– Mësuesit ndodhen përballë një “revolucioni” ndryshimesh për format dhe metodat e mësimdhënies.
– Largimi nga shkolla, klasa, auditori ishte një sfidë e gjërë, për shkak të Covid -19.
– Shkolla, është në procesin e madh të një revolucioni socio-psiko-pegagogjik.
Gëzim Tushi “Mjeshtër i Madh”
Po afron viti i ri Akademik! Flitet shumë për shkollat, për dhënien e diplomave për mënyrën e mësimdhënies. Shkolla që rrit brezat e ardhshëm ka nevojë për të mirën e saj institucionale, por sidomos për rritjen e eficiencës së mësimit dhe edukimit, të bëjë disa ndryshime. Ndoshta edhe ripërkufizime strategjike e formulime taktike nëpërmjet përmirësimit të disa gjërave thelbësore, formave klasike e tradicionale të performancës së saj. Covid-19 e ka vënë shkollën dhe mësuesin përballë një “revolucioni” ndryshimesh të thella konceptuale për shkollën thelbësore për mënyrat, format dhe metodat e mësimdhënies. Debati për ndryshimet dhe reflektimet postpandemike të shkollës, duhet thelluar nga ana profesionale dhe njëkohësisht duhet intensifikuar edhe më gjërë duke i dhënë formën e debatit të zgjeruar social. Sepse këto ndryshime nga njëra anë e ndërlikojnë, por edhe e lehtësojnë punën e shkollës dhe mësuesit, por edhe rëndojnë më shumë peshën e përgjegjësisë sociale të aktorëve dhe faktorëve të tjerë jashtëshkollorë, sikurse janë ndikimet komplementare, që duhet të vijnë nga familja. Jemi në një situatë kur gjërat duhet të ndryshojnë, sidomos ideja e vjetër e prindërve të cilët “…pëlqejnë normën tradicionale për ta lënë vetëm në dorë të shkollës edukimin e fëmijëve”(Paul Collier). Koha, mësimet dhe pësimet e marra prej pandemisë, tregojnë qartë se familja shqiptare ka nevojë për një “normë revolucionare”, të bazuar në barazi përgjegjësie në bashkëpunimin e saj organik me shkollën.
Megjithatë “pjesa e luanit” në këtë transformim të papritur të “punëve të brendëshme”, përsëri i mbeten shkollës dhe mësuesit. Ata do të duhet t’i përballojnë këto sfida të reja, të panjohura më parë me guxim, dije, vullnet e fleksibilitet psikopedagogjik. Sepse koha pandemike, por mbase edhe ajo që jemi tashmë do të detyrojë shkollën dhe mësuesin të përvehtësojnë, besoj për herë të parë në historinë e lashtë dhe të re të shkollës, artin liberal të “mësimdhënies në distancë”. Gjë që nuk ishte e lehtë, as për mësuesin dhe pedagogun, as për nxënësin dhe studentin. Largimi nga shkolla, klasa, auditori ishte një sfidë e gjërë, së pari pedagogjike, sepse duheshin gjetur aftësitë profesionale moderne, dhe bashkë me të edhe zotërimi në perfeksion i artit të duhur të mësimdhënies, në mënyrë që edhe në distancë nga nxënësi e studenti, mësuesi dhe pedagogu duhet të mbanin të gjallë interesin për të mësuar. Sot mund të duken pak paradoksale, por që nesër mund të jenë forma standarte normale të punës në shkollë e jashtë saj. Situata që po kalon shkolla, tregon se ky “eksperiment i imponuar” nga shkaku i pandemisë, që të ketë sukses dhe që të mos dështojë, duhet shoqëruar me angazhime të shëndosha psiko-pedagogjike të teoricienëve të arsimit, metodistëve, njerëzve më elokuentë të dijes pedagogjike, për të ndihmuar në reformimin e moduleve të rindërtimit të shkollës, përmes aplikimit të mënyrave interaktive të dhënies së mësimit në distancë, jashtë mureve të klasës dhe auditorit.
Por kryesori mbetet sigurimi i lidhjeve empatike dhe formave aktive të bashkëpunimit të mësuesit me nxënësit, i cili duhet të jetë me çdo kusht një lloj bashkëpunimi i suksesshëm midis tyre. Besoj se këto ndryshime që po ndodhin dhe që me siguri do të thellohen, deri në nivelin që të bëhen determinante në punën e shkollës, nuk mund të përdoren për të justifikuar uljen e efektivitetit të mësimit të alternuar, qoftë në shkollë apo në distancë prej saj. Sociologët e arsimit mendojnë, se masat e marra nga ndikimet e pandemisë për ndryshimin e formave të mësimit, nuk e pengojnë mundësinë e të mësuarit për atë që e do mësimin. Sipas tyre ana e “mirë” e pandemisë, ishte se ajo po ndikon në përforcimin e një “kahu të shkollës” dhe të “mësuarit modern”, sipas të cilit të mësuarit më shumë se në struktura kompakte kolektive sikurse është shkolla, gjithnjë e më shumë do të bëhet një “akt i vullnetit dhe objektivave personale”.
Nuk ka dyshim që nga përmasat e transformimeve që po ndodhin, shkolla, është në procesin e madh të një revolucioni socio-psiko-pegagogjik. Ajo ndodhet përballë kërkesave të “epokës post-covidiane”, bërjes së ndryshimeve të domosdoshme. Qoftë edhe duke prekur disa nga parimet pedagogjike të mësimdhënies, thelbin deontologjik të profesionit të mësuesit dhe pedagogut, duke pranuar konsensualisht si të nevojshme dhe të domosdoshme modulet e reja të mësimit jashtë shkollës, apo paralel me të, në ambiente të tjera ku mundësohen lidhjet on-line midis mësuesit dhe nxënësit, pedadogut dhe studentit.
Koha që jetojmë dhe sfidat që po vijnë, na detyrojnë që të kuptojmë imperativat e saj që kanë filluar të shfaqen dukshëm, edhe në institucione të tilla me “traditë konservatore” sikurse është shkolla. Kjo do të thotë që jo me këmbëngulje naive apo besnikëri mediokre, të ngulim “këmbët në ajër”, duke qënë kundër ndryshimeve thelbësore, si kërkesë për ndryshime imperative në përmbajtjen e mësimdhënies dhe format e reja të realizimit në distancë të procesit mësimor. Për të realizuar këtë “revolucion” të ndërlikuar psiko-pedagogjik dhe socio-kulturor në shkollat tona, do të duhen mësues të “rinj” (jo në kuptimin moshor), mendjehapur, të aftë të kuptojnë “tingullin” e kohës, në mënyrë që të reflektojnë ndryshimet që kërkon shkolla sot. Sepse me sa duket, “ritualet klasike” të shkollës, që ka qënë një “mit i paprekshëm” me natyrë komplekse social-pedagogjike, mund të ndryshojnë dhe përmirësohen në përputhje me kërkesat e kohës liberale, natyrës individualiste e personaliste të të mësuarit, dialektikës së ndryshimit të strukturës dhe formave më interaktive të performancës së shkollës.
Padyshim, këto ndryshime nuk janë të lehta. Ato kanë sjellë marramendje metafizike, konceptuale dhe pedagogjike në strukturën e shkollës, transformime të thella të proceseve, që zhvillohen brenda saj. Në këto kushte duhet të binden mësuesit dhe nxënësit, studentët dhe pedagogët, se ndryshimet që po bëhen, transformimet në përmbajtje dhe format e mësimdhënies, nga njëra anë janë të domosdoshme, por nga ana tjetër janë ndryshime që do të shoqërohen me pasoja të dukshme për punën e shkollës. Ato lidhen organikisht me rendimentin e procesit, nivelin e mësimdhënies së mësuesve dhe pedagogëve, efikasitetin e mësimnxënies dhe efektivitetin e përvehtësimit të dijeve, të transmetuara në forma jo aq shumë kompakte, nëse e shikojmë me optikën skolareske tradicionale, dhe jo gjithnjë në mënyrë të determinuar në ambientet e “natyrshme” zyrtare të shkollës.






















