Drejtorët shpërblejnë me miliona vetveten dhe servilët e tyre

521
Sipas udhëzimit të KM, lidhur me shpërblimet e fundvitit edhe drejtoritë e institucioneve të shtetit në rrethe kanë nisur hartimin e listave emërore me “më të dalluarit”, ku spikatin emrat e servilëve, por edhe emrat e vetë drejtuesve të këtyre institucioneve. 
Listat e shpërblimeve vjetore mbushen me servilët dhe drejtorët
Burime nga disa institucione në rrethe thanë për gazetën “Telegraf”, se “listat emërore janë duke u mbushur me emra servilësh, njerëzish të korruptuar, por edhe drejtuesish dhe askush nuk guxon të hapë gojën, të flasë dhe kundërshtojë, e njëjta gjë ka ndodhur edhe vjet, po ndodh edhe sivjet”. Fakti është se udhëzimi i VKM teorikisht duket sikur flet qartë, ku thuhet se “institucionet dhe ndërmarrjet të sjellin emrat e punonjësve më të dalluar për të marrë shpërblimet e fundvitit”, por realisht në praktikë veprohet ndryshe. E njëjta gjë po veprohet me arsimtarët, mjekët dhe infermierët, punonjësit e energjetikës, bujqësisë, ujësjellësve, policisë dhe ushtrisë. Asnjë emër që e meriton nuk dallohet në listat e gjata të cilat janë hartuar në zyrat e drejtuesve dhe që po i përcillen ministrive respektive. Asnjë emër polici, që ka bërë me ditë me radhë shërbime 24-orëshe, pa asnjë minutë pushimi, nuk është shkruar në listat e drejtorive të policive në rrethe, por veç servilët dhe miqtë e shefit, asnjë emër ushtaraku që dergjet 72 orë pa ndalim në shërbim, asnjë emër arsimtari që është dalluar përgjatë gjithë vitit shkollor në mësimdhënie dhe zbatimin e rregulloreve nga MAS, nuk është propozuar për shpërblim për fundvitin, por veç servilët dhe miqtë e drejtuesve, asnjë emër mjeku dhe infermieri nuk është propozuar për shpërblim, pavarësisht se përgjatë gjithë vitit ka kryer pesëfishin e shërbimeve të rojës, por janë propozuar ata të përgojuarit dhe të hetuarit për korrupsion, asnjë elektricist dhe hidraulik nuk është propozuar për shpërblim, por vetëm servilët dhe miqtë e drejtuesit. Duke vazhduar edhe me profesionet e tjera, pothuajse në të gjitha institucionet e shtetit po ndodh e njëjta gjë dhe asnjë nuk ka shansin të kundërshtojë, ndërkohë që dikasteret mjaftohen me listat emërore të dërguara nga drejtuesit. Ligjërisht listat bazuar në udhëzimin e VKM, hartohen nga një komision i propozuar nga stafi punonjësve, duke ndjekur dhe zbatuar kriteret e profesioneve dhe arritjet dhe rezultatet e tyre përgjatë gjithë vitit në sektorët ku punojnë. Por kjo, nuk ka ndodhur dhe nuk po ndodh edhe këtë fundviti. 
Shkelen kriteret profesionale të meritokracisë
Drejtuesit dhe servilët e tyre po gllabërojnë shpërblimet e majme, kurse shumica dhe ata që përdoren si kafshë pune, mjaftohen me rrogën dhe kaq. Ai që ka guximin të flasë apo guxon të kërkojë shpjegime “pse shpërblehet ai që është përgojuar për vjedhje apo korrupsion”, futet në rreth dhe shumë shpejt ndëshkohet si “kundërshtar i shefit” apo i “nxitur nga opozita”. Sa qesharake aq edhe e turpshme. Shpërblimet e fundvitit gjithmonë kanë qenë “molla e sherrit”, por edhe veprimi më i përfolur që bëhet zyrtarisht hapur fare në shkelje të ligjit dhe kritereve profesionale dhe meritokracisë, për ata që listohen ta përfitojnë. Por e keqja më e madhe mbetet fakti, se edhe kur tek ministrat, apo portalet e tyre, ku denoncohet shkelja e ligjit, apo korrupsioni, kanë vajtur denoncime edhe për shpërblimet e fundivitit, ato janë hedhur në koshin e plehrave dhe sërish ka vazhduar avazi i njohur. 
VKM stimulon pabarazinë dhe dallaveret e shpërblimeve
Këtë realitet monstruoz, që çdo fundviti ka bërë dhe po bën të pakënaqur shumicën e nënshtruar dhe po u mbush xhepat atyre që nuk e meritojnë, e stimulon edhe VKM, sipas të cilit, u lihet dorë e lirë drejtuesve (apo komisioneve të tyre) të hartojnë listat me “të dalluarit”, ndërkohë që përfshirja e krejt stafit punonjës sipas një vlere financiare të përcaktuar dhe të barabartë, do t’u priste rrugën abuzimeve dhe shkeljeve ligjore. Kjo ndryshe mund të quhet fare thjeshtë edhe si “loja e përvitshme e qeverisë me shpërblimet e fundvitit”, të paktën kjo vlen vetëm për buxhetorët dhe jo pensionistët. 
Sigal