Drama e universiteteve publike, në 8 vitet e fundit ka 24 mijë studentë më pak

103
Sigal

Sistemi universitar në Shqipëri, vijon të përjetojë dramën e tkurrjes progresive të numrit të studentëve. Në tetë vitet e fundit (2016-2023), sipas të dhënave zyrtare, në auditore, rezultojnë 24.416 të rinj, më pak, një rënie me gati -17 përqind. Tkurrja e studentëve ka prekur vetëm sistemin publik, ndërkohë që ai privat, ka njohur rritje thuajse të qëndrueshme në vitet e fundit.

Situata

Në vitin akademik 2023-24, në universitetet publike në të gjithë vendin ishin të regjistruar pak më shumë se 86 mijë studentë, një rënie me më shumë se 32 mijë të rinj, ose gati 27 përqind më pak se në vitin 2016.

Në të njëjtën kohë, arsimi i lartë privat ka shënuar një rritje të dukshme. Nga viti 2016 deri në vitin akademik 2023-24, numri i studentëve të regjistruar në këtë sektor është rritur me 7.873, duke e çuar numrin total të regjistrimeve në 32.387 studentë.

Universiteti i Tiranës ka përjetuar rënien më të madhe. Gjatë vitit të fundit akademik, në fakultetet e tij pati 17.755 studentë, mbi 10 mijë më pak se në 2016, ose një rënie prej 37 përqind.

Akoma dhe më e fortë, rënia në Universitetin Bujqësor, i cili vitin e fundit pati pak më shumë se 6 mijë studentë nga afro 11 mijë që numëronte 8 vjet më parë. Janë mbi 4 mijë studentë më pak, ose një tkurrje prej 40.4 përqind.

Universiteti i Mjekësisë gjithashtu ka pësuar një rënie prej 807 studentësh, ose 10.8%. Në të kundërt, Universiteti Politeknik ka treguar stabilitet, sikundër dhe ai i Arteve. Ndërsa Universiteti i Sporteve ka shënuar rritje, vit pas viti.

Universitetet e rretheve po ashtu kanë përjetuar të njejtën tendencë, me rënie nga 40-52 përqind, me përjashtim të Aleksandër Moisiut në Durrës, i cili ka ruajtur qëndrueshmëri, duke qenë thuajse në të njëjtat kuota, përveç vitit të fundit, kur humbi gati 2 mijë studentë, ose një ulje me pak më shumë se 10 përqind.

Universiteti i Elbasanit, ka një rënie 56.4 përqind; ai i Korçës -47.7 përqind; i Shkodrës -54 përqind; i Gjirokastrës -15.4 përqind (vitin e fundit në të kundërt shënoi një rritje të lehtë); ndërsa i Vlorës, 60 përqind më pak, krahasuar më vitin 2017 kur shënoi një shumëfishim të studentëve.

Degët më të preferuara

Në inxhinierinë informatike mbeti vetëm një kuotë e lirë nga raundi fillestar i regjistrimeve nga 150 kuota në dispozicion. Edhe në degët e inxhinierisë mbeten shumë kuota të paplotësuara, por ishin në nivele më të ulëta se në Universitetin e Tiranës.

Në universitetin e Mjekësisë kishte interes më të lartë. Në degë Mjekësisë së Përgjithshme nuk mbeti asnjë kuotë e lirë në raundin fillestar të regjistrimeve nga 436 kuota fillestare. Gjithashtu në degët e farmacisë, stomatologjisë dhe infermierisë nuk mbeti asnjë kuotë e lirë.

Por në infermierinë e përgjithshme, mami, teknike laboratori, fizioterapi, imazheri mbeten kuota të paplotësuara në raundin e parë.

Kuotat bosh

Në degën Gjuhë-Letërsi më shumë se gjysma e kuotave mbeten të lira në raundin e parë. Nga 120 kuota që ofroi në ketë degë Universiteti i Tiranës mbetën të lira 65. Në Histori kuotat fillestarë ishin 80, ndërsa në raundin e parë mbetën të lira 68 kuota, çka do të thotë se vetëm 12 studentë kanë zgjedhur të studiojnë Histori.

Gjithashtu në Gjeografi nga 152 kuota fillestare në raundin e parë mbeten të lira 113 kuota. Në Gazetari dhe Komunikim më shumë se gjysma 80 kuotave fillestare mbeten të lira.

Gjithashtu gjuhët e huaja kishin një interes shumë të ulët dhe gjithashtu [programet Filozofisë, Punës Sociale, Psikologjisë ku gati gjysma e kuotave mbeten të lira.

Në përgjithësi për degët e Inxhinierisë kishte një interes më të lartë në Universitetin Politeknik të Tiranës.