Dëmtohet ura që lidh Skurrajn me Shkopetin, banorët: Mbahemi nëpër kavo, rrezikojmë të biem poshtë

151
Sigal

Fshatrat Skurraj dhe Shkopet lidhen përmes kësaj ure pasarelë.

Gjatë këtij dimri ajo është dëmtuar. Rruga që lidh dy fshatrat është shumë e gjatë, ndaj rreth 25 vite më parë u ndërtua kjo urë.

Tani që është dëmtuar banorët kanë frikë se ju rrezikohet jeta.

Për të mos rënë në lumin Mat, ecin duke u mbajtur nëpër kavo.

“Këtu ka shumë rrezik se dimri është i fortë dhe ka për ta hedhur urën. Skurraj është fshat turistik dhe këtu ka vite që vijnë turistë të huaj. Në këtë urë bëjnë dhe video-klipe për dasma për fejesa.”

“Kalohet me shumë vështirësi, mund të biesh poshtë. Lidhen dy fshatrat dhe varrezat.”

“Rrezikohen moshat e treta, se kalojnë shumë. S’është vetëm për ne, por dhe për turistët që duan të eksplorojnë natyrën. Jemi dhe një ndër 100 fshatrat turistikë.”

Disa vite më parë ura është rikonstruktuar nga banorët e kësaj zone. Banorët thonë se nuk kanë më mundësi ekonomike që ta riparojnë sërish dhe kanë kërkuar ndihmën e Bashkisë së Kurbinit.

“Kemi bërë kërkesë dhe në Bashki, për të rregulluar urën. Nuk na ka marrë parasysh.”

Ura pasarelë i është nënshtruar dy herë rikonstruksionit, në vitin 2014 dhe në 2017 nga organizata jofitimprurëse, nga komuna dhe nga vetë banorët.