BSH: Si mund ta konvertoni kredinë konsumatore dhe hipotekare

574
Të gjithë personat, të cilët kanë marrë një kredi në euro, do të mund ta kthejnë atë në lekë, në rast se ata paguhen në monedhën vendase. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka marrë tre vendime në mbledhjen e djeshme, ku mes të tjerave janë edhe disa ndryshime në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”. Sipas njoftimit të Bankës Qendrore, këto ndërhyrje konsistojnë në disa aspekte. “Këto ndryshime synojnë shtimin e kërkesave për mbrojtjen e konsumatorit, me qëllim përafrimin e legjislacionit shqiptar me direktivat evropiane të kësaj fushe. Ndryshimet e miratuara, krahas disa kërkesave për bankat, parashikojnë dhe të drejtën e konsumatorit për të kërkuar konvertimin e kredisë në monedhën në të cilën gjeneron të ardhurat, si dhe shtimin e një shembulli ilustrues, që banka duhet t’ia vendosë në dispozicion konsumatorit si pjesë të informacionit parakontraktor, në rastet kur ai aplikon për një kredi në monedhë të ndryshme nga ajo e të ardhurave të tij”, thuhet në njoftimin e Bankës. Prej disa muajsh, Banka e Shqipërisë ka marrë një fushatë për de-euroizimin, duke synuar të pakësojë qarkullimin e monedhës së përbashkët evropiane në ekonominë vendase. Sipas Bankës Qendrore, procesi i zgjerimit të përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonomi, (de-euroizimi) nuk është një objektiv vetëm për sistemin financiar, për sa kohë që përdorimi i valutës nga publiku në transaksionet e ndryshme, mbetet i gjerë. “Për këtë arsye, qasja për de-euroizimin duhet të jetë gjithëpërfshirëse ku edhe autoritetet e tjera të vendit mund të identifikojnë dhe të ndërmarrin masa të caktuara që cilat nxisin publikun dhe agjentët ekonomikë të rrisin shkallën e përdorimit të monedhës kombëtare në transaksionet e tyre”, nënvizoi Banka Qendrore.
Sigal