Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Elbasanit pasditen e djeshme, ku një grua u gjet e pajetë në ujërat e lumit Shkumbin. Viktima, e identifikuar si D. B., rreth 55 vjeçe, rezulton të ketë qenë prej kohësh e strehuar në strehëzën e shëndetit mendor të femrave, strukturë që varet nga Spitali Psikiatrik dhe ndodhet pranë Qendrës Sociale Balashe.
Autoritetet policore bënë të ditur se viktima vuante nga probleme të shëndetit mendor, ndërsa largimi i saj nga qendra dhe rrjedha e mëvonshme e ngjarjes janë tashmë objekt i një hetimi të plotë.
Ndërkohë, ngjarja ka ngritur pikëpyetje mbi masat e sigurisë dhe kujdesin ndaj personave të strehuar në këto institucione, duke rikthyer në vëmendje nevojën për monitorim më të rreptë dhe mbrojtje më të mirë të personave me probleme të shëndetit mendor.




















