Avdyl Sulaj/ Reportazh nga qyteti i varfërisë “Bajram Curri”, dikur plot lavdi

1402
Ngado që të kalosh nëpër qytetin “Bajram Curri” të vjen ndër mend shprehja: Shih dhe shkruaj! Shih dhe shkruaj të thonë mjediset publike të katandisura në gjendje jo të përshtatshme për kohën. Është verë dhe përditë vijnë me qindra vizitorë, por duket e pabesueshme që sheshi kryesor i këtij qyteti është plot gropa e pellgje me ujë, që e hedh në mëngjes një autobot i bashkisë. Më tej, në rrugën për te spitali i qytetit, është vështirë të kalosh pa u lagur prej vijave të ujit. Trotuare të pista plot letra e hedhje të ndotura, bajga lopësh e kuajsh. Në grumbujt e kazanët e mbeturinave kullotin bashkë lopë, qen e mace. Në ato pak lulishte të mbetura kullotin bagëtitë. Qoftë dhe një stol nuk të zë syri në një hije për t’u çlodhur ndonjë i moshuar a ndokush tjetër.
Shih dhe shkruaj! Të thonë fasadat e pallateve, të vjetruara, të rëna boje, të mykura, vende-vende të gërryera prej reshjeve dhe ngricave të dimrit, pa vënë kush dorë në to tash 25 vjet. Kurse qytetarët thonë se janë dhënë fonde të konsiderueshme për to, por i kanë përvetësuar pushtetarët vendorë. Ndërkaq pallatet e reja, që janë ndërtuar në këtë qytet çerekshekullin e fundit, numërohen me gishta të njërës dorë.
Shih për zhvillimin ekonomik, po ç’të shkruash? E vetmja “industri” që është zhvilluar këtu këto vite janë klubet. Ato janë shtrirë edhe në trotuare e në hapësira publike. Papunësia, varfëria e përgjithshme dhe shqetësimet e shumta bëjnë që qytetarët të gjejnë ngushëllim në to, t’i frekuentojnë vazhdimisht. Dhjetëra të papunë, enden të trishtuar rrugëve e trotuareve. Edhe ata që janë të punësuar në shtet, përjetojnë shqetësime dhe ankth. Shumë prej tyre, kur i pyet nëse vazhdojnë punën ku kanë qenë, të japin këtë përgjigje:
-Po, sa t’më lënë?!
Kështu, frika e pushimit prej pune, u rri të punësuarve në shtet si shpata e Damokleut mbi kokë. Pushtetarët e rinj, që deri dje me plot të drejtë ngrinin zërin dhe revoltoheshin për largimet e padrejta të punonjësve prej pune nga partia demokratike dhe LSI-ja, sot po bëjnë vetë të njëjtën gjë. Në spitalin e qytetit janë pushuar nga puna dhe punonjësi i morgut i cili u kryente shërbimet e fundit të vdekurve, dhe pastruese e rrobalarëse. Shumë punëtorë e specialistë janë larguar dhe në hidrocentralin e Fierzës, në ndërmarrjen pyjore etj. Dhe, kur debaton me drejtues e pushtetarë të sotëm për këtë çështje, sjellin argumentin qesharak: Kështu ka vepruar edhe PD-ja! Pse vallë, populli ua dha votën për ndryshim, siç patën premtuar gjatë fushatës zgjedhore parlamentare, apo për vazhdim në binarët e mëparshëm të padrejtësive blu?
Muzeu historik
Shkrimi kërkon të shkruash dhe për të gjorin sektor kulture, po çfarë të shkruash, xhanëm? Muzeu historik i rrethit renditej i treti në Shqipëri, me mbi 3 mijë objekte historike dhe relikte muzeore, që sillnin dëshmi që nga qytetërimi iliro-dardan në Tropojë, në Kosovë e më gjerë. Por kapitullimi i turpshëm i shtetit në vitin 1997, bëri që ato të shkatërrohen e të grabiten tërësisht prej vandalëve të fundshekullit XX. Mirëpo çfarë bëri shteti tash 18 vjet për të ringritur këtë objekt historik e kulturor? Përkundrazi qoftë dhe me një objekt a relikte nuk është pasuruar ai këto vite. Ndërkohë vijnë turistë e vizitorë edhe nga shtete të ndryshme të botës, kërkojnë ta vizitojnë atë, po ku t’i çosh dhe për çfarë t’i çosh për të parë aty?! 
