Tefik Osmani/ Durmreja ka lumenj nafte, italianët e zbuluan qysh në 1932. Kjo zonë e harruar, “fsheh” miliarda dollarë

755
Sigal

Zona e harruar prej vitesh nga të gjitha qeveritë ajo e Dumresë në Elbasan, ka shanse të marrë një zhvillim marramendës dhe kjo pasi një kompani amerikane ka zbuluar se nëntoka atje ka rezerva të  paparashikueshme nafte. Por duhet thënë se, ishin fillimisht dy kompani italiane që pas disa shpimeve sporadike, zbuluan puset e para me naftë në Dumre qysh në vitin 1932. Por 1 vit më parë, kompania amerikane, ka njoftuar qeverinë Shqipëtare se, “në Dumre ka gjasa të ketë mbi 5 miliardë fuçi nafte” dhe kjo padyshim mbetet një mrekulli. Sipas burimeve zyrtare mësohet se, “vetëm dy vjet më parë Sky Petrolium INC, kompani nafte me qendër në Austin Teksas SHBA, ka bërë të ditur se ka zbuluar deri në 1 miliard fuçi nafte në zonën e Dumresë që në të vërtetë është vetëm një nga tre brezat e kërkimit”. Zbulimi është kryer duke mbajtur parasysh edhe studimet e mëparshme në këtë zonë. Në fakt, deri në vitin 1997 në zonën e Dumresë janë kryer dhjetëra kërkime për naftë. Por thellësia e shpimeve nuk ka shkuar më shumë se 5 mijë metra. I vetmi pus që u shpua rreth 8 mijë metra është ai që ndodhet në fshatin Xibrakë të Shalsit. Një nga punëtorët e kësaj platforme, Abedin Sallja, shprehet se ka punuar rreth 6 vjet në këtë pus. Sipas tij, gjatë shpimeve ka dalë disa herë gaz dhe më në fund specialistët u larguan duke lënë enigmë se çfarë u zbulua në këtë vend. “Këtu në Xibrrakë ka qenë një kantier i vërtetë. Fillimisht e kishim ne dhe shpuam deri në 6400 metra. Hasëm në gaz, por jo në gurë gëlqerorë. Më pas erdhi një firmë e huaj çeke më duket. Ajo bëri shpime të tjera, pasi solli aparatura të fundit. Mbaj mend që ka ardhur edhe Kryeministri i atëhershëm Meksi që ka parë nga afër punimet. Mendoj se kompania e huaj arriti në naftë, por nuk di se si në një kohë kur punimet vazhdonin ajo i ndërpreu, vulosi pusin dhe u largua. Që atëherë ky pus që ka ende hekurin e shpimit nga firma e huaj vazhdon të jetë i bllokuar. Unë mendoj se ata hasën në naftë, por ndoshta nuk ranë në marrëveshje dhe u tërhoqën duke e bllokuar pusin”. Ai mendon se nëntoka ku banon është e pasur me naftë dhe se zbulimi i kësaj sasie do të sillte dobi për komunitetin. “Mund të shpohet më tej këtij pusi të vulosur. Me aparaturat që janë sot mund të gjendet shumë naftë. Dumrea ka naftë dhe kjo është e vërtetuar në Pekisht ku vazhdon të nxirret. Ne e mirëpresim pasi kështu mund të punësohemi. E gjithë zona është mjaft e interesuar për çdo studim apo shpim që bëhet këtu”. Punëtori që për 5 vite është paguar mirë dhe shpreson në një rikthim thotë se në këtë zonë ishte vendosur një kantier i vërtetë dhe se puna vazhdonte me turne. Firmat e huaja sipas tij kishin aparatura e teknologji të avancuar, ndërsa shqiptarët jo. Mendohet se në këtë pus të vulosur është zbuluar naftë, pasi në të kundërt kompania nuk do ta kishte vulosur në këtë formë. Të gjithë banorët e zonës janë të bindur se në Xibrrakë të Shalsit qarkullon ar i zi. Ata presin me padurim që të fillojnë punimet. Shpresojnë në punë, në naftë më të lirë dhe në zhvillim të biznesit me zbulimin e naftës. Ata ndjekin me vëmendje çdo lajm që jepet për zonën e tyre. Në qytezën e Belshit e ndodhur në një natyrë të privilegjuar banorët komentojnë në mënyra të ndryshme studimet që lexojnë në shtyp për naftë në territorin e tyre, por të gjithë janë të mendimit se në Dumre ka naftë dhe në sasi të mëdha. Kryetari i Bashkisë së Belshit, Arif Tafani, shprehet se Dumreja është zonë naftëmbajtëse, pasi kufizohet me Kuçovën. Sipas tij, në këtë zonë janë kryer mjaft kërkime dhe të gjitha të dhënat të çojnë në përfundimin se këtu ka rezerva nafte. “Aktualisht në zonën e Dumresë ka puse në shfrytëzim në fshatin Pekisht. Puset janë shpuar qysh në vitet ‘30-të nga kompanitë italiane. Para 10-12 vjetësh janë bërë kërkime në Shalës dhe thuhet se janë gjetur sasi nafte. Këtë fakt e mbështet edhe shtrirja gjeografike e Dumresë që është në verilindje të zonës së Kuçovës në zonën me rezerva të mëdha të naftës në Shqipëri. Sigurimi dhe shfrytëzimi i rezervave të zonës do të ishte në interes të kësaj zone. Dimë që i është dhënë për testim dhe kërkim një kompanie kanadeze, por me ne nuk është kontaktuar ende. Sigurisht ka mënyra të ndryshme nëpërmjet të cilave mund të zbulohet siç janë ato nga ajri”. Tafani kujton puset në funksion për të rikonfirmuar se zona e Dumresë është naftëmbajtëse. “Në 2-3 fshatra të kësaj zonë ka më shumë se 40 vjet që nxirret naftë. Në fshatin Rrasë dhe Pekisht vazhdojnë të punojnë puse që janë ngritur që në vitin 1967”. Kreu i Bashkisë thotë se mirëpritet një studim të tillë dhe e gjithë zona ka në qendër të vëmendjes çdo projekt, pasi do të thotë zhvillim punësim dhe mirëqenie për banorët e Dumresë. Vendosëm t’i shikojmë nga afër 4 puset që ende funksionojnë prej kaq shumë vjetësh. Megjithëse në një teknologji të amortizuar nga këto puse vazhdon të nxirret mbi 1 mijë litra në muaj. Punëtori i Albpetrol, Isa Çulhai, shprehet se këtu puse janë shpuar vetëm në 1200 m thellësi e megjithatë burojnë naftë. Ai tregon se sipas gojëdhënës në këtë territor kalon një lumë nafte, por që ende nuk është zbuluar.