Rita Gjeka përlotet në skenë nga emocionet …

1258
Dita e tretë të festivalit “K’tu Fest”, ishte paksa e veçantë, plot emocion tek spektatori dhe aktorët, duke sjellur dy shfaqe në skenë: ate të paraditës, monodramën pa tabu “Seks, t’falemnderës sa me e provu” në interpretim të Rita Gjekës nga Shkodra, monodramë e nobelistit Dario Fo në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Franca Rama dhe djalin Jacopo Fo dhe shfaqen “Karamel” të Naser Shatrollit, në interpretim të Ismet Azemit, Driada Matoshit me skenografi të Mentor Berishës dhe kostumografi të Shirka Dërmakut.
“Seksi”-shfaqe matine emocionoi dhe përloti Rita Gjekën
Pa dyshim se tashmë Struga u bë pjesë e listës së qyteteve europiane dhe botërore të festivaleve por edhe të shfaqeve “matine”, ose thënë shqip, shfaqe të paraditës, që është traditë e qyteteve dhe vendeve të privilegjuara, me një civilizim dhe kulturë të lakmueshme. Për të dytën herë me radhë, falë festivalit “K’tu Fest” dhe Teatrit “Poshka”, para një publiku tepër të privilegjuar, të mos themi të përzgjedhur, adhurues të skenës, aktorja profesioniste e Teatrit “Migjeni” nga Shkodra, Rita Gjeka, u prezantua me monodramën e nobelistit italian Dario Fo, “Seks?! Faleminderit, sa për ta provuar!”, të cilën Dario Fo e ka punuar së bashku me bashkëshorten Franca Rama dhe djalin Jacopo Fo, që lirisht mund të quhet krijimtari e guximshme familjare, pa tabu. Se shfaqja e mbështetur në tekstin e familjes Fo, dhe në regji të regjisores Merita Smaja është vërtetë pa tabu, më së miri në skenë e dëshmoi vetë aktorja Rita Gjeka, në perfomancën e saj, duke sintetizuar dhe stigmatizuar rolin, personazhin dhe dukej sikur prezanton jetën e sajë dhe të shumë e shumë femrave të guximshme dhe atyre që nuk e kanë guximin të flasin në këtë temë dhe njëkohësisht duke vendosë komunikim të drejtëpërdrejtë me publikun. “Nëse ndokush do të duhej të ishte “mësues” i jetës seksuale për vajzat do të duhej të ishte nëna, që në shoqërinë tonë kjo nuk ndodhë. Prandaj-tha ajo- “do të jap shembullim tim konkret, sepse eksperienca ime personale vlen më shumë se 1.000 diskutime në Parlament”- ishte një nga batutat e Rita Gjekës në skenë. Në synopsisin e kësaj monodrama thuhet mes tjerash se monodrama fillon me marëdhënien e parë seksuale në univers që është ajo ndërmjet Evës dhe Adamit, një marëdhënie që erdhi si rezultat i një ndjenje. Ata të dy nuk e njihnin njëri tjetrin, nuk dinin asgjë për njëri tjetrin, nuk njihnin as vetëveten. Më pas, monodrama vjen përmes gojës së një femre e cila shpjegon çdo fazë të jetës së saj, duke filluar nga lindja, njohjen me seksin mashkull, njohjen me perversionin e radhës, njohjen me dashurinë, efektet e saj, shtatzaninë, abortin, orgazmën ftoftësinë femërore e mashkullore e mbërrin deri tek përdhunimi, duke pasqyruar edhe të dhëna statistikore. Duke folur për të gjitha këto faza, dhe konkretisht për abortin, Rita Gjeka në një moment tha: “Abortin e ndalon Papa, që fare fare nuk e din dhe nuk e njeh…ate e dimë ne femrat…”. Rita Gjeka, pak a shumë iu shmang gjuhës skenike, për tu prezantuar në “origjinal” me një gjuhë të pastër shkodrane, dhe me një liri të paparë në të shprehur në skenë, që e bëri edhe më të afërt për spektatorin, që e duartrokitën gjatë, që edhe vetë Rita Gjekën e emocionuan sa që edhe ajo lëshoi lot gëzimi nga vlerësimi i spektatorëve gjë që rrallë shihet në skenat teatrore!
“Karamel” e Naser Shatrollit u pëlqye nga publiku
Shfaqja “Karamel” me tekst dhe në regji të Naser Shatrollit, interpretuar nga dueti Driada Matoshi dhe Ismet Azemi, me skenografi mjaft funkcionale të Mentor Berishës dhe kostumografi të Shirka Dërmakut, poashtu u mirëprit nga spektatori që kishte rrethuar skenën e improvizuar. Siç është shprehur edhe vetë autori dhe regjisori Naser Shatrolli, kjo pjesë është një dramë njerzore e ndërthurrur me thuprra të apsurdit e vendosur në hulaçkën e kujtesës. “Mbase është metaforë e mendësisë së mullirit të kafes që piqet e digjet brënda xhezves historike. Në skenë, pikërisht ashtu sipas idesë së autorit dhe regjisorit, Driata Matoshi, në rolin e “Mel”, dëshmon tërë forcën femërore, duke luftuar për të shtrirë rrënjët e pemës së saj në sheshin “Nënë Tereza”. Nga ana tjetër, Ismet Azemi, do të ngelet filxhan kujtese për nostalgjikët e radios së vjetër, për hekurudhat e së shkuarës, për tryezën e bëgatë të Jugosllavisë së Titos, për cakrimën e gotës me verë”- shprehet Naser Shatrolli. Dueti aktorial Driada Matoshi e Ismet Azemi, në skenë treguan potencialin e tyre fizik dhe emocional që në momente kërcënonte edhe me agresivitet fizik që me mjeshtri u përballua. E gjithë kjo u mirëprit nga spektatorët përreth skenës, duke kujtuar edhe jetën e tyre nëpër hulaçkat e jetës së secilit veç e veç. Ditën e katërt e festivalit “Ktu Fest”, ngjashëm me ditët tjera, ka dy aktivitete kulturore: aktivitet matine-paradite, është rezervuar për promovimin e librit “Në strofullën e djallit” të autorit Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve dhe të Persekutuarve Politik Shqiptar në Maqedoni, ndërkaq në mbrëmje, do të shfaqet pjesa “Mbrojtja e Sokratit” në interpretim të bardit të Teatrit Shqiptar nga Shkupi, Bajrush Mjakut, Besfort Idrizit dhe Ibrahim Xhemailit në regji të Dritëro Kasapit dhe Dino Mustafiq.
Sigal