Borxhet e energjisë/ Arrijnë nivele rekord, gati 800 milion USD të palikujduara për faturat e OSHEE, detyrimet nuk i paguan as shteti

144
Sigal

Borxhi total, që klientët kanë ndaj Operatorit të shpërndarjes së Energjisë Elektrike pësoi rritje edhe gjatë vitit 2022, duke arritur shifra rekord, të paktën që prej vitit 2009. Sipas të dhënave zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë, vlera për detyrime të papaguara ndaj OSHEE nga klientët familjarë, institucionet shtetërore, ujësjellësit dhe biznesi vitin që shkoi kapi vlerën e gati 80 mld lekëve apo 1.5 mld lekë më shumë se viti 2021.

Rritje e faturave të papaguara është shënuar në 3 nga 4 kategoritë e klientëve, duke qenë se vetëm familjarët regjistruan një rënie të tij. Më konkretisht, borxhi u thellua nga institucionet shtetërore, duke arritur në vlerën e rreth 4.79 mld lekë, apo 26 mln lekë më shumë se një vit më parë. Kjo është shifra më e lartë e shënuar në 14 vitet e fundit. Faturat e palikujduara të energjisë u rritën edhe nga klientët jobuxhetorë, ku kryesisht futen ujësjellësit.

Kjo kategori klientësh e rriti borxhin në 18.18 mld lekë në vitin 2022, nga 15.72 mld lekë që ishte një vit më parë. Edhe bizneset kanë rritur stokun e detyrimeve të papaguara nga OSHEE, në 11.71 mld lekë, nga 11.39 mld lekë, që ishte gjatë 2021-it. Ndërkaq, ndryshe paraqitet situata për klientët familjarë, ku sipas të dhënave nga ERE, në dhjetor të vitit 2022 rezultojnë me një vlerë më të ulët borxhi, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në total, konsumatorët familjarë kanë një borxh total të papaguar prej 45.22 mld lekë, ndërkohë që në dhjetorin e vitit 2021 faturat e palikujduara arrinin në 46.52 mld lekë.

Borxhi total ndaj OSHEE-së

2021  78.39 mld lekë

2022  79.91 mld lekë

Borxhet ndaj OSHEE-së, sipas kategorive

Institucionet buxhetore

2021  4.76 mld lekë

2022 4.78 mld lekë

Borxhet ndaj OSHEE-së

Konsumatorët familjarë

2021  46.52 mld lekë

2022 45.22 mld lekë

Borxhet ndaj OSHEE-së

Bizneset

2021  11.39 mld lekë

2022  11.71 mld lekë

Borxhet ndaj OSHEE-së

Klientët jobuxhetorë (ujësjellësit)

2021  15.72 mld lekë

2022  18.18 mld lekë