BSH: Të rriten pagat, kursi do të stabilizohet

559
Banka e Shqipërisë vlerëson se përmirësimi ciklik i ekonomisë do të mundësojë një rritje graduale të rrogave
Banka e Shqipërisë i kërkon qeverisë të rritë pagat, duke vlerësuar se janë krijuar kushtet ekonomike. Guvernatori i Bankës Qendrore, Gent Sejko, tha dje në një deklaratë për shtyp se ekonomia shqiptare vazhdon të lëvizë në një trajektore rritëse. “Kjo ecuri është ndihmuar nga përmirësimi i mjedisit të jashtëm, nga rritja e besimit në ekonomi, si dhe nga një mjedis financiar i brendshëm stimulues, i karakterizuar nga norma të ulëta interesi dhe nga prime të reduktuara rreziku. Ndërkohë, inflacioni mesatar i tremujorit të dytë ka shënuar rënie nga vlera e regjistruar në tremujorin e pare”, u shpreh guvernatori, duke analizuar zhvillimet e periudhës prill-qershor. Për Bankën e Shqipërisë, rritja e aktivitetit ekonomik ka qenë disi më e lartë se pritjet, ndërsa vlera e inflacionit ka qenë disi më e ulët.

Banka Qendrore vlerëson se ekonomia shqiptare ka shënuar rritje në gjashtëmujorin e parë. Sipas të dhënave të INSTAT-it, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 3.9% në tremujorin e parë, duke pasqyruar kontributin pozitiv të pothuajse të gjithë sektorëve dhe degëve përbërëse të tij. Të dhënat e tërthorta të disponuara sugjerojnë një rritje pozitive, ndonëse në moderim të lehtë, edhe në tremujorin e dytë. “Konsumi dhe investimet private kanë vijuar të rriten në gjysmën e parë të vitit, si rrjedhojë e kushteve të favorshme të financimit, e përmirësimit të besimit në ekonomi, e rritjes së punësimit, si dhe e vijimit të flukseve të larta të investimeve të huaja direkt”, u shpreh Sejko. Sipas tij, politika fiskale ka prodhuar një stimul pozitiv. “Ndonëse kjo politikë ka ruajtur kahun e saj konsolidues edhe në gjashtëmujorin e parë të vitit, çka është reflektuar në vlera pozitive të balancës buxhetore, intensiteti i konsolidimit fiskal shfaqet më i ulët krahasuar me një vit më pare”, vlerësoi shefi i BSH-së. Sipas tij, përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve tregtare ka reflektuar koniunkturën e favorshme ndërkombëtare, rritjen e vëmendjes ndaj Shqipërisë si destinacion turizmi, si dhe përmirësime strukturore në zinxhirin e nxjerrjes, të përpunimit dhe të tregtimit të naftës në vend. Inflacioni i tremujorit të dytë shënoi një vlerë mesatare prej 2.0%, duke ardhur në rënie kundrejt vlerës mesatare prej 2.4% të tremujorit paraardhës. Rënia e inflacionit në këtë tremujor është ndikuar, pjesërisht, nga vlerat e larta të inflacionit të shënuara në tremujorin e parë si pasojë e goditjeve të ofertës dhe, pjesërisht, nga efekti rënës i ardhur nga mbiçmimi i kursit të këmbimit. Efekti i kursit të këmbimit ishte më i pranishëm në rënien e inflacionit të artikujve të importit, dhe – veçanërisht – të atyre ushqimorë. Nisur nga ecuria e tremujorit të dytë, projeksioni ynë për inflacionin mesatar të vitit 2017 ka pësuar një rishikim të lehtë për poshtë, nga niveli 2.3% në nivelin 2.2%.

“Ekonomia shqiptare duket se po i afrohet gradualisht nivelit potencial, e reflektuar kjo si në rënien e normës së papunësisë ashtu edhe në trendin afatmesëm të rritjes së normës së shfrytëzimit të kapaciteteve. Ky përmirësim ciklik do të mundësojë një rritje graduale të pagave dhe një konvergjencë të marzheve të fitimit të biznesit drejt mesatareve historike”, u shpreh guvernatori Sejko. Sipas tij, efekti negativ i kursit të këmbimit pritet të shuhet gradualisht. Banka e Shqipërisë vlerëson se intensiteti aktual i mbiçmimit të kursit të këmbimit – i derivuar në masën më të madhe nga përmirësimi i shpejtë i bilancit të shkëmbimeve tregtare e të shërbimeve dhe nga flukset e larta të investimeve të huaja direkt – do të vijë drejt zbehjes.

Ndërkohë, aktiviteti kreditues shfaq një rritje më të shpejtë dhe më të qëndrueshme në segmentin e kredisë për individë, sidomos në drejtim të kredisë konsumatore, ndërkohë që rritja e kredisë për biznese shfaqet më e ngadaltë. Ritmi ende i moderuar i rritjes së kredisë pasqyron si kërkesën e dobët për kredi, ashtu edhe politikat e kujdesshme të bankave në kredidhënie. Duke gjykuar mbi trendet aktuale të ecurisë së ekonomisë, si dhe mbi faktorët përcaktues në mjedisin e brendshëm e atë të jashtëm, Banka e Shqipërisë vlerësoi se rritja ekonomike do të vazhdojë edhe në afatin e mesëm. “Në skenarin tonë bazë, kjo rritje do të jetë e mjaftueshme për të vendosur ekonominë në ekuilibër dhe do të jetë faktori përcaktues për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2018”, shprehet BSH.

Për disa vite, qeveria vendosi të mos bëjë rritje të ndjeshme të pagave, duke u fokusuar në rregullime për sektorë të veçantë. Pas kërkesës së Bankës Qendrore pritet të shihet reagimi i qeverisë së re, që do të ngrihet në shtator. 

Nuk ndryshon norma e interesit
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.25%, si dhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, respektivisht në nivelet 0.25% dhe 2.25%. Banka e Shqipërisë theksoi se ajo mbetet e gatshme të reagojë në çdo moment ndaj goditjeve të ndryshme, të cilat ndikojnë negativisht mbi pritjet për inflacionin apo dëmtojnë perspektivën e përmbushjes së objektivit të tij në afatin e mesëm.
Sigal