E dënuar për korrupsion, KLGJ shkarkon gjyqtaren Zamira Vyshka

35
Sigal

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pranuar në seancën e së mërkurës, kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin e gjyqtares së Elbasanit, Zamira Vyshka.Kjo e fundit është shpallur fajtore nga Gjykata e Posaçme, e cila e ka dënuar me 2 vjet burgim për veprën penale të korrupsionit, por për shkak të gjykimit të shkurtuar është vënë në shërbim prove. Gjatë seancës, KLGJ ka pranuar kërkesën e ILD-së për procedim disiplinor me masën ‘Shkarkim nga detyra’ për magjistratën Z.V., gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.“ILD ka nisur hetimin disiplinor me iniciativë ndaj magjistrates Z.V., me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për shkeljen disiplinore të parashikuar nga neni 140, pika 2, shkronja “b” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nga neni 104 i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, për shkak të dënimit për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit, dhe i funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç Kodit Penal. Hetimi disiplinor i kryer nga inspektorët e ILD-së konkludoi se gjyqtarja është gjetur fajtore dhe është dënuar nga Gjykata e Posaçme Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç të Kodit Penal. Ushtrimi i parregullt i detyrës nga ana e magjistrates, edhe për vetë natyrën e faktit penal të konsumuar, përbën shkelje shumë të rëndë disiplinore, e që ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, ka diskredituar rëndë figurën, autoritetin, dinjitetin si dhe është dëmtuar rëndë besimi i publikut te magjistrati dhe tek organet e drejtësisë. Inspektorët e ILD kërkuan caktimin e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”, kërkesë që u pranua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor”, -thuhet në njoftimin e KLGJ-së.