Dyshohet se dogji pemë frutore dhe vreshta, arrestohet një person në Cërrik

173
Sigal

Policia ka arrestuar shtetasin me iniciale M.R, pasi dyshohet se ka djegur një sipërfaqe toke me pemë frutore në pronësi të shtetasit V.R.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Shtërmen teksa qytetari bëhet personi i radhës që arrestohet si autor për zjarrvënie të qëllimshme në Shqipëri.

Vatrat e zjarreve vijojnë të jenë aktive në disa qarqe të Shqipërisë.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Dogji me zjarr një sipërfaqe toke me pemë frutore dhe vresht në fshatin Shtërmen, vihet në pranga autori i dyshuar.

Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Cërrik arrestuan në flagrancë shtetasin:

M. R., banues në fshatin Shtërmen, Cërrik, pasi dyshohet se në fshatin Shtërmen, Cërrik, ka djegur disa barishte në pronën e tij dhe pasi zjarri ka dalë jashtë kontrollit është djegur një sipërfaqe toke me pemë frutore dhe vresht, në pronësi të shtetasit V. R.

Materialet u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin.

Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.