Sigal

Studentët të cilët po protestojnë prej 4 ditësh para Ministrisë së Arsimit janë përplasur me banorët e zonës së Astirit, të cilët po protestojnë gjithashtu prej gati 1 muaji për mosshembjen e banesave të tyre në kuadër të ndërtimit të Unazës së Re.

Studentët janë bërë gardh me njëri-tjetrin duke mos lejuar depërtimin e banorëve të Astirit mes radhëve të tyre me arsyetimin se protesta e këtyre të fundit ka marrë ngjyrime politike. “Jo politikë, jo politikë!” kanë qenë thirrjet e studentëve kundrejt banorëve të Astirit, ndërsa u kanë kërkuar që duhet të vijojnë luftën për kauzën e tyre veçmas.

Ajo që ka rënë në sy ka qenë ndërhyrja e menjëhershme e efektivëve të policisë të cilët kanë bërë një gardh mbrojtës ndaj studentëve duke penguar depërtimin e banorëve të Astirit. Këta të fundit janë larguar nga protesta pas disa negociatave të pamundura me studentët të cilët e kanë shoqëruar shmangien e banorëve të Astirit me ovacione.