Dyshim për investim 250 milionë euro në bregdet

522
Mbas zhvillimit në fshehtësi të plotë të mbledhjes, Këshillit Kombëtar të Territorit në faqen e Kryeministrisë u hodh një njoftim i Zëvendës Kryeministrit Niko Peleshi rreth mbledhjes. Peleshi deklaroi se mbledhja e KKT-së ka dhënë leje ndërtimi për investime private me vlerë totale 250 milionë euro—kryesisht për hidrocentrale, centrale me energji diellore, objekte në turizëm, etj. Ai përmend gjithashtu edhe një investim publik për rindërtimin e Pallatit të Kulturës. Deklarata nuk jep as informacionin më minimal për projektet investuese, madje as titujt e tyre. I vetmi investim për të cilën ka një referencë është ai i një resorti turistik në bregdet me vlerë mbi 150 milionë euro. Mbas këtij informacioni minimal, deklarata e Peleshit kalon në propagandë klishe mbi reformat e qeverisë dhe arritjet e saj. Në këtë frymë, njoftimi për mbledhjen e KKT-së mbyllet në mënyrë qesharake me pohimin “kjo është Shqipëria të cilës ne i besojmë, një Shqipëri ku nuk ka vetëm ligje të mira, për shkak të kontributit të partnerëve tanë ndërkombëtarë, por ka dhe njerëz të mirë në ligje, ka dhe një klimë biznesi që buron nga siguria juridike. Le të ecim së bashku, me klasën politike, por edhe me gjithë shqiptarët, në këtë rrugë, që është rruga e Shqipërisë së re”. Deklarata e Peleshit shton dyshimet mbi mbledhjen e KKT-së ku është vështirë të kuptohet se si në një mbledhje të miratohen investime me vlerë sa gati 30 për qind e mesatares së investimeve të huaja vjetore në 10 vjetët e fundit. Tronditës është një tjetër resort turistik në bregdet, pasi të ashtuquajturat resorte turistike janë komplekse rezidenciale që shiten si shtëpi plazhi. Shqipëria është i vetmi vend në botë me vijë bregdetare që nuk ka asnjë objekt të standardit mesatar ndërkombëtar në fushën e turizmit, qoftë hotel apo objekt tjetër. I gjithë bregdeti është urbanizuar përmes këtyre fshatrave rezidencialë në pronësi të qytetarëve, kryesisht shtresës së pasur të vendit. Lejet e miratuara nga KKT janë bërë në shkelje të ligjit për pjesëmarrjen e publikut në vendim-marrjen mjedisore, pasi është e vështirë të besohet se mund të jenë bërë dëgjesa publike për projekte kaq të mëdha sa pretendohet deri edhe 150 milionë euro dhe kjo gjë të mos jetë bërë lajm publik.
Deklarata e Niko Peleshit për vendimet e datës 28 korrik të KKT
Në këtë komunikim publik, dëshiroj të ndaj me ju disa vendimmarrje të mbledhjes së sotme të Këshillit Kombëtar të Territorit. Ka pasur një interes të madh për këtë vendimmarrje, e cila i ka dhënë rrugë nga sot investimeve private në disa sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, me një vlerë totale prej 250 milion euro. Impakti në punësim do të jetë 2800 të punësuar të qëndrueshëm, në sektorë si; hidroenergjitika, energjitë e rinovueshme, sistemeve fotovoltaike të prodhimit te energjisë elektrike, turizmit etj. Vetëm në një resorit të miratuar, vlera e investimit shkon në mbi 150 milion euro. Ndërkohë kemi marrë edhe vendime të rëndësishme për të rikonstruktuar, për të sjellë në normalitet dhe për të modernizuar, dy institucione të kulturës shumë të rëndësishme siç janë Teatri i Operës dhe Baletit dhe Biblioteka Kombëtare. Dy institucione, të cilat për shume e shumë vite të lëna jashtë vëmendjes dhe të kthyera në institucione që i mungon dinjiteti i merituar. Natyrisht që ne besojmë se interesi i rritur i investimeve vjen mbas konsolidimit të kuadrit ligjor. Kemi miratuar kujtoj një ligj shumë pro biznes për investime strategjike, kemi miratuar ligjin e partneritetit publiko – privat, kemi miratuar ligjin e turizmit dhe aktet nënligjore në funksion të tij. Por ndërkohë kemi përmbyllur një proces që për më shumë se njëzet vjet nuk ka mundur dot të finalizohet, hartimi dhe miratimi i Planit të Zhvillimit Kombëtar. 

Një plan i munguar që i ka hapur tani rrugën, zbërthimit apo derivimit në Plane të Zhvillimit Rajonal dhe në Plane të Përgjithshme Vendore. 31 Bashki për pak javë do të miratojnë në Këshillin Kombëtar të Territorit, Planet e Përgjithshme Vendore, çka do të thotë do të hapin një dritare të re, jo vetëm për industrinë e ndërtimit, por për ekonominë vendore dhe kombëtare në përgjithësi. Agjencitë në mbështetje të biznesit, siç është Agjencia e Zhvillimit të Territorit, apo Agjencia e investimeve të huaja, AIDA, në bazë të ligjit, janë të detyruara sot të kthehen në sportele unike, apo në agjentë asistues për investitorët. Jemi duke kontribuar për krijimin e një klime pozitive biznesi, te cilën dëshiroj ta lidh me një proces i cili sot është kryefjala, është pika me e fortë dhe më e nxehtë e axhendës sonë të përbashkët politike dhe shoqërore, reforma në drejtësi. Reforma në drejtësi do të na japë mundësinë, jo thjesht dhe vetëm, të pastrojë këtë sistem nga korrupsioni, jo thjeshtë dhe vetëm të kemi një trupë prokurorësh dhe gjyqtarësh të ndershëm, jo thjesht dhe vetëm më të fortë në goditjen e korrupsionit të zyrtarëve të lartë, por do të sjellë si efekt të drejtpërdrejtë të saj një klimë shumë me të favorshme për investitorët vendas dhe të huaj. Sistemi i drejtësisë i reformuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë do të risë sigurinë juridike. Unë preferoj ta lexoj edhe këtë interes të shtuar të investimeve private, siç e përmenda më sipër, si një besim tashmë të rikthyer tek te gjithë shqiptarët, se procesi i reformimit të sistemit të drejtësisë, procesi jo vetëm i ligjeve te mira që nuk na kanë munguar por edhe i njerëzve të mirë të ligjeve që na kane munguar deri dje, po jep tani shenjat e para të besimit të biznesit, sektorit privat dhe investitorëve për të ardhmen e Shqipërisë. Po e mbyll duke thënë se kjo është Shqipëria të cilës ne i besojmë, një Shqipëri ku nuk ka vetëm ligje të mira, për shkak të kontributit të partnerëve tanë ndërkombëtarë, por ka dhe njerëz të mirë në ligje, ka dhe një klimë biznesi që buron nga siguria juridike. Le të ecim së bashku, me klasën politike, por edhe me gjithë shqiptarët, në këtë rrugë, që është rruga e Shqipërisë së re.
Sigal