Bazës së Kuçovës i rrëmbehen 42 mijë m2 tokë dhe i jepen bosit të vajit

248
Sigal

Pas marrveshjes për kalimin e Bazës së Kuçovës në përdorim të NATO-s, me firmën e ish-ministres së Ekonomisë, Milva Ekonomi mbi 42 mijë m2 së bashku me Vend-dislokimin e Shtabit të Bazës Ajrore në Kuçovë janë dhënë me koncesion 1 euro për 20 vite, bosit të vajit, sponsorizues i fushatave elektorale dhe oligarkut Salillari. NATO, kërkonë anulimin e PPP dhe kthimin e sipërfaqes së Bazës, pasi toka figuron në hartës ushtarake që i është dhënë asaj

Me letra false, u servir si investim i një kompanie izraelite me projekt 20 milionë Euro, për gjoja ndërtimin e qendrës multifunksionale për grumbullimin e produkteve bujqësore të zones. Mirëpo përfituesi real është sponsori i PS nga Ura Vajgurore, i cili nuk ka bërë asnjë inevstim të tillë, por vetëm e shfrytëzon duke e dhënë me qira te të tjerët

Pasi publikuam emrat e pronarëve “Selimllari-Linza-Ferra” të firmave importuese, që kanë dyfishuar çmimin e vajit me lejen e shefit të qeverisë; në “Pamfleti” ka ardhur informacioni për një skandal të Ramës, bërë në favor të firmës së vajit “Bomira” me qendër në Kuçovë. Bëhet fjalë për një kontratë koncesioni, lidhur mes ish-Ministres së Ekonomisë, Milva Ekonomi dhe pronarit të firmës së vajit “Bomira”, Ylli Aliaj, për dhënien me vlerë totale 1 Euro, të një pjesë të Bazës Ushtarake Ajrore në Kuçovë. Janë 42 mijë e 9 m2 truall dhe objekte, që i janë hequr pronës nr. 1018, të quajtur Vend-dislokimi i Shtabit të Bazës Ajrore në Kuçovë, dhe i janë dhënë në përdorim me vlerë qiraje totale 1 Euro, firmës së vajit të importit “Bomira sh.p.k”.

Edhe pse Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe Komanda e Bazës Ajrore, refuzuan urdhrin e ish-ministres Mimi Kodheli për këtë shkelje të rëndë, kryeministri Edi Rama i hapi rrugën pazarit, me Vendim nr. 562, datë 29.7.2016 të qeverisë.

Ndërsa 1 muaj më pas u nënshkrua kontrata, por përfitues nuk ishin investitorë izraelitë,- siç tha Rama, por shtetasi Ylli Aliaj nga Ura Vajgurore, i njohur si importues vaji, ambalazhues me etiketën “Bomira” dhe sponsor i çdo fushate elektorale të PS në Qarkun e Beratit.

Kujtojmë, se në muajin shkurt 2016, pra, 6 muaj para kësaj kontrate koncesioni, Edi Rama kishte bërë marrëveshjen paraprake me NATO, për krejt sipërfaqen e Bazës Ajrore të Kuçovës, dhe ky ishte shkaku që Shtabi i Përgjithshëm dhe Komanda Ajrore, refuzuan urdhrin e ish-ministres Mimi Kodheli për ta copëzuar bazën e për ta dhënë te privati.

Më 29 korrik 2016, kryeministri Rama i shkëputi 42 mijë m2 bazës së Kuçovës dhe ia dha Ylli Aliajt të vajit “Bomira” me 1 Euro qira për 20 vite; ndërsa tani që në këtë bazë kanë nisur punimet, NATO po e kërkon këtë sipërfaqe, si pjesë që e ka harta ushtarake.

a do anulohet ky koncesion? Sepse përveçse sipërfaqja është dhënë në shkelje të ligjit e me mashtrim si investim izraelit; si dhe duke cënuar marrëveshjen me NATO-n, por dhe për faktin se firma nuk ka zbatuar asnjë pikë të kontratës.

Objekt i koncesionit ishte ndërtimi i qendrës së integruar e multi-funksionale, për produktet bujqësore të zonës me cikël të mbyllur: vjelje, grumbullim eksport e tregtim i brendshëm, mbështetje e fermerëve me inpute, materiale gjenetike, laborator, trajnime e 150-200 punësime; por koncesionari nuk ka zbatuar asnjë prej detyrimeve të kontratës së investimit.

Sipas nenit 5 pika 4, duhej të kishte investuar 2.1 miliardë lekë brenda vitit 2018, por sot pas 5 vitesh, ka investuar vetëm 190 milionë lekë për magazinat e firmës së tij “Bomira” dhe as 1 qindarkë për ngritjen e qendrës së fermerëve.

Komanda e Bazës Ajrore, duhej ta gjobiste me 210 milionë lekë, ndërsa nëse nuk i realizonte investimet as pas 6 muajsh, duhej t’i anulonte kontratën; por nuk veproi, mbasi nuk u lejua e nuk lejohet nga Babloku, ngaqë 30% të sipërfaqes e ka marrë në përdorim oligarku Pëllumb Salillari; ndërsa pjesë të tjera, Ylli Aliaj i ka dhënë me qira, megjithëse e ndalon neni 5/7 i kontratës.

Koncesionari duhej të kishte punësuar 50 punonjës të rinj brenda vitit të parë në këtë qendër bujqësore, mirëpo nuk ka ndërtuar as qendrën e as ka punësuar, madje krejt firma e vajit “Bomira” ka 30 punonjës, 16 nga të cilët me paga 21-25 mijë lekë të reja në muaj. Për këtë mashtrim, firma duhej të ishte gjobitur me 50 mijë lekë të reja për çdo vend pune që nuk ka hapur; llogari, e cila është 5 milionë lekë të reja, por për pronarin Ylli Aliaj nuk zbatohet ligji, mbasi aq miliona ai i paguan në çdo fushatë elektorale të PS. Në vijim/ Do publikojmë prova, nga grabitja që bosi i vajit “Bomira” dhe ish-kryebashkiaku Fadil Nasufi, i bënë godinës e truallit të Markatos së Beratit, madje uzurpuan dhe territor pa leje, duke shkatërruar një vendvarrim 2000 vjeçar “Monument Kulture”, që ishte pranë Merkatos./Pamfleti