Skema si abuzohet me tenderat dhe norma e korrupsionit në Shqipëri

165
Sigal

Autoritetet publike në Shqipëri kryejnë çdo vit prokurime që variojnë nga 800 milionë në 1 miliardë euro, ku minimalisht 200-400 milionë euro në vit, përfundojn në xhepat e zyrtarëve. Duke marrë parasysh se sa vend i varfër është Shqipëria, të 200 milionët në vit mjaftojnë për të shkatërruar çfarëdo lloj shansi për shtet ligjor dhe demokratik. Ndërkohë KLSH konstatoi se vetëm gjatë vitit 2022 ka pasur afro 800 mln euro dëme në buxhet. Ja ministritë më të korruptuara

Ajo që dihet është se autoritetet e ndryshme publike në Shqipëri kryejnë çdo vit procedura prokurimi që variojnë nga 800 milionë në 1 miliardë euro. Dhe nëse minimalisht 200 -400 milionë eurosh në vit, përfundon në xhepat e zyrtarëve. Dhe duke marrë parasysh se sa vend i varfër është Shqipëria, të 200 milionët në vit mjaftojnë për të shkatërruar çfarëdo lloj shansi për shtet ligjor dhe demokratik

Operacioni i fundit i SPAK, si dhe rasti tjetër në gjykim, ai i inceneratorit të Elbasanit, sugjeron se norma e korrupsionit në prokurimet publike në Shqipëri duhet të variojë nga 20 në 40% e fondit limit. Nëse i lejojmë vetes të spekulojmë, mund të themi se diku mes 200 dhe 400 milionë euro në vit nga paratë e taksapaguesve përfundojnë në xhepat e zyrtarëve çdo vit.

Tenderët për mbikqyrje punimesh konsiderohen tenderë të vegjël. Ato kushtojnë pak mijëra euro dhe shërbejnë për të kontraktuar një kompani që mbikëqyr punimet e marra përsipër nga një kompani tjetër. Si një hallkë që shërben në rolin e gardianit dhe që duhet të garantojë cilësinë dhe sasinë e punimeve të kontraktuara, pavarësisht vlerës së vogël, këto kontraktime janë të rëndësishme. E megjithatë, këto janë tenderët që nuk tërheqin vëmendjen e medias dhe qytetarëve pothuajse kurrë, për shkak të vlerës së ulët.

Gjërat duket se ndryshuan këtë fundjavë, kur Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi se ka arrestuar dy punonjëse të qeverisë, njëra, sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe tjetra, punonjëse e një strukture të njohur me termin “bashkëqeverisja”, një strukturë kontroverse që ka bërë njësh Partinë Socialiste me shtetin shqiptar, duke mos lënë vijë ndarëse mes të dyjave.

Sipas SPAK, punonjësja e Bashkëqeverisjes i ka dhënë një shumë prej 330 mijë lekësh Sekretares së Përgjishme, me synimin që kjo të favorizojë një operator ekonomik në një tender. Tenderi në fjalë titullohet: “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.

Agjencia e Prokurimit Publik e ka njoftuar hapjen e tenderit më datë 10 maj dhe mbylljen më datë 22 maj. Për këtë tender është shpallur fituesi, kompania DRICONS. Njoftimi i SPAK nuk bën të ditur se për favorizimin e cilit operator janë paguar paratë e ryshfetit, por ajo që vihet re është që tenderi në fjalë, për aq sa duket nga të dhënat e pjesëmarrjes, numri i ofertave dhe rezultati, duket shumë larg të qenit tender i dyshuar për manipulim. Rrjedhimisht, kundër kompanisë DRICONS nuk ka ndonjë të dhënë publike që të sugjerojë korrupsion, ndonëse shumë janë çuditur për faktin që SPAK ka arrestuar dy zyrtare të qeverisë se kanë marrë para për favorizimin “e një operatori” por nuk kanë arrestuar ndonjë operator. Dhe ky është një rast tjetër kur logjika e SPAK sfidon logjikën e gjithëpranuar.

Njoftimi i fituesit, thotë se për lotin 1 morën pjesë tetë kompani me oferta që variuan nga 638 mijë në 754 mijë lekë, ndërsa fondi limit ishte 806 mijë lekë. Oferta fituese ishte me vlerë 672 mijë lekë, ose 83% e fondit limit. Shkurt, duket si pa shumë sens që në një tender shumë normal, me vlerë të vogël, të paguhet një shumë kaq e madhe parash. Të 330 mijë lekët që u gjetën në zyrën e Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, përbëjnë 41% të fondit limit dhe gati 50% të fondit të ofertës fituese.

Kjo na shpie në një pyetje tjetër: sa duhet të jetë norma e zakonshme e korrupsionit në tenderët e institucioneve publike shqiptare?

Një dosje tjetër e SPAK mund të na ndihmojë për këtë pyetje. Është fjala për çështjen e incineratorit të Elbasanit, për të cilën, ish-ministri Lefter Koka është në pritje të gjykimit për korrupsion, pastrim parash dhe abuzim me detyrën.

