilindas”, nuk ka ndryshuar gjë për mirë në shërbimin ndaj qytetarit, përkundrazi i ka bërë ata të ndjehen më keq se 3 vite më parë. Procesi i dekriminalizimit ka nxjerrë në shesh të palarat e çdo zyrtari dhe drejtuesi të emëruar në mënyrën më të paligjshme nga qeverisja aktuale, por kryesore mbetet fakti, se çfarë do të bëhet me ata që akoma edhe sot mbajnë poste të tilla prej 3 vitesh në kundërshtim me ligjin. E ndërsa media vazhdon ti denoncojë, duket se opozita në rrethe, vazhdon të qëndrojë e përgjumur, dhe ti qëndrojë besnike marrëveshjeve të fshehta, që lidhen me afera të vogla dhe të mëdha që mbushin xhepat e individëve, që deri para shtatorit 2013 kishin në dorën e tyre pushtetin. 
Sigal