Sigal

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Dibër, ku një shofer furgoni që transportonte nxënës shkolle, ka dhunuar njërin prej fëmijëve. Mësohet se akti i rëndë është filmuar nga vet nxënësit, të cilët pas ngjarjes kanë denoncuar shoferin në polici. Shoferi i furgonit ka qenë i dehur. Ndëkohë burime nga Ministria e Arsimit pohuan se pasi kishin siguruar videon në fjalë, ia kishin përcjellë atë Ministrisë së Brendshme.

Kaq mjaftoi që të reagonte edhe Ministria e Brendshme për ngjarjen në fjalë. Në një dalje publike zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko tha se tashmë personi që shkaktoi incidentin ndodhet në komisariatin e Dibrës, ndërsa hetimet po vijojnë.

“Ministria e Brendshme është sinjalizuar nga Ministria e Arsimit lidhur me një incident të ndodhur në furgonin, i cili transportonte nxënës në Dibër. Ministria e Brendshme i ka kërkuar menjëherë Policisë të veprojë. Policia ka identifikuar autorin, i cili aktualisht mbahet në ambientet e Komisariatit të Dibrës për të kryer veprimet e para procedurale.

Pas përfundimit të këtyre veprimeve, Policia e Shtetit do të dalë në një deklaratë të detajuar sqaruese për ngjarjen. Ministria e Brendshme nxit Policinë e Shtetit të kryejë të gjitha veprimet ashtu siç e ngarkon ligji. Siguria e qytetarëve vjen e para. Siguria e fëmijëve vjen qëndron mbi gjithçka.
Çdo abuzim ndaj tyre do të ndëshkohet me zero tolerancë. Nxisim gjithashtu qytetaret te denoncojne çdo shkelje ne numrin 112 dhe ne Komisariatin Dixhital. Sheh diçka thuaj diçka!”, tha në deklaratën e saj zv/ministrja e Kuko.