Mustafa Nano: Nuk më inspiron fjalimi i Bushatit, oligarkët janë të të gjithëve!

588
Sigal

Ditën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë, u bë një debat që tërhoqi vëmendjen e shumë vetëve dhe u pasqyrua nga media të ndryshme. Ishte një debat midis dy pjesëtarëve, që janë pjesë e së njëjtës maxhorancë.

Ishte një debat mes Taulant Ballës dhe Ditmir Bushatit. Ditmir Bushati në një moment të caktuar, kërkoi fjalën dhe bëri një denoncim të fortë që ka për tu regjistruar në historinë e Partisë Socialiste.

Ai denoncoi fort me një gjuhë të qartë opozitare, bëri një denoncim që e kanë bërë shumë të tjerë, nga jashtë PS.

Denoncoi një lidhje, një flirt mes maxhorancës dhe oligarkisë shqiptare.

Pas tij e mori fjalën Taulant Balla, i cili bëri të gjithë përpjekjet e tij për të marrë nën kontroll dhe për të limituar dëmet e kësaj ndërhyrjeje të fortë të bërë nga Ditmir Bushati.

Balla iu përvesh Bushatit ashtu siç di Balla.

Ai gjatë gjithë kohës iu referua Bushatit si kolegu kolegu…kolegu… papritur Bushati u shndërruar në një njeri pa emër.

Ky është një sinjal i keq. Për mua leximi që i bëj kësaj situate është që ditët e Bushatit në PS dhe në politikën shqiptare janë të numëruara.

Ai në fund të kësaj legjislature e mbyll karrierën e tij politike, dhe duhet të mendoj që tani të hapë një kapitull jo më të natyrës politike, ose nëse e ka të natyrës politike, jo më brenda PS.

Balla i kujtoi kolegut të vet edhe kohët kur Bushati ka qenë anëtar i kabinetit të Ramës dhe këtë kujtesë e bëri për të evidentuar faktin që Bushati sa kohë ishte Ministër gojën e mbante të kyçur, dhe në këtë pikë Balla ka të drejtë.

Unë jam 100 % dakord me Ballën por këtij argumenti do t‘i kthehem më pas. Në fund Bushati i bëri një paralele me Grida Dumën dhe ky është një sinjal i qartë, dhe mesazh për të gjithë deputetët e tjerë të PS. Mesazhi ishte: Kush ngre zërin i shërben opozitës!

Në fakt ishte një mesazh i tepërt sepse askush brenda Partisë Socialiste nuk e ka në plan të ngrejë zërin sepse të gjithë e dinë që tani është vonë.

Sepse të gjithë e dinë që nëse ngrenë zërin, e vetmja gjë që do arrijnë do të jetë të djegin vetveten, sic po e djeg Bushati, të cilin sot nuk po e mbron njeri.

Nuk ka asnjë njeri të interesuar që ta mbrojë. Me Bushatin po ndodh ajo që ka ndodhur me Blushin përpara ca kohësh, dhe ka ndodhur edhe nëpërmjet kontributit të Bushatit.

Bushati atëherë ka qenë i rreshtuar me masën e madhe, që nuk e ngriti zërin, nuk i doli në mbrojtje Blushit, sado që Blushi po bënte kritika, po bënte atë që po bën Bushati sot.

Ka njerëz që inspirohen shumë nga Bushati. Mua Bushati nuk më inspiron shumë, sepse mendoj që motivimet e tij nuk janë të fisme në kritikat që bën.