Drejtësia kamzhik në dorën e pushtetit që po gropos pronat e shqiptarëve

Në një prononcim për Gazetën “Telegraf”, Avokatët Zaçe Islami, Kujtim Cakrani dhe Redi Ramaj, reaguan në lidhje me humbjen e jetës së avokatit Leonard Dingo, i cili humbi jetën dhe nuk po gjënden autorët, sakaq analizuan rolin e drejtësisë dhe heshtjen e autoriteteve. Ja reagimet e plota

Av. Zaçe Islami: Avokatin e ka vrarë mafia e pronave

Sigal

Problemi qëndron te shteti, qëndron tek fakti kriminal, që gjykata dhe prokuroria janë një trup dhe marrin të gjitha vendimet. Kjo mbështetet, provohet dhe vërtetohet  nga deklarata e Dumanit ku tha: Gjykata vendos ato që i themi ne. Kjo në gjuhën juridike dhe demokratike përkthehet: “Diktaturë”, nuk ka asnjë emër tjetër. Fatkeqësia në Shqipëri është se Shteti dhe pushteti vazhdojnë të jenë një organizëm, një trup, siç kanë qenë në kohën e Enverit. Ndërkohë që shteti nga pushteti duhet jenë larg, pa lidhje me njeri- tjetrin. Pasi pushtetarët  vijnë e ikin ndërsa shteti mbetet në vend. Pra, edhe këtë avokatin  e ka vrarë mafia e pronave, padiskutim. Ditë -përditë shohim se ç’po bëhet në bregdet. Shohim se si Gjykata Kushtetuese  vendos që Xhaçkës t’i hiqet imuniteti dhe Kuvendi e mazhoranca del në mbrojtje. Në Shqipëri nuk bëhen zgjedhje, por zgjidhje.

Opinioni publik është i tronditur nga hallet, frika, dhuna pushteti dhe varfëria sa është kthyer në turmë amorfe , që s’di se ku do të shkojë. Drejtësia ndodhet në ditët më të errëta, drejtësia është kamzhik i shkëlqyer në dorë të pushtetit, ekzekutivit. Është kthyer në një kamzhik që gropos në dorë të pushtetit, ndërsa për qytetarët varet se kush ka miq dhe akses në politikë e pushtet, ato si gjen gjë, të tjerët në rrezik.

Islami tregoi për Telegraf se është plagosur në Progonat. Ai u shpreh : “Më plagosën banditët që kërkuan të marrin pronën e klientëve të mi dhe nuk u ndje as dhoma e avokatisë dhe asnjë , madje as prokuroria.

Shteti është marrë peng nga vrazhda e fshehtë e krimit, rasti i Dingos alarmant

Av. Kujtim Cakrani

Përsa i përket rastit të fundit që ka ndodhur me avokat Leonard Dingo, është një nga ato ngjarje që ndodh rëndomë kundër avokatëve në këtë Rebublikë. Kemi rastin e mëparshëm të avokatit Sokol Mëngjesi, i cili është dhunuar në një mënyrë barbare. Kjo është një frymë e krijuar tashmë ndaj avokatëve dhe ka vijuar edhe më pas me kërcënime të tjera, ku avokatëve nuk i’u bëhen vetëm kërcënime me dhunë, por edhe fyerje. Rastet janë të pafundme pavarësisht dhe pse këto nuk denoncohen, por në të gjitha proceset gjyqësore ku kanë një rëndësi të veçantë, avokatët kërcënohen në mënyrë permanente qofshin këto nga kundërshtarët e tyre, pra nga personat, të cilët janë kundërshtarë në gjyq, por edhe nga klientët e tyre. Rasti  i Dingos nuk është një rast i veçuar në bazë të këtyre rasteve. Fakti që ai është goditur dhe lënë aty, makina që e ka goditur ka ikur, duhet verifikuar dhe prokuroria natyrisht që duhet të nisë hetimet, të kryejë verifikimet sepse duhet të shikojë nëse ngjarja ka ndodhur me dashje, kush janë personat dhe të shohë çështjet gjyqësore që ai ndjek dhe sigurisht duhet të shoh nëse në këto çështje gjyqësore kanë pasur konflikte klientët e tij apo dhe me kundërshtarët.

Policia tregon dhe një herë respektin që ajo ka ndaj avokatëve, tregon dhe një herë paaftësinë e saj dhe mbi të gjitha vërteton faktin që policia e shtetit si çdo ngjarje që ka ndodhur kohët e fundit edhe me këtë kërkon ta fsheh dhe duke e fshehur, apo duke mos dhënë një deklaratë për shtyp  duke mos ngritur një  grup pune me oficer të kriminalistikës, e natyrisht kjo pasyrohet edhe në publik vërteton dhe njëherë që policia e shtetit është në vrazhdën e fshehtë të krimit. Jo sepse e ka personale me avokatin tashmë të ndjerë. Kjo tregon dhe një herë që policia e shteti është në drejtim të paditur, është marrë peng dhe natyrisht nuk bënë dot, nuk arrin dot të bëjë minimumin e punës së saj që ka si institucion. Pastaj procedimi penal natyrisht që e nis prokuroria, por prokuroria punon bashkë me oficerët e policisë. Dhoma e avokatisë normalisht duhet të kishte reaguar, sepse është edhe një avokat i vjetër dhe njihet në rrethin e avokatëve dhe në publik. Kështu që neglizhenca e të gjithë këtyre institucioneve e bënë edhe këtë rast të pashpresë, kjo i bënë qytetarët të humbin besimin qoftë te policia, te avokatia e kështu me radhë. Është hedhur nga politika një baltë ndaj avokatëve, sidomos mazhoranca, gjithashtu dhe kryeministri ka folur drejtëpërdrejtë për avokatët që janë problematikë, janë sekser, janë matrapaz e kështu me rradhë dhe kjo i ka dhënë një farë fuqie opinionit publik që të anatemojë avokatët dhe duke anatemuar avokatët ndodhin raste të tilla ku humbasin jetën, dhe opinioni publik nuk ka pikën e respektit, nuk ka pikën e ndjenjës humane përsa i përket këtyre rasteve ku ka plagosje vrasje ose vdekje.

Momentet më të nxehta të punës të avokatit sot janë çështjet që kanë të bëjnë më pronat e qytetarëve, sidomos pronat që janë në bregdet dhe këto janë ato të cilët e kanë bërë shumë vulnerable pjesën e avokatit.

Av. Redi Ramaj: Hetim i menjëhershëm. Mos publikimi i rastit skandal më vete

Humbja e jetës së Av. Leonard Dingos është ngjarje e rëndë. Jemi para një situate të vështirë, dhe me rastin e Sokol Mëngjesit thjeshtë u bë pak publike dhe organet shtetërore nuk morën veprim. Ndryshuan edhe akuzën për avokatin, e kaluan nga vrasje e mbetur në tentativë në plagosje të rëndë. Policia duhet të reagojë menjëherë mendoj, kjo është e para, pra duhet të kemi një deklaratë çfarë ka ndodhur si është situata, çfarë po hetohet. Ky duhet të ishte reagimi i parë në mënyrë që të reagojnë dhe institucionet e tjera. Nëse goditen avokatët që janë direkt me qytetarin, do të thotë që i gjithë sistemi është në gjëndjen më të keqe të mundshme. Gjëja më e lehtë për tu goditur në këtë rast është avokati, i cili është drejtëpërdrejtë me klientin. Mos publikimi i rastit është problematik dhe skandaloz.