Inceneratori i Elbasanit u dha me koncesion në vitin 2015 me një procedurë emergjente dhe pa garë. Vlera totale e kontratës ishte 21.6 milionë euro, ndërsa SPAK ka identifikuar disa kompani fantazëm, të cilat u denoncuan fillimisht nga LSI, që besohet se janë përdorur nga biznesmenët e koncesionit për të paguar ryshfetin e Kokës.

Koka akuzohet se ka përfituar 3.1 milionë euro nga faturat fiktive të Albtek Energji me një numër kompanish fantazmë dhe afro 2 milionë të tjera nga ITS, kompania tjetër e koncesionit. Me pak fjalë, nga 21.6 milionë euro të kontratës së koncesionit të Elbasanit, 5.1 milionë ose 24% e totalit kanë përfunduar për ryshfet për ministrin, sipas aktakuzës. Investigimi i SPAK mbi problemin e inceneratorëve është, në rastin më të mirë, jo shumë i qartë. Të tre çështjet, Elbasani, Fieri dhe Tirana, janë ndarë në tre dosje të veçanta pavarësisht se personazhet janë të njëjtë në të treja rastet. Kompanitë që supozohet se kanë faturuar punime të paqena dhe janë përdorur thjeshtë si mjet pagese të korrupsionit në Elbasan, kanë faturuar edhe koncesionin e incineratorit të Fierit dhe atë të Tiranës, kështu që nuk mund të thuhet se cilat ryshfete kanë pasur të bëjnë me inceneratorin e Elbasanit dhe cilat, me atë të Fierit (sa për Tiranën, kreu i SPAK Altin Dumani këmbëngul se nuk është gjetur ende vepër penale).

Dhe për më shumë, natyrisht që dy tenderë, njëri me normë korrupsioni të dyshuar 24% dhe tjetri, me normë korrupsioni 50%, nuk përbëjnë kampion dhe nga këto dy shifra vështirë se mund të ekstrapolohet. Vetëm se fakti mbetet që dy vite e gjysmë pas krijimit, SPAK nuk ka krijuar ndonjë historik të bollshëm të hetimeve të ndjekjes së parave kështu që, për momentin, nuk kemi mundësi të zgjedhim. Ajo që dihet është se autoritetet e ndryshme publike në Shqipëri kryejnë çdo vit procedura prokurimi që variojnë nga 800 milionë në 1 miliardë euro. Dhe nëse këto janë normat e korrupsionit, atëhere një shumë minimalisht 200 milionë eurosh në vit, përfundon në xhepat e zyrtarëve. Dhe duke marrë parasysh se sa vend i varfër është Shqipëria, të 200 milionët në vit mjaftojnë për të shkatërruar çfarëdo lloj shansi për shtet ligjor dhe demokratik./  Gjergj Erebara

Abuzimi me fondet shtetërore duket se ka kapur majat. Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi se gjatë vitit 2022 ka pasur afro 800 milionë euro dëme në buxhet.

Abuzimi me fondet shtetërore duket se ka kapur majat. Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi se gjatë vitit 2022 ka pasur afro 800 milionë euro dëme në buxhet. Por cilët janë sektorët më problematikë? Si abuzojnë institucionet dhe pse nuk merren masa? KLSH ka zbuluar se në institucionet qendrore, janë shumë dikastere, që përdorin skema nga më të ndryshmet për të dhënë tendera te subjekte të caktuara.

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në 5 procedura, kërkesat e njësisë së prokurimit, në lidhje me stafin, licencat, certifikatat që operatorët ekonomikë ofertues duhet të disponojnë nuk përkojnë me tipologjinë e objektit të kontratës që prokurohet; Në 4 procedura prokurimi KVO nuk ka bërë verifikimin e plotësimit të specifikimeve teknike nga operatori ekonomik.

Në Ministrinë e Mbrojtjes: Për 22 procedura prokurimi, operatorët ekonomikë të sigurimit të jo-jetës/jetës që operojnë në territorin shqiptar, kanë përdorur skemën e marrëveshjeve të ndaluara duke rënë dakord që të mos paraqiten secili më vete, por të gjithë së bashku, si bashkim operatorësh, duke përdorur skemën e kryesuesit (përfaqësimit) me rotacion, paraqitur në rrotullim kryesuesin (përfaqësuesin) jo vetëm në renditje, por dhe në përqindjen e pjesëmarrjes në kontratë dhe duke krijuar një treg të mbyllur të sigurimeve (për sigurimin e jo-jetës/jetës me vlerë 4,751,484 mijë lekë);

Për projektin “Ndërtimi i objektit poli funksional dhe infrastrukturës ushtarake, Garnizoni Bërzhitë, Tiranë”, me vlerë 460,738 mijë lekë, nuk është zgjedhur procedura e duhur në përputhje me objektin e prokuruar; në procedurën e prokurimit -Blerje- pajisje për përcaktimin e vendndodhjes së mjeteve te Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë me sistemin global të vendndodhjes/GPS, sensor të matjes së konsumit të karburantit dhe pajisje të tjera në funksion të sistemit fondi limit është llogaritur në mesataren aritmetike zë për zë për të 6 artikujt (pajisjet) të tre ofertave të kërkuara dhe të ardhura nga operatorët ekonomik, veprim në kundërshtim me Rregulloren e Këshillit të Ministrave nr. 4248 prot., datë 16.10.2008.

