Bursa Shqiptare e Titujve çel zyrtarisht aktivitetin

524
Bursa Shqiptare e Titujve ALSE çeli zyrtarisht aktivitetin e saj në tregtimin e Titujve të Qeverisë (bono thesari dhe obligacione thesari) në tregun zyrtar të Bursës ALSE. Përmes një njoftimi për shtyp ALSE u ka bërë me dije subjekteve të interesuara për të tregtuar (blerë apo shitur) tituj të qeverisë para afatit të maturimit, se mund t’i paraqesin kërkesat dhe ofertat e tyre në platformën elektronike të tregtimit, vetëm nëpërmjet Bankave apo Firmave të Brokerimit, që janë të anëtarësuara pranë këtij tregu zyrtar. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare licencoi Bursën Shqiptare të Titujve në 3 korrik të vitit të kaluar duke qartësuar se fillimisht ajo do të tregtojë në vitin e parë të aktivitetit vetëm titujt e qeverisë ndërkohe që në një moment të dytë aktiviteti i saj mund të zgjerohet edhe me instrumente të tjera. Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE” sh.a. është një shoqëri aksionare, me tre aksionarë themelues: Banka Credins sh.a., me 42.5% të kapitalit, Banka Amerikane e Investimeve sh.a. me 42.5% të kapitalit dhe shoqëria AK Invest sh.a. me 15% të kapitalit. Në thelb të aktivitetit të ALSE është ushtrimi i veprimtarisë si bursë e titujve, për tregtimin e titujve dhe instrumenteve të tjerë financiarë, realizimi i një platforme tregtimi shumëpalëshe, edukimi, promovimi dhe dhënia e informacionit për grupet e interesuara lidhur me veprimtaritë e tregut të kapitalit, aktivitetin e emetuesve të titujve të listuar në bursën e titujve dhe aktivitetin e anëtarëve të bursës së titujve. Nga detajet që janë dhënë hap pas hapi shoqëria “Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE” sh.a. përdor sistemin elektronik të quajtur “Quick Trade”, sistem, i cili përdoret edhe nga Bursa e Lubljanës në Slloveni, si edhe nga Bursat e Shkupit, Sarajevës, Banja Lukës dhe Malit të Zi. Ky sistem mund të kryejë deri në 100,000 transaksione në ditë. 
Sigal