‘Drejt bregdetit me lule e qirinj në duar’- Dom Gjergj Meta lajmëron një marshim homazh për 7-vjeçaren që u godit me skaf nga polici

64
Sigal

Homazhe në Lezhë për vdekjen e Joanda Avdisë. Dioqeza e Lezhës dhe ajo e Rrëshenit bashkë me shoqërinë civile do të zhvillojnë ditën e sotme në orën 19:00 një marshim homazh për vajzën e vogël që humbi jetën në Himarë pasi u godit nga një gomone.

Dom Gjergj Meta shkruan në “Facebook” se marshimi do të nisë nga Kisha në Shëngjin për të shkuar me lule e qirinj drejt bregdetit si një lutje, një dëshirë dhe një protestë që gjëra të tilla, fryt i papërgjegjshmërisë, të mos ndodhin më kurrë e që të gjithëve t’u ofrohet siguri.

Postimi i plotë:

QË TË MOS NDODHË MË! Të dashur miq,

Sonte në orën 19:00 Dioqeza e Lezhës dhe ajo e Rrëshenit, bashkë me shoqërinë civile Lezhë-Kurbin-Rrëshen, organizojnë një marshim homazh për vajzën e vogël Joanda Avdia që dje gjeti vdekjen në bregdet për shkak të papërgjegjshmërisë.

Ju ftojmë të gjithëve, sidomos pushuesit që ndodhen në Shëngjin që në orën e caktuar të gjendemi te oborri i Kishës së Shëngjinit e prej aty të nisemi në heshtje drejt bregdetit me lule e qirinj në duar.

Kjo është një lutje, një dëshirë dhe një protestë që gjëra të tilla, frut i papërgjegjshmërisë, të mos ndodhin më kurrë e që të gjithëve t’u ofrohet siguri. JU PRESIM! Merrni një lule të freskët ose një qiri me vete!

Çfarë ndodhi dje?

Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 gusht në Plazhin e Potamit në Himarë, ku 7-vjeçarja Jonada Avdia, u godit për vdekje nga gomonia teksa po lahej në det.

E mitura u përplas fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend.

Fëmija, me origjinë nga Tropoja jetonte me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime. Drejtuesi i gomones është shefi i policimit në komunitet në Elbasan, Arjan Tase u shoqërua në polici, ndërsa drejtuesi i Policisë së Shtetit, Gledis Nano e përjashtoi Arjan Tasen përfundimisht nga policia.