Drejtore Ekzekutive e AMF, Zj. Mimoza Kaçi, takim me mediat: Tregjet financiare nën mbikëqyrje, janë të qëndrueshëm dhe me tregues në rritje

46
Sigal

Drejtore Ekzekutive në detyrë e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Zj. Mimoza Kaçi deklaroi në takim me gazetaret se tregjet financiare nën mbikëqyrje, edhe gjatë vitit 2023 vijuan të jenë të qëndrueshëm dhe me tregues në rritje.
Gjatë një takimi me përfaqësues të medies, zj. Mimoza Kaçi u shpreh se të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-nëntor janë rritur me 8.4 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022. Numri i kontratave arriti mbi 1.3 milionë duke shënuar një rritje prej 10.84 %.


Po ashtu, siç u shpreh Drejtorja Ekzekutive në detyrë e AMF-së, dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për këtë periudhë kanë pësuar një rritje prej 9.93 %. “Raporti evropian i aksidenteve gjatë gjashtëmujorit të para 2023 rezulton të jetë përdorur në rreth 35.6 % të numrit të dëmeve TPL të trajtuara, duke shënuar rritje të përdorimit të tij krahasuar me vitin 2022, kur ky tregues ishte 23 % i dëmeve TPL të trajtuara”, bëri të ditur Drejtoresha Kaçi.
Drejtorja në detyrë e AMF-së theksoi se edhe tregu i fondeve të investimeve dhe ai i pensioneve private kanë vijuar tendencën e tyre në rritje.


Përgjatë vitit që vjen, Zj. Kaçi theksoi se do të rishikohet ligji i sigurimeve me qëllim përmirësimin e kuadrit ligjor të qeverisjes korporative të mbikëqyrjes së grupeve të sigurimit dhe përafrimit me direktivat e Bashkimit Evropian.
Po ashtu, në fokus do të jetë dhe hartimi i akteve nënligjore në zbatim të ligjit të fondeve të pensioneve private, si edhe zbatimi i Strategjisë për Edukim dhe Përfshirje Financiare, 2023-2027 të AMF-së.