Atentat me silenciator 44 vjeçarit në sy të gruas

508
Sigal

Po drejtonte automjetin “Benz” me targë AA 031 NL,
te rrethrrotullimi i lagjes “Xhabiej” në hyrje të qytetit, kur dy persona me
skafandra në kokë i janë afruar me një motor dhe e kanë qëlluar me dy plumba në
trup.

Më pas autorët janë larguar me shpejtësi, duke
humbur gjurmët. Ndërsa shoferi i plagosur nuk është dorëzuar duke e vozitur
automjetin deri në spitalin e Shkodrës. Në gjendje tepër të rëndë, ai ka mundur
ta drejtojë vetë makinën e tij, por disa minuta më pas ka rënë në gjendje koma.

 

Mjekët u shprehën se janë dashur disa orë operacion
që të mund t’i hiqeshin dy plumbat dhe t’u konfirmonin familjarëve të tij se e
kishte kaluar rrezikun për jetën. Mësohet se në momentin e ngjarjes, 44-
vjeçari po lëvizte në makinë me bashkëshorten. Kjo e fundit arriti t’i
shpëtonte mrekullisht armës së atentatorëve.

Sipas burimeve, Mehmedaj është qëlluar në një moment
kur ka pasur lëvizje të dendur në rrethrrotullimin në lagjen “Xhabiej”, çka
është shfrytëzuar nga autorët për të qëlluar shënjestrën e tyre. Kanë qenë të
paktë ata që kanë kuptuar atë çka po ndodhte, pasi arma ka qenë me silenciator
dhe askush nuk ka dëgjuar të shtëna.

Pasi mbërriti policia në vendin e ngjarjes, disa
dëshmitarë kanë pohuar se kishin parë një motoçikletë me dy persona me
skafandra në kokë që i është afruar mjetit dhe njëri ka nxjerrë një armë.

Burime të Policisë së Shkodrës, që u referohen të
dhënave të siguruara në rrugë operative, bënë të ditur se pak para atentatit në
afërsi të vendit ku u plagos 44- vjeçari Syri Mehmedaj, ky i fundit dyshohet se
ka bërë një debat që ka kaluar edhe në sharje me një person tjetër.

Policia, edhe pse ka marrë në pyetje bashkëshorten e
Mehmedajt, e cila ka qenë së bashku me të shoqin në makinë, nuk ka arritur ta
vërtetojë këtë debat dhe të identifikojë personin apo personat me të cilët
Mehmedaj ka debatuar.

Gjatë marrjes në pyetje, si e vetmja dëshmitare
okulare e kësaj ngjarjeje, bashkëshortja e të plagosurit është shprehur se nuk
ka dijeni se cilët mund të kenë qenë autorët. Sipas saj, gjithçka kishte
ndodhur në një kohë të shpejtë dhe ajo nuk kishte arritur të identifikonte
ndonjë shenjë dalluese të autorëve.

Gjithashtu ajo ka mohuar që i shoqi të ketë pasur
konflikte me persona të tjerë. Policia do të marrë në pyetje të dëmtuarin,
dëshmia e të cilit mund t’i orientojë hetimorët drejt identifikimit të
autorëve.

Paraprakisht policia bëri të ditur se i plagosuri ka
disa precedentë në fushën e vjedhjes dhe kishte rreth 3 muaj që ishte liruar
nga burgu. Por nuk rezultojnë krime të tjera të tij kundër personit, si
plagosje apo vrasje, çka mund ta orientonte policinë drejt pistës së hakmarrjes.
Blutë bënë të ditur se janë duke hetuar në disa pista, por pa specifikuar
ndonjërën prej tyre si më të mundshmen.