Biblioteka e qytetit 
Biblioteka e qytetit u ringrit me shumë vështirësi dhe mbijetoi edhe pas vandalizmit të vitit 1997. Sakaq nga katër punonjës që kishte më parë, është lënë vetëm me një punonjëse dhe ka katër vjet që këtij institucioni nuk i është dhënë fond nga bashkia e qytetit as sa për të blerë qoftë dhe një gazetë të përditshme. Një gjendje e tillë ekziston dhe në pallatin e kulturës Dardania, pa mjetet elementare të punës, si vegla muzikore, veshje kombëtare karaktarestike etj. Po libri e shtypi si mjete dijeje e kulture? Në të gjithë rrethin ka vetëm një librari të vogël që i tregton ato.
Pushtetarët vendorë të të gjitha kategorive janë ankuar se nuk kemi fonde, ndërkohë kanë paguar rroga edhe për persona që nuk kanë qenë fare me banim në Tropojë, kanë marrë urdhëra shërbimi e dieta deri në një milionë lekë në muaj, kanë marrë miliona lekë për pjesë këmbimi për veturat shtetërore në dispozicion dhe, shumica e tyre, janë larguar prej detyrave apo prej rrethit me biznese e vila.
Pushtetarët vendorë
Militantët e djathtë e të majtë thonë se janë dërguar fonde të konsiderueshme nga qeveritë e Tiranës, po i kanë vjedhur pushtetarët vendorë! Po pse është shteti atëherë? Pse është lënë Tropoja në këtë gjendje xhungle?
E shëndetësia, si sektor jetësor për popullsinë. Nga 6 spitale më parë, mbijeton vetëm i qytetit “Bajram Curri”, por i mangët në shumë drejtime: pa specialistë të mjaftueshëm, pa pajisje moderne, disa mjekë u marrin ryshfete të sëmurëve për t’i vizituar. Pensionistët, për të marrë barnat e rimbursueshme, duhet të vizitohen te mjekë kardiologë në Tiranë e të marrin recetat, duke humbur tri ditë rrugë vajtje-ardhje dhe për vizitë.
Edhe më e mjerë paraqitet gjendja në fshatra. Rrjeti ujitës, i cili mbulonte 86 për qind të tokave bujqësore, nuk funksionon në pjesën më të madhe të tij. Për pasojë, të mbjellat e fermerëve po shkrumbohen për ujitje. Për investime aty as që bëhet fjalë.
Sa marrin të ardhura për frymë malësorët tropojas, të cilët retorikat politike-folklorike i kanë portretizuar si “kreshnikë shtatgjatë, demokratë e atdhetarë, besnikë e bujarë”. Shumë dyqane janë mbushur me lista të njerëzve që marrin mallra pa lekë, ngaqë s’kanë me çfarë t’i paguajnë. Punonjësit e punësuar te privatët marrin nga 1200 deri 1500 lekë në muaj. Mallrat këtu, sidomos pemët e perimet, vijnë të cilësisë së fundit dhe me çmime 30 deri 50 për qind më të larta se në tregjet e Tiranës e të qyteteve të tjera. Varfëria e skajshme, mungesa e punësimit në qytet, mungesa e tokës dhe e investimeve në fshat, po bëjnë që banorët të braktisin çdo ditë vendlindjen dhe familjet, të mësyjnë udhëkryqeve të Europës, të përulen e të lypin mëshirë për azil.
Sali Berisha
Kjo është tabloja e përgjithshme e gjendjes ekonomike-shoqërore e kulturore e qytetit “Bajram Curri” dhe e fshatrave të Tropojës. Ky është dhe shpërblimi që partia demokratike i solli këto vite vendlindjes së udhëheqësit të lëvizjes studentore dhe të ish-kryetarit të saj të parë, të ndjerit Azem Hajdari; që i solli vendlindjes së ish-presidentit e ish-kryeministrit të vendit, Sali Berishës. Po vetë Berisha, përveç asfaltimit të 2-3 rrugëve, ç’ndryshime i solli vendlindjes së tij në këto drejtime gjatë qëndrimit për 13 vjet në këto poste, megjithëse votat ia dhanë thuajse gjithnjë!
Fatkeqësisht, një qëndrim i tillë ndaj Tropojës u mbajt edhe nga partia socialiste gjatë 8 vjetëve në pushtet (1997-2005) dhe po vijohet nga ajo e aleatët e saj edhe sot, si refleks i rivaliteteve pushtetore , i mllefeve dhe hakmarrjeve politike. Një realitet i trishtueshëm, shpresëhumbës, aspak demokratik, që flet vetë, që s’ka nevojë për shumë komente. 
Epilog i shkurtër xhungëlor i një periudhe historike 25-vjeçare në këtë krahinë.
Sigal