Sobat i blen drejtoria, drutë bashkia! Koshat i blen drejtoria, fshesat bashkia!

481
Vazhdon absurdi në shkolla
Ka një absurd që po vazhdon në sektorin e arsimit. Nuk ka lidhje me cilësinë e mësimdhënies, as me modelet, as me tekstet që përzgjidhen apo me përzgjedhjet dhe emërimet e mësuesve që bëhen në shkollat e sistemit mësimor para-universitar nëpërmjet portalit, por me pajisjet dhe bazën materiale, që përdoren për shërbimet e detyrueshme në shkolla! Gjatë bisedës me një drejtor shkolle, mësuam një praktikë absurde që zbatohet në arsim lidhur me pastrimin dhe ngrohjen në shkolla por edhe për shërbime të tjera! Problemi i ngrohjes me dru zjarri në shkolla, realizohet nga dy “pushtete”: Nga drejtoritë arsimore dhe nga bashkitë. Drejtoritë arsimore varen nga pushteti qendror, ndërsa bashkitë janë pushteti lokal! Furnizimin e shkollave me dru për ngrohej e kanë kompetencë dhe e realizojnë bashkitë. Ndërsa pajisjen e shkollave me soba kanë kompetencë dhe e realizojnë drejtoritë ekonomike të arsimit. Mjafton që njëri prej këtyre dy pushteteve të mos zbatojë detyrimin dhe nxënësit në shkolla mbeten pa soba ose pa dru zjarri! Ky absurd furnizimesh nga dy pushtete për një shërbim në shkolla, nuk ndodh vetëm me sobat dhe drutë e zjarrit, por edhe me pajisje e materiale të tjera. Konkretisht, legenët dhe kovat i siguron bashkia, ndërsa leckat e pastrimit i siguron drejtoria e arsimit! Koshat e mbeturinave i siguron drejtoria e arsimit, ndërsa fshesat i siguron bashkia! Dritaret dhe dyert i vendos bashkia, ndërsa bravat dhe xhamat i vendos drejtoria arsimore! Këto “çudira” ndodhin edhe në kopshtet dhe qendrat kulturore të fëmijëve e në konviktet e nxënësve, ku njeri bën furnizimin me patate, tjetri me bukë, njeri çon pjatat e kazanët e gjellës, tjetri çon lugët dhe tepsitë e kështu për çdo gjë… 

P. HALILI
Sigal