Do të trafikonin dy çanta me kanabis drejt Greqisë, dy të arrestuar në Korçë

231
Sigal

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë pasi u kapën duke tentuar të trafikonin lëndë narkotike.

Uniformat blu bëjnë me dije se R. N., 41 vjeç, banues në fshatin Vithkuq, Korçë dhe I. M., 54 vjeç, banues në fshatin Pojan, Maliq u kapën me 21 kg e 500 gr lëndë e dyshuar kanabis.

Po ashtu raportohet se 54-vjeçari I.M., më herët është dënuar për veprën penale “Mbajtje pa leje e armëve dhe municione luftarake”.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Pusteci”.

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Korçë, Policia Kufitare dhe shërbimet e Frontex-it, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Sekuestrohen 21 kg e 500 gr. lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Vihen në pranga 2 shtetasit që u kapën duke tentuar ta trafikonin lëndën narkotike nëpërmjet kufirit të gjelbër me Greqinë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Korçë, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Korçë dhe shërbimet e Frontex-it, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike, si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë policore dhe koordinimit të veprimeve, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Pusteci”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

1. R. N., 41 vjeç, banues në fshatin Vithkuq, Korçë dhe I. M., 54 vjeç, banues në fshatin Pojan, Maliq (i dënuar më parë për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”).

Këta shtetas janë kapur nga shërbimet e Policisë, në afërsi të fshatit Cerje, Pustec, në kufirin e gjelbër me Greqinë, me dy çanta shpine, brenda të cilave u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 21 kg e 500 gr. lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në pako, sasi të cilën këta shtetas po tentonin ta trafikonin në drejtim të Greqisë.

Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.