Dyshohet se vodhën pensionet e të moshuarve në Divjakë, arrestohen dy punonjësit e postës

139
Sigal

Dy punonjës të zyrës postare në Divjakë janë vendosur në pranga pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin vodhën lekët e pensionistëve.

Të arrestuarit, 25-vjeçari me iniciale E. Ll., përgjegjës i Zyrës Postare, dhe G. M., 56 vjeç, punonjës shërbimesh në Zyrën Postare, akuzohen se duke shpërdoruar detyrën, grabitën një shumë prej 270.000 lekë të rinj nga pensionet mujore të qytetarëve të Divjakës.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Post Office”.

Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Divjakë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier dhe Sektorin Operacional në DVP Fier.

Vodhën lekët e pensioneve të qytetarëve, duke shpërdoruar detyrën dhe duke falsifikuar dokumentet, vihen në pranga 2 punonjës të Zyrës Postare Divjakë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar dhe Sektorin Operacional në DVP Fier, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Post Office”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë, për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, i shtetasve:

E. Ll., 25 vjeç, banues në Divjakë, me detyrë përgjegjës i Zyrës Postare Divjakë;

G. M., 56 vjeç, banues në Divjakë, me detyrë punonjës shërbimesh në Zyrën Postare Divjakë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrën, kanë vjedhur 270.000 lekë të rinj nga pensionet mujore të qytetarëve të Divjakës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.