Denoncimi/ Ndihma ekonomike u hiqet nevojtarëve për t’ia kaluar militantëve të PS

88
Sigal

Administratorët e Ndihmës Ekonomike të Bashkisë së Vau të Dejës, në një rast të paprecedent, kanë nisur largimin e familjeve në nevojë nga skema ekonomike, duke i zëvendësuar me militantë të Partisë Socialiste. Partia Demokratike e denoncon me forcë këtë veprim kriminal në prag të festave të fundvitit. Kështu, dhjetëra familjeve do t’u duhet të kalojnë natën e ndërrimit të viteve edhe pa atë lëmoshë që u jepte shteti deri dje. Ky abuzim bëhet edhe më i rëndë nga fakti, se ndihma ekonomike u hiqet nevojtarëve për t’u kaluar militantëve të Rilindjes, kalon nga duart e shtrira të të varfërve te duart e gjata të patronazhistëve. Persona antinjerëzorë e antishqiptarë disa prej të cilëve prej vitesh jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Ky shpërblim u bëhet nga partia, sepse janë pjesë e grupeve të manipulimit të votës, mercenarë që po përgatisin skemat e vjedhjes së zgjedhjeve më 14 Maj. Kjo skemë është një kambanë alarmi për institucionet e drejtësisë, të cilët duhet të dënojnë personat përgjegjës të këtij abuzimi me ndihmën ekonomike për Bashkinë Vau i Dejës, duke filluar nga drejtuesit e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social në Shkodër, të cilët duhet të kontrollojnë çdo familje që përfiton ndihmë ekonomike. Kjo është një skemë e paramenduar me qëllime të patronazhimit politik. Por varfëria nuk pyet për politikë dhe me përfituesit e ndihmës ekonomike nuk duhet të bëhen pazare politike. Ky është një rekord i ri, turpi i qeverisjes vendore dhe qendrore të Rilindjes. Prerja e një lëmoshe në prag të festave është një akt çnjerëzor. Jo vetëm ky abuzim, por edhe shumë të tjerë të kësaj bashkie, do ta gjejnë përgjigjen e merituar më 14 maj, kur populli i Vaut të Dejës, dhe gjithë Shqipërisë, do t’i thotë ndal bandës në pushtet, që për vete vjedh milionat, dhe patronazhistëve ju hedh thërrimet që u heq nga goja të varfërve.