Bardhyl Berberi/ Përpëlitja e Pogradecit nga keqqeverisja dhe mungesa e investimeve

505
Sigal

Po ndiqja një edicion lajmesh dhe befas pashë kryetarin e Bashkisë së qytetit tonë që i thotë kryeministrit Rama se Pogradeci është në një kolaps ekonomik nga borxhet e trashëguara nga e kaluara. Pashë një përgjigje arrogante të kryeministrit ndaj tij…Se gjoja paratë e bashkisë u harxhokan nga organikat e fryra! Le të ndalemi konkretisht. Ju i mblodhët kryetarët e bashkive për menaxhimit të ujrave, bukur, po ju rreshtoj disa fakte që nuk i dini… Po e fillojmë me ujin; a e dini ju zoti kryeministër se kur Pogradeci drejtohej nga parardhësit tuaj të majtë u shkatërruan në Mokër dy rezervuarët e Mujazës: njëri me 5 milionë metra kub ujë dhe tjetri me 3.5 milionë metra kub ujë dhe kanë lënë 30 fshatra pa vaditje? Për këtë nuk i ka hyrë asnjërit asnjë gjemb në këmbë dhe tërë tubat e çelikut me km të tëra janë shitur për skarap! Pogradeci është qytet turistik dhe sa herë vini në këtë qytet e trumbetoni me të madhe; po a e dini ju zoti kryeministër se qyteti nuk ka një unazë, se kamionat kalojnë mes përmes qytetit sikur të jetë Kandahari mes pluhurit dhe tymit?…Qëkurse keni ardhur ju në Pogradec kini vënë vetëm kazmën: prishët bregun e liqenit dhe mirë bête, por për të ndërtuar ende nuk keni vënë një gozhdë në Pogradec. Gati tre vjet që jeni në pushtet, i kujt është Pogradeci vallë a nuk bën pjesë në hartën e Shqipërisë! Pogradecarët i kanë të gjitha: urtësinë, arsyen, dashurinë fisnikërinë, mikpritjen, devotshmërinë dhe përgjegjshmërinë, krenarinë e papërkulur, shpirtin e kthjellët të revoltës dhe rezistencës për ata që e prozvalin i ndëshkon me votë. Zoti kryeministër, ju keni hapur thesin në Korçë dhe këtu njoftuat zyrtarisht se në Korçë do të ndërtohet një kompleks olimpik, do të ndërtohet një qytet për fëmijët, do ndërtohet impianti i ujitjes së fushës së Korçës dhe shumë investime të tjera. E thënë troç, në Korçë që drejtohet nga socialistët, ju e hapët thesin, po këtu në Pogradec asnjë kacidhe. Dhe pse? Përgjigjia është e saktë, këtu drejtojnë demokratët … 

Hakmarrje qeveritare ndaj qytetit liqenor

A jeni ju kryeministër i tërë shqiptarëve apo vetëm atje ku kanë fituar socialistët. Ja ku po ta themi troç, kjo ishte një votë revolte kundër ish të majtëve që e drejtuan Pogradecin në mënyrë amatoreske dhe çuditërisht ju e kini marrë në kryeministri ish kryetarin dhe dy nënkryetarët bashkikaë që janë në ndjekje penale…Pse e lanë qytetin në atë gjendje të mjerueshme duke i lënë pasardhësit, Kapri një borxh prej 5,5 miliardë lekësh? Kush do ta mbushi këtë grope? Ju shpesh kujtoni gropën që ju la Saliu, po këto gropat që kanë lënë këta mëkëmbësit tuaj? Për çdo ditë, pogradecarët po përballen …me të keqen sfilitëse dhe të mirën që mbijeton me vështirësi. Është shqetësuese që jemi , duke u pajtuar, me të keqen… Pesha e kësaj të keqe, është shumë e rëndë dhe paralizuese për qytetin tonë. Ajo kërkon shumë mund, për t’i rezistuar dhe kapërcyer. Ndërsa të ndërgjegjshmit, ata që veprojnë me përgjegjësi morale për përmirësimin e kësaj situate, janë pak në numër dhe të paorganizuar, pasi drejtojnë të paditurit dhe të korruptuarit. Klasa jonë politike e korruptuar dhe e kriminalizuar, është shkaktare e gjendjes të që ka katandisur në këtë derexhe qytetin tonë. Politika i është ngulur popullit si “thikë pas shpine” dhe se lejon të marri frymë lirshëm. Ajo e ka stresuar dhe zhveshur atë nga shumë virtyte, të cilat janë faktore me peshë të rëndësishëm, që ndikojnë në mos stabilizimin e gjendjes aktuale. Elitat drejtuese të politikës, e kanë asfiksuar popullin për ta ruajtur pushtetin për interesat e klaneve të tyre, të cilëve ju intereson vetëm paraja dhe privilgjet. Nëse e doni vërtet Pogradecin për progresin dhe dinjitetin që duhet të ketë një qytet turistik patjetër duhet që ta vlersoni, të finaconi duke shfrytëzuar potencialin e njerëzve të shquar dhe punëtorë mbi bazë të parimeve dhe të interesave të përbashkëta të kombit tonë dhe jo ta sulmoni kryebashkiakun aktual se “dijeni mire, për të ka votuar masivisht e majta duke e njohur si djalë të qytetit të tyre me vlera”. Por ju atë e keni lënë si peshku pa ujë të paktën jepini borxhet prej 5 miliardë e gjysmë që i ka lënë qytetit funksionari i lartë i pushtetit lokal që e keni strehuar në kryeministri! Në të kundërtën, nëse do të vazhdoni që ta shikoni me syrin e njerkës, atëherë kjo do të jetë një kosto për ju dhe ai do t’u kthejë faturën kur ju të vini t’i kërkoni votën do të jetë shumë vonë…Dhe ju nuk do ta kaloni dot liqenin e Pogradecit me varka prej letre.