Petrit RUKA/ Duhet të ishte një lajm i parë kulturor

549
Sigal

Mbresa nga festivalit “Aulona International Folk Festival”

Sikur gazetat e tërë Shqipërisë, TV e saj dhe Ministria e Kulturës së Shqipërisë sot të kishin si lajm të parë të edicioneve dhe punës së tyre në informimin mbi Kulturën njoftimin mbi zhvillimin e mrekullueshëm të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar, “Aulona International Folk Festival” në Vlorë, kjo do të ishte një gjë krejt normale. Dhe sa kohë që kjo nuk ndodh për të gjashtin vit me radhë me njërin prej aktiviteteve më të mirë që zhvillohet në kulturën shqiptare, përveç trishtimit se ende nuk kemi një media normale, akoma më keq ndjehesh që hierarkia e vlerave të vërteta në kulturë është një mishmash i tërë. Sa kohë që Vlora duket ende kaq larg mediave qendrore, kur nga Tirana gëlojnë në ekrane gjithfarë lajmesh kulturore banale dhe të sajuara për promovime nëpër kafene të vogla, me 20 pjesëmarrës, jemi kaq larg interesit për të renditur saktë mendjen aty ku duhet në këtë kaos kulturor. Jam një njeri që e ndjek me pasion zhvillimin e folklorit hapa pas hapi dhe nuk di që në Shqipëri të ketë ndonjë aktivitet të këtyre përmasave, në se harrojmë Festivalin e madh Folklorik të Gjirokastrës së para viteve 1990. Por po aq e vërtetë është se për shkak të këtij indiferentizmi informativ, vështirë se ky Festival njihet aq sa peshon dhe e meriton. Kam frikë se as Ministria e Kulturës, për shkak të gjeografisë “së largët” të këtij festivali, nuk e ka kaq të gjatë shikimin e saj. Për të gjashtin vit me radhë, dhjetë apo dymbëdhjetë grupe të famshme folklorike, nga kombe të ndryshëm zbresin në rrugët e Vlorës dhe e mbushin atë me ngjyra, këngë dhe valle duke i ndezur flakë rrugët dhe sheshet e saj. Gjetja e Sejmen Gjokolit, drejtuesit të këtij Festivali,  i cili e ka vënë festivalin në mbështetje të sezonit të turizmit në Vlorë, është sa e thjeshtë aq edhe bukur. Festivali zhvillohet  në rrugë, sheshe, duke ecur buzë detit, në Llogara, në veranda hotelesh deri natën vonë. Mbi 300 këngëtarë e valltarë që nga Polonia e largët e deri tek fqinjët tanë të afërt, bien kaq shumë vallëzim dhe melodi, sa ngjan sikur qyteti këto tre ditë i është dorëzuar vetëm festës së shpirtit të gjyshërve. Qindra njerëz janë spektatorë aty, ku gjenden, në trotuare, në kafene, në punë, sepse festivali është shëtitës, i lëvizshëm. Duket sikur nuk ka orar, program të caktuar, dhe grupet mund të shpërthejnë kudo në një improvizim koncerti spontan, aty ku t’iu teket prej zemre. Mund ta shikosh vallen e famshme greke të Zorbës jo vetëm në skenë, por edhe atje ku nuk ta pret mendja, në një trotuar të zakonshëm. Një natë më parë, policia mbërriti pranë një karburanti, ku krejt për qejfin e tyre, 30 djem e vajza polake nga Katovica po nxehnin asfaltin e rrugës me vallet e tyre të shpejta ku këmbët duket sikur rrinë në ajër. Nuk ishte ankuar njeri, përkundrazi, por kaq këngë duke u gdhirë për policinë nuk ishte normale. Tërë këtë festival të mrekullueshëm që bie kaq shumë shpirt gjyshërish, siç e quajti Presidenti i Festivalit, poeti Dritëro Agolli, e përgatit prej gjithë vitit një staf plot pasion që duket se është “i padukshëm.” Djem edhe vajza që vrapojnë dhe ngjizin këtë spontanitet dhe këtë regji të çuditshme. Si askund tjetër, me dhjetëra hotele luksoze dhe biznese turistikë rrinë në këmbë që të jetë gjithçka luksoze, fjetja, ushqimet, pijet, verandat buzë detit, mjetet e audios, ku programi spontan shpërthen natën vonë. Një bujari dhe kujdes prekës, që djemtë dhe vajzat valltare nga Bullgaria, Greqia, Italia, Kosova, Kroacia, Turqia, Maqedonia, Italia, Polonia, të ndjehen si në shtëpitë e tyre, ta kenë mishin e pjekur dhe verën në Llogara si lumë, të kërcejnë së bashku edhe vallet shqiptare labe krah më krah si të ishin të ca fshatrave nga e njëjta krahinë. Autoritet e Bashkisë, biznesmenë të shquar të turizmit, ndërtues, artistë vlonjatë, këto tre ditë u ngjiten asambleve nga mëngjesi në darkë me merakun se mos mungojë diçka që mund t’ia ngec ritmin festës së madhe. Ka një shpirt gare se kush do të jetë më i miri i grupeve dhe shpesh vallet spontane  që shpërthejnë në rrugë duket sikur i kërkojnë publikut mbështetje për ta marrë ata kupën e Festivalit. Por kupa është një e vetme dhe në mbrëmjen e fundit udhëton vetëm drejt një vendi, siç ndodhi këtij viti me grupin “Cita di Palagianello”, Taranto (Itali), i cili shpërthen në britma dhe lot gëzimi për të. Epo kështu, publiku vlonjat që brohoret në aprovim të plotë, a thua se bëhet fjalë për kupën e Kampionatit Botëror të Futbollit, ku fitorja e Italisë fqinje na duket si e jona. Festivali që organizohet nga Qendra Kulturore “Aulona” me mbështetjen e Bashkisë së këtij qyteti dhe Ministrinë e Turizmit, mbetet një nga bashkëpunimet më të bukura ndërkombëtare kulturore që bëhet në këtë vend dhe ku nuk mbahet asnjë fjalim para mikrofonave mbi rëndësinë e njohjes dhe komunikimin e popujve, siç ndodh shpesh në seminare dhe konferenca të mërzitshme shumë- milionëshe ndëreuropiane dhe ministrore.

E gjithë kjo falë një grushti djemsh e vajzash në Vlorë, që me siguri sot kanë filluar punën për edicionin e 7- të këtij festivali

Duhet të qe lajmi i parë sot në kulturën shqiptare dhe është një trishtim i tërë, që ende nuk është. Megjithatë një ditë do të jetë dhe nuk do të çuditesha aspak, që sa kohë nuk kemi kryelajme të tilla, jemi ende shumë larg zhvillimit të turizmit kulturor të vërtetë, për të cilin mburremi se duhet të jetë një prioritet dhe bekim që këtij vendi me bukuri të hatashme ia ka dhënë me të dy duart Perëndia. Kam gjashtë vite që nuk guxoj ta lë rastin të më iki pa qenë aty, ku në kaq pak ditë dhe net, duket sikur zbret tërë shpirti i gjyshërve të Europës, siç thotë Agolli në përshëndetjen e tij të gëzuar. Sikur të mundja e të isha vetë një lajm i madh, që sot do t’i ftoja qindra miq të mirë artistë të jenë në Vlorë të shtunën e dytë të çdo maji për të parë një mrekulli artistike, ende të panjohur sa e meriton kjo festë vlonjate.