Shpërndanin drogë tek konviktet, 92 vite burg 10 shpërndarësve

440
Prokuroria e Korçës kërkon një dënim në total me 92 vjet burgim për 10 persona, të gjithë pjesë e një grupi që shpërndanin lëndë narkotike kokainë, heroinë dhe cannabis në zonën e ish-Konviktit, në këtë qytet, të akuzuar për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndës narkotike”. Procesi ndaj të pandehurve është zhvilluar me gjykim të shkurtuar dhe ata përfitojnë uljen me 1/3 e dënimit në rast se shpallen fajtorë.
Në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se këta shtetas, në aktivitetin e tyre kriminal, orientonin blerësit e lëndës narkotike që ta konsumonin brenda ambjenteve të ish-konviktit, me qëllim mos-zbulimin e tyre nga ana e autoriteteve shtetërore. Po ashtu, këta shtetas realizonin aktivitetin e tyre kriminal, duke krijuar struktura “roje” në dy hyrjet kryesore të godinës së ish-Konviktit, me qëllim që të evidentonin dhe të shmangin ndonjë ndërhyrje eventuale të forcave policore. 
Sipas planeve të grupit, nëse policia do të ndërhynte për kontroll nga njëra anë, ata do të mund të dilnin ose të fshihnin gjurmët nga ana tjetër. Duke qenë se godina ishte e madhe, anëtarët e grupit kishin krijuar aksese të ndryshme për t’iu shmangur kontrolleve.
Pas informacionit paraprak policor, Prokuroria e Korçës zhvilloi hetimet dhe siguroi informacionin se kur ishte momenti i duhur për ndërhyrje, me qëllim ndalimin e pjesëtarëve të grupit dhe zbulimin e lëndës narkotike. Ndërhyrja për arrestimin e këtyre personave ka ndodhur në dt. 24.07.2015. Në përfundim të gjykimit, Prokuroria e Korçës kërkon dënimin për të pandehurit, si më poshtë:
1. Bledjon Liçe të dënohet me 10 vjet burgim
2. Sajmir Liçe të dënohet me 10 vjet burgim
3. Elton Koçoli të dënohet me 12 vjet burgim
4. Gentian Koçoli të dënohet me 10 vjet burgim
5. Marius Koçoli të dënohet me 10 vjet burgim
6. Ronaldo Kovaçi të dënohet me 7 vjet burgim
7. Eraldi Zejnuni të dënohet me 9 vjet burgim
8. Mario Tepexhiku të dënohet me 7 vjet e 6 muaj burgim
9. Dorian Sako të dënohet me 8 vjet burgim
10. Marjus Lako të dënohet me 9 vjet burgim
Sigal