Në DPSHTRR:  Nga autoriteti kontraktor nuk është marrë parasysh ndarja në lote e procedurave, në rastin kur kontrata përbëhet nga punë të ngjashme, por në adresa të ndryshme, gjë që kërkon angazhim të njëkohshëm në dy kantiere. AK ka vendosur kërkesa, të cilat nuk janë në përpjesëtim me natyrën dhe përmasat e kontratës që do të prokurohet; Operatorët ekonomik fitues nuk kanë paraqitur dokumente, të cilat vërtetojnë se plotësojnë kriteret e përcaktuara në DST; Licencat profesionale NZ të punimeve dhe vlera e punimeve, nuk plotësonin kushtin e përcaktuar në DST, veprime në kundërshtim me VKM-në nr. 42, datë 16.01.2008.

Në FSHZH: AK ka vendosur kërkesa, të cilat nuk janë në përpjesëtim me natyrën dhe përmasat e kontratës; Jo të gjithë kriteret e pjesëmarrjes janë argumentuar teknikisht; AK ka përcaktuar si kriter për shpalljen e ofertës fituese, ofertën “ekonomikisht më të favorshme, bazuar në kosto”, kriter, i cili është i paargumentuar dhe që ka ndikuar në përzgjedhjen e fituesit në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi; Në mënyrë të gabuar, i është ngarkuar një punonjësi të vetëm shqyrtimi i ankesës/ave dhe dhënia e një vendimi; KVO nuk ka bërë verifikimin e plotësimit të specifikimeve teknike nga OE, duke mos vlerësuar drejt shoqëritë pjesëmarrëse në garë.

Në Ministrinë e Kulturës (MK): Për procedurat e konkurimit publik, nuk është parashikuar komisioni dhe mënyra për llogaritjen e fondit limit, në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi; Në llogaritjen e fondit limit nuk ka asnjë preventiv fillestar apo planimetri të objektit dhe se si kanë dalë këto zëra dhe sasitë e secilës prej tyre; janë konstatuar raste kur lidhja e kontratave midis AK dhe OE për punimet e veprave të monumenteve të kulturës është bërë në kushtet e mungesës së lejeve për miratimin e ndërhyrjes nga KKTKM.

Në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve (MAS) u evidentuan:  diferenca në fondin limit të përllogaritur nga MAS ndaj çmimit të përcaktuar nga AKSHI për procedurën “Blerje- pajisje elektronike dhe elektro shtëpiake për konviktet e studentëve Shkodër, Vlorë dhe Korçë”; Veprime të parregullta e fiktive lidhur me marrjen në dorëzim të mobiljeve dhe pajisjeve didaktike për laboratorët fizikë-kimi-biologji, në vlerën 8,598 mijë lekë, pasi mallrat e mësipërm nuk gjendeshin në ambientet e institucionit arsimor;

Shpenzim pa ekonomicitet, eficencë dhe efektivitet në vlerën 46,887 mijë lekë, si rezultat i mospërputhshmërive të konstatuara në kontratat e furnizimit për prokurimet e kryera nga MAS në kuadër të rindërtimit të shkollave nga tërmeti, në 2 procedurat prokurimi: “Blerje pajisje mobilerie për shkollat e Sistemit Arsimor Parauniversitar” si dhe “Blerje pajisje didaktike për laboratorët fizikë-kimi-biologji”.

Në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, Tiranë (DSHQ), rezultoi se dosjet e prokurimeve për të cilat janë përfunduar procedurat përkatëse nuk rezultuan të jenë të numëruara sipas inventarit dhe të arkivuara pranë sektorit të arkiv-protokollit; Procesverbali nr.2 i hapjes dhe vlerësimit të procedurës nuk është bërë në përputhje me kërkesat e nenit12 të ligjit nr. 9643, “Për prokurimin publik” pasi në asnjë prej procesverbaleve, as në raportin përmbledhës nuk janë përcaktuar vlerat e ofertave të ardhura nga operatorët, por janë vendosur vetëm dokumentacioni i sjellë prej tyre.

Pra duket se thuajse në çdo institucion që ka hyrë KLSH ka gjetur parregullsi. Pak ditë më parë u vu në pranga Sekretarja e Ministrisë së Shëndetësisë, por nëse SPAK lexon raportet e KLSH atëherë do ketë shumë sekretarë të tjerë për të hetuar. Pamfleti