Sigal

Studentët shqiptarë protestojnë jo vetëm për kushtet e jetës studentore, por edhe për rikthimin e vlerave universitare. Gjermania jep ndërkohë 3 milion euro për ristrukturimin e konvikteve në Tiranë.

Nga Deutsche Welle

Protesta e studentëve të Universitetit të Tiranës hyri të enjten  (13.12.2018) në javën e dytë. Të mërkurën studentët protestues kaluan për herë  të dytë natën jashtë, përballë kryeministrisë. Kjo është protesta spontane, paqësore, civile më e gjatë e viteve të fundit në Shqipëri, që nuk drejtohet nga partitë politike fondacione apo shoqata.

Studentët paralajmëruan të martën ( 11.12) shkallëzimin e protestës në grevë urie, nëse qeveria nuk plotësonte kërkesat e saj për uljen e tarifave të studimit dhe përmirësimin e kushteve të studimit dhe jetesës. Por duket se greva e urisë është shtyrë si një mjet ekstrem për më vonë. Në vend të saj studentët po kalojnë natën jashtë, përballë ndërtesës së kryemnistrisë, të mbështjellë me batanije që ua sjellin qytetarët e Tiranës, bashkë me ushqime, në shenjë solidariteti me protestën e tyre. Kryeministri Rama vazhdon me këmbëngulje, përmes medias sociale, t’i ftojë të bisedojnë dhe dialogojnë, kudo dhe ku duan ata. Por studentët  kanë refuzuar, deri tani, ftesën e tij me të njëjtën këmbëngulje.

Studentët nuk duan ndërhyrje të politikës

Fabio Dukagjini, student në vitin e  tretë të Inxhinjerisë Elektrike, në Universitetin Politeknik të Tiranës, thotë për DW, arsyet e refuzimit  të dialogut: „Le të na plotësojë kërkesat, pastaj bisedojmë. Nuk besojmë, deri tani nuk ka bërë asgjë për ne. Përballë tij mund të për?ahemi. Mund të ndërhyjë politika. Protestën tonë nuk e drejton askush, komunikojmë me njëri-tjetrin me whatsapp dhe rrjetet sociale, kemi dëbuar të rinj dhe të reja nga forumet rinore të partive që vijnë në protestë duke u hequr si studentë, ” thotë Fabio Dukagjini.

Ai thotë se studentët janë të shqetësuar për ndërhyrjen e politikës. “Nuk pranojmë të na përdorin për qëllimet e tyre politike. Të gjitha qeveritë  dhe partitë, edhe këto që janë sot në opozitë dhe duan të jenë pjesë e protestës sonë, i kanë harruar krejt studentët, për breza me radhë, na kanë lënë në mjerim, nuk kanë bërë asgje për studim dhe jetese normale. Jemi të vendosur të vazhdojmë protestën pa u drejtuar prej askujt”. thekson Fabio Dukagjini.

Në kërkesat e studentëve protestues përfshihet dyfishim i fondeve për universitetet publike, mundësi më të mira financiare për kërkim dhe eksperimentim, përfaqësim më i mirë i studentëve në bordet administrative.

Gjermania – 3 milionë euro për ristrukturimin e qytetit “Studenti”

Qeveria miratoi të mërkurën,( 12.12) një marrëveshje financimi me qeverinë gjermane, përmes Bankës gjermane KfW për programin e rehabilitimit të konvikteve të Universitetit të Tiranës, qytetit „Studenti”me një grant prej 3 milion  eurosh.

Por përtej kushteve të jetesës dhe studinit studentët protestojnë për rikthimin e vlerave universitare, përjashtimin nga sistemi i lartë arsimor i pedagogëve të korruptuar, abuzues, të paaftë, militantë të partive që bëjnë rotacionin e pushtetit. Në thelb të kërkesave të tyre është ndërtim i një arsimi të lartë që t’u japë dije për të konkurruar në tregun e punës dhe siguruar punësim dhe të ardhme, gjë që sistemi aktual ka dështuar ta bëjë.

Shkaqet e revoltës

Një nga shkaqet kryesore të largimit masiv të rinisë nga Shqipëria është pakënaqësia nga arsimi i lartë, ku kombinimi i korrupsionit, nepotizmit, mungesës së meritokracisë prioritetit të përkatësive partiake dhe jo profesionalizmit ne stafet pedagogjike me neglizhencën e qeverive për të ndryshuar situatën, kanë shkaktuar shpërthimin e tanishëm të revoltës dhe zemërimit të studentëve dhe kërkesës së tyre për ndryshim.

Kryeministri Rama pranon situatën e rëndë, ku është katandisur arsimi i lartë në Shqipëri dhe kërkon të dialogojë me studentët që lëvizja e tyre të mos mbetet në plotësim kërkesash për përmirësim infrastrukture, por të shndrrohet në një katalizator ndryshimesh në përmbajtjen e arsimit të lartë dhe vlerave universitare.