Çet Kastrati dhe një përgjigje për Kreshnik Spahiun

440
Sigal

Kreshnik Spahiu, i Aleancës Kuq e Zi, tashmë në rolin e publicistit apo qytetarit që reagon ndaj fenomeneve të ndryshme, sot është rekur të na tregojë se cilat janë dy meritat e mëdha të biznesmenit shqiptar, Shefqet Kastrati.

Njeriut që në fakt ka kapur gjithçka në Shqipëri. Ndërtimet, aeroportet, rrugët, karburantin, e gjithçka tjetër.

Por, ne si media duke pasur një qasje pro biznes, po i sjellim një përgjigje Kreshnikut, për dy të mirat dhe bëmat e tjera të Shefqet Kastratit.

Së pari, Kreshniku na thotë se Shefqet Kastrati bëri një punë të madhe patriotike duke blerë aeroportin e Rinasit, nga kinezët.

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politikeNë fakt, Rinasin e kishin gjermanët, e blenë kinezët, dhe në një treg të hapur global mund ta bëjnë italianë, francezët, shqiptarët e çdo kush tjetër.

Gjithkush që mund të kishte një biznes-plan, dhe llogariste fitimin.

Sipas të dhënave konfidenciale, Aeroporti i Rinasit, për kohën e dhënë me koncesion, do t’i sjellë Shefqet Kastratit rreth 500 milionë dollarë fitim, përgjatë periudhës koncesionare. Duke shtuar këtu edhe faktin se periudha u zgjat për gati nëntë vite në momentet e fundit kur do ta merrte koncesionin, Zoti Kastrati.

Pra, Kreshnik Spahiu duhet të mësojë se Shefqet Kastrati nuk e ka blerë për sport dhe për patriotizëm, por e ka blerë për të fituar 500 milionë dollarë.

Së dyti, Kreshnik Spahiu thekson se ndërhyrja e bërë nga ky biznesmen dhe blerja e aeroportit të Rinasit, ka ulur çmimet e biletave në treg.

Në fakt, nuk është Shefqet Kastrati që ul çmimet e biletave të avionit, në treg. Por, janë fluturimet.

Aeroporti i Rinasit, për shkak të pandemisë po pësonte krizë. Dhe futja e operatorëve si Wizz Air, bëri që të uleshin çmimet.

Është një operator që nuk fluturon vetëm në Tiranë, por kudo në Europë. Ka edhe të tjerë që kanë çmime edhe më të ulëta, si Ryan Air, të cilat nuk kanë ardhur ende në Shqipëri.

Tregu i hapur, konkurenca ul çmimet.

Pra, është konkurenca, është kompania hungareze Wizz Air, që ka ulur çmimet, pasi ka hyrë në tregun shqiptar. Nuk është Shefqet Kastrati, ai që ul çmimet.

Mjafton të themi një fakt.

Le ta ulë çmimin në Rrugën e Kombit, tek trau, aty ku paguhet 5 euro. Meqë është kaq patriot dhe nuk i duhen paratë.

Për më tepër çmimet që ka Aeroporti i Rinasit, si taksa dhe tarifa përpunimi janë më të lartat në rajon, për të mos thënë më të lartat në Europë.

Pra, të dyja tezat e Kreshnik Spahiut bien poshtë.

Të mos shkojmë më tej pastaj, për të parë të mirat që na ka sjellë ky biznesmen.

Biznesi në fakt mbush xhepat e tij, por për të qënë pro kapitalizmit nuk mjafton të jesh “lakuriq”. Duhet që gjërat t’i shohësh përballë dhe gjithçka ta thuash ashtu siç duhet.

Pra, Rinasi nuk i uli çmimet për shkak se e bleu Shefqet Kastrati. Ai do fitojë qindra miliona dollarë dhe çmimet i kanë ulur kompanitë e fluturimeve.

Më tej, duke i parë përballë ato që do të shikojë Kreshnik Spahiu, mjafton që të shikojë kullat me 40 kate. Mjafton të shikojë betonet që hidhen rreth e rrotull Sheratonit, kullat që po ndërtohen, parkingjet. Diku thuhet se nuk ka as leje ndërtimi.

Mjafton të shohim kullat pa fund, kazinotë, por edhe si po i “ha” Kodrat e Liqenit.

Mjafton të shikojmë monopolin në tregun e naftës. Mjafton të shikojmë Rrugën e Kombit.

Tregu është treg. Biznesi është biznes. Por, atje ku ka zullume, nuk ka më biznes. Atje ka shfrytëzim në maksimum të taksave që vinë nga shqiptarët. Ka shfrytëzim në maksimum të benefiteve që vinin nga lidhjet e biznesit me Qeverinë, e cila përdoret për të pasuruar xhepat e individëve si Shefqet Kastrati, ku përflitet se qarkullojnë paratë edhe të shumë politikanëve./CNA.al