Cërriku në karantinë, Kryebashkiaku Servet Duzha apel për vëmendje dhe ndihmë

699
Sigal

Problemet sociale në këtë qytet janë të dukshme, aq sa listat në markete dhe furrat e bukës nuk kanë të sosur

nga Artan PAJA

Me kot kërkon ti mes pluhurit

o dorë e gjorë

qyteti ka vdekur

ka vdekur

e fundmja oshëtimë u fashit në zemër të navilios

dhe bilbili ra nga antena lart mbi manastir

ku pat’ kënduar para perëndimit

mos hapni më puse nëpër oborre

te gjallët s’kanë më etje

mos i prekni të vdekurit, të skuqurit,të mavijosurit,të buhaviturit

lërini në truallin e shtëpive të tyre

ka vdekur qyteti

ka vdekur…

Këto ishin vargjet e Salvador Kuazimodos, i cili edhe pse e ka krijuar poezinë në vitin 1943, sërish ato mbeten të gjalla në realitetin e sotshëm shqiptar. Cërriku, një qytet i ndërtuar 60 vjet më parë, duket se është shndërruar në një karantinë, ku banorët nuk dinë më nga do t’i vijë e keqja ose e mira. Kjo pasi varfëria, papunësia, skamja dhe shpresat janë shumë komplekse dhe qytetarët e saj ndjehen mjaft të dëshpëruar. Problemet sociale në këtë qytet janë të dukshme, aq sa listat në markete dhe furrat e bukës nuk kanë të sosur. Ndonëse qyteti shtrihet në një gjeografi mjaft shpresëdhënëse, pasi është i rrethuar nga dy lumenj siç është Devolli dhe Shkumbini, sërish bujqësia, blegtoria dhe pemëtaria janë për të ardhur keq. Klima mesdhetare është shumë favorite në këtë qytet, por deri më tani askush nga qeveritë dhe politikanët nuk e ka kthyer kokën nga këta banorë. I ndërtuar në 20 nëntor të vitit 1952, Cërriku nuk u identifikua kurrë se çfarë “misioni” do të kishin qyteti dhe banorët e tij, pasi shumë shpejt aty u internuan anëtarët e byrosë politike, si Liri Belishova dhe Dilaver Poçi, për të vazhduar më pas me familjen e ish-kryeministrit Mehmet Shehu,etj.. Me këtë rast, banorët e saj pa u kuptuar u shndërruan në instrumente të atij sistemi, duke qenë vigjilent për ç’do hap të të internuarve politikë. Pas viteve ‘90, Cërriku sërish do të përdorej, teksa aty kandiduan “kupolat” e qeverisë siç ishte ish- Presidenti, Rexhep Mejdani dhe një mandat më pas ish- Kryetari i Parlamentit dhe ish zv/Kryeministri Namik Dokle. Në të dyja rastet, Cërriku dhe banorët e saj nuk vërejtën asnjë ndryshim, social, kulturor apo zhvillimor. Gjithçka i përkiste emocioneve të kohës, militantizmit dhe mentalitetit. Ndërsa sot, kur më tepër se kurrë mbetet shumë për të dëshiruar, teksa 1 vit më parë u dogj edhe shtëpia e kulturës, dikur e quajtur kinoklubi “Ptoleme Xhuvani”. Me gjithë përpjekjet dhe sensibilizimin e autoriteteve lokalë, sërish askush me targa TR nuk ka mbërritur në këtë qytet (përveçse ato të zgjedhjeve të 23 qershorit).

Kryebashkiaku

Kryetari i Bashkisë së Cërrikut, Servet Duzha i bën apel për vëmendje dhe ndihmë Prefekturës së Qarkut Elbasan, por edhe Ministrisë së Kulturës dhe Qeverisë të kthejë sytë nga ky qytet, i cili njihet mjaft dhe gjerë për talentet që kanë spikatur ndër vite në Cërrik. Ndonëse Kryebashkiaku Duzha është pjesë e të djathtës në një “bastion” të majtë, sërish qytetarët e Cërrikut e kanë vlerësuar këtë si një Kryetar të të gjithëve, duke e etiketuar shpesh edhe si një kryetari bashkisë më popullor që ka njohur ndonjëherë Cërriku. “Jemi dhe mbetemi në pritje të një sinjali pozitiv për të rikthyer kinemanë e qytetit në një institucion kulturor dhe artistik dhe për këtë kemi kërkuar ndihmë në organet përkatëse. Ashtu si dhe në shumë qytete të tjera të vogla të Shqipërisë, edhe në Cërrik të gjithë po përballemi me sfida, të cilat vështirësojnë tej mase normalitetin e jetesës së gjithsecilit. I ftoj qytetarët e Cërrikut, por edhe rrethinat përreth të na mirëkuptojnë për këtë kohë të vështirë, ku si rrallëherë duhet të gjejmë forcë dhe durim për ta çuar të keqen në planin numër dy”, ka thënë kryebashkiaku i Cërrikut, Servet Duzha. Gjithsesi, gjatë muajit nëntor, bashkia dhe qytetarët e Cërrikut do të manifestojnë në mënyrë simbolike para kinemasë së djegur, kohë në të cilën është edhe festa kur ky qytet do të kujtoj 61-vjetorin e krijimit të tij.