Dr. Erion Dasho: Pandemia po ikën, tani le të heqim qafe provat, si pacientët u lanë pa oksigjen, mjekët pa maska dhe milionat e tenderave

217
Sigal

Me qetësimin e situatës së COVID-it, shqetësimi më i madh për ministrinë e shëndetësisë dhe levat nëpër rrethe mbeten “letrat” e pandemisë. Ndonëse mjekët dhe infemierët u lanë në mëshirë të fatit pa maska, pa doreza dhe pa pajisje të tjera mbrojtëse; ndonëse pacientët u lanë në shtëpi pa teste, ekzaminime, medikamente, madje edhe pa oksigjen, me sa duket paratë nuk kanë munguar. Tenderat janë bërë, por duke qenë se janë bërë si kofini pas të vjeli, mallrat kanë mbetur stok. Ajo që po ndodh javët e fundit është pikërisht tërheqja nga magazinat e materialeve mbrojtëse të blera gjatë pandemisë, duke u kërkuar drejtuesve të spitaleve dhe qendrave shëndetësore të firmosin, të tërheqin dhe të magazinojnë kryesisht pajisje mbrojtëse të personelit mjekësor. Ndërsa pajisjet mbrojtëse janë gjithmonë të dobishme për spitalet dhe qendrat shëndetësore disa pyetje ngelen: A janë të nevojshme sasi të mëdha pajisjesh mbrojtëse në kushte normale kur kërcënimi i pandemisë është zbehur dhe po shkon drejt zhdukjes? A rrezikojnë këto sasi të bllokojnë kapacitet magazinuese të spitaleve dhe qendrave shëndetësore? A janë ato sasi në përputhje me afatet e skadencës dhe përdorimit të sigurt, apo do të dëgjojmë sërish xhevahirë të tipit “Maska e skaduar nuk mbron, por ama as nuk rrezikon shëndetin”?! Gjatë pandemisë u përfituan me qindra milionë euro ndihmë dhe qindra milionë euro të tjera u morrën kredi, ndërkohë që qytetarët përfituan shumë pak prej tyre duke u detyruar të shpenzonin mbi 200 milionë euro nga xhepi vetëm për trajtime në privat ose jashtë vendit. Pjesa dërrmuese e qindra milionëve u shpenzua në drejtime ende të paditura dhe të papublikuara, ndërsa edhe ato fonde që ju dhanë shëndetësisë u përdorën për tendera të fshehtë, madje edhe për të paguar borxhe të prapambetura. Sot, përpjekja për të zbrazur sa më parë magazinat e shtetit i ngjan aq shumë përpjekjes së shkelësit të ligjit për të hequr qafe provat, që e fajësojnë. Një tjetër fushë ku minimumi duhet hetuar për të kompensuar disi dëmin e pallogaritshëm që iu bë në dy vjet shëndetit dhe jetës së shqiptarëve…