Pali Nito: Bir Selmani nënës kë të qaj më parë?!

289
Sigal

Shpopullimi i vëndit ku shqiptarët po ikin nga sytë këmbët në pamundësi për të përballuar problematikat e shumta është bërë një dukuri serioze, alarmante e shqetësuese, që po çon në tkurrjen dhe boshatisjen e popullsisë së Shqipërisë. Shqiptarët si asnjëherë tjetër janë dashuruar marrëzisht me emigracionin dhe po largohen përherë e më tepër, sepse po përjetojnë me dëshpërim, mërziti e trishtim e në kufijtë e mbijetesës e të pamundësisë për ta përballuar një situatë të tillë aspak normale. Qytetarët shqiptarë emigrojnë përditë e masivisht në kontinentin Europian, në SHBA dhe deri në Australinë e largët, sepse në Shqipëri me shumë vështirësi e mundim po përballojnë mbijetesën. Aktualisht Shqipëria po përballet egërsisht me shumë problematika e halle të shumta, të ndryshme e tepër serioze që atakojnë dhe shqetësojnë seriozisht qytetarët shqiptarë. Shqipëria ka aq halle e problematika, që i ngatërrohen si ferra nëpër këmbë për herë e më tepër e që ja vlen të shprehem me derte, me lot, me trishtim, prozë e poezi: Bir selmani i nënës për çfarë të qajë më parë me ububu e me oi? Për inceneratorët që kanë ndezur politikën opozitare, që janë bërë objekt i përditshëm i medias së shkruar dhe asaj vizive, për kanabisin që ka mbuluar dhe gjelbëruar Shqipërinë nga Konispoli në Vermosh dhe nga Librazhdi në bregdet. Apo të qajë e të vërë kujën e ulërimën për korrupsionin galopant që i ka shtrirë tentakulat dhe është ulur këmbëkryq dhe mbarë Shqipërisë e që si për ironi të fatit qeveria i bën karshillëk dhe nuk denjon të reagojë për ta frenuar këtë të keqe kanceroze, që i hap rrugë dhe favorizon varfërinë dhe u trash qafën dhe u dhjamos barkun oligarkëve dhe politikanëve të babëzitur e të papërgjegjshëm, që pasurohen në kurriz të qytetarëve duke ndërtuar vila në bregdet e në vende klimatike, që posedojnë makina luksoze, llogari bankare brenda dhe jashtë vendit, po kështu është për të qarë me oi e për të lebetitur e për të uluritur dhe vënë kujën për krimin e organizuar ku janë implikuar zyrtarë të policisë së shtetit, madje edhe politikanë e për pasojë krimi i organizuar po na rrëmben pamëshirshëm jetë njerëzish dhe ndonjëherë rastësisht e fatkeqësisht edhe kalimtarë të rastësishëm. Për të qarë e për të ngritur zërin në kupë të qiellit dhe për t’u alarmuar, qarë me derte e –oi- është fenomeni i emigracionit që po tkurr dhe po e shpopullon pandalshmërisht vendin tonë, Shqipërinë. Për të vënë kujën, ulërimën dhe duart në kokë janë bërë gjithashtu emërimet në politikë duke u ofruar me dorë të lëshuar e me bujari funksione e karrige të lakmueshme njerëzve dhe të afërmve të pushtetarëve. Apo të ankohem për shpenzimet pa kriter e me ovarda në infrastructure, që po rrisin kostot në rrugë, në ndërtim e ngado. Është vërtetë për të qarë e uluritur kur në retrospektivë kujtojmë ushtrinë të para viteve 90-të që ishte superfuqia ushtarake e rajonit, ndërsa sot ushtria jonë është pak të thuash simbolike pasi ushtria jonë është thjesht dhe vetëm një repart emergjencash civile që shuan zjarret me shkurre dhe degë pemësh, sepse për flotë zjarrfikëse as që bëhet fjalë. Është vërtetë për të qarë, për t’u trishtuar e vënë duart në kokë kur ish-baza ushtarake detare dhe bregdeti në tërë gjatësinë e tij, minierat, Butrinti, Syri kaltër, fushat naftë dhe gazëmbajtëse u janë dhënë investitorëve strategjik dhe të afërmve të mazhorancës.