Deklaratë e drejtoreshës së gjimnazit, znj. Teuta Dobi

3043
Sigal

Nisur nga publikimet e bëra së fundi në mediat online, ndjej nevojën e sqarimit të opinionit publik.
Kam rreth 23 vite karrierë si mësuese në arsimin e mesëm, në disa prej gjimnazeve kryesore të Tiranës. Gjatë gjithë kësaj kohe jam përpjekur me të gjithë përkushtimin tim në rritjen e nivelit arsimor të nxënësve dhe realizimin e objektivave që ata kanë. Ata që më njohin, e dinë se për mua, procesi mësimor ka qenë dhe është i shenjtë.
Me përkushtimin e punës sime si mësimdhënëse, kam ndërmarrë drejtimin e një prej gjimnazeve më të rëndësishme të Tiranës. Ky është një privilegj, por në të njëjtën kohë, një përgjegjësi e madhe karshi nxënësve, prindërve të tyre dhe gjithë shoqërisë.
Detyra ime si drejtuese e një institucioni arsimor, në bazë të ligjit për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë, është drejtimi dhe garantimi i mbarëvajtjes së procesit mësimor në institucionin të cilin drejtoj. Përgjatë gjithë kohës, ashtu edhe në ditët e fundit, i jam përgjigjur këtij detyrimi ligjor dhe cilitdo detyrimi që ma kërkojnë ligjet në Republikën e Shqipërisë.
Përvec detyrimeve ligjore, si drejtuese e një institucioni arsimor unë kam edhe detyrime morale karshi nxënësve të mi dhe prindërve të tyre. Zotimi im tek ta ka qenë garantimi i një procesi mësimor sa më cilësor dhe të pandikuar nga faktorë të jashtëm. Fëmijët janë në shkollë për t’u arsimuar dhe për t’u formuar si pjesëtarë të denjë të shoqërisë. Duke u nisur nga kjo, cdo ndikim tek ata, nga elementë jashtë institucionit arsimor, cdo organizim i bërë pa dijeninë e prindërve, është i papranueshëm dhe në kundërshtim me ligjin për Arsimin Parauniversitar, ligjin për të drejtat e fëmijëve dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Dua të garantoj prindërit dhe nxënësit e mi, që me të njëjtin përkushtim, do të vazhdoj të përpiqem për mbarëvajtjen e procesit mësimor, i cili sic e përmenda më parë, për mua është i shenjtë, në respekt te detyrimeve ligjore dhe zotimit moral që kam bërë tek ta!