Agron Kaja/ Aerodromi, Kalaja dhe Stadiumi, pasuri “trofe të vdekura” në Berat

1582
Ka ditë që fushata elektorale për zgjedhjet vendore të 21 qershorit vazhdon me ritme intensive, kryesisht nga partitë politike superiore në tregun e politikës shqiptare. Natyrisht që të gjithë shqiptarët e ndjeshëm ndaj këtyre zgjedhjeve kanë qenë e do të vazhdojnë të jenë të tillë deri në përfundimin e kësaj fushate, por në Berat ka edhe një “fjalëkryq” të cilin ata kanë më shumë se 20 vite demokraci që nuk po e kuptojnë, e jo më ta mendojnë se si do të zgjidhet ai në afate të shkurtra, të mesme, pse jo dhe afatgjata. Cili është ky fjalëkryq? Përgjigja të çon tek resurset të cilët vetë krahina e Beratit i ka pasur e ka ndër vite duke nisur nga lashtësia e deri më sot, por nga këto parti që bëjnë premtime në fushata asnjëherë nuk janë përmendur tre vlerat më të spikatura të kësaj krahine: Kalaja, Aerodromi dhe Stadiumi. Jo se në krahinën e Beratit nuk ka të tjera vlera të historisë ndër vite (për këtë kanë folur, por duhet të flasin me më shumë ngulm historianët), por se nga kjo “triangolare vlerash” duhet të startojnë investimet konkrete, për mos ta quajtur më Beratin si “xhepin e varfër” e Shqipërisë, pasi kësisoj ai e meriton të jetë “xhepi i pasurisë” së vlerave. 
Nga ky këndvështrim, realisht turizmi familjar në Berat pas pranimit të këtij qyteti me moshë mbi 2400 vjeçare në UNESKO, po mbetet jetim pa aktivizimin e jetës shoqërore, pa shfrytëzimin e atyre resurseve që e bëjnë këtë jetë më aktive e atraktive. Për kujtesën e çdo politikani të kohës, por edhe për të ftilluar të gjithë ata kandidatë që kanë marrë përsipër të drejtojnë Beratin pas zgjedhjeve të 21 qershorit, është momenti ta shohin këtë “triangolare vlerash” si vlerë jetike për ata banorë që u japin votat, të cilët nga ana e tyre nuk i kanë parë efektet e nuk kanë përfituar financiarisht prej këtyre resurseve që veç historisë që ato mbartin, mund të bëhen edhe burim punësimi e të ardhurash për ta. Për nga pozicioni gjeografik që krahina e Beratit ka në raport me kryeqytetin tonë, po e vazhdojmë këtë “sy magjik” me ish-Aerodromin ushtarak të Kuçovës, nga më të përdorshmit në sistemin e kaluar për qëllime ushtarake. Ky Aerodrom ka një largësi jo më shumë se 6 km nga qendra e qytetit të Beratit, jo më larg se 1-2 km larg qytetit të Kuçovës ku nafta ka qenë burimi kryesor i jetesës dhe i të ardhurave të qytetarëve të tij, rreth 2-3 km larg qytetit të vogël të Urës Vajgurore, atje ku kjo zonë ka pasur zemrën e mekanikës së gjithë industrisë që posedonte Berati nga viti 1944 e deri në fillimin e viteve ’90-të. Duke u përqendruar më shumë në Berat në brilantësinë e Kalasë dhe për tu shtrirë në ultësirën përgjatë lumit Osum me atë stadium që para viteve ’90-të renditej i dyti në Shqipëri me 14.750 vende të ulura, këtu ndoshta kjo politikë do të na japë të drejtë ta qortojmë se i kanë lënë në hije këto vlera. Sa për një kujtesë të shpejtë, kalaja e Beratit ka një histori të pasur dhe një arkitekturë reale të prekshme, ku disa djem beratas në Kala e Mangalem kanë shfrytëzuar disa nga kjo “perlë”, asnjëherë me përkrahje nga politikat drejtuese qendrore e lokale të shtetit shqiptar. Kjo dhe disa sipërmarrje të tjera të vogla në tempullin e Kalasë ndoshta pengohen në investime nga arkitektura paradoksale në raport me historinë e tij të Universitetit që ka disa vite i ndërtuar aty ku historia dhe realiteti nuk e mendonin. 
Por, nëse ekziston kjo mendësi, ky do të ishte rasti më unik për të thënë se një krahinë e tillë me kaq pasuri jetike e natyrore të jetë peng i një investimi politik. Universiteti është domosdoshmëri për çdo krahinë ku ai funksionon dhe në Berat i ka dhënë efektet e tij arsimore, por nëse politika e kohës e ka ndërtuar politikën e së ardhmes të Beratit nga Universiteti, ky do të ishte edhe vazhdimi i fatit të keq me sfond politik mbi qytetarët e kësaj krahine që kësisoj varfërohet nga dita në ditë. Le t’i vazhdojmë këto radhë me kujtesën se që nga 15 prilli i vitit 1985 kur stadiumi “Tomori” u përurua me një ndeshje miqësore Tomori-Kombëtarja 3-1 e deri në vitin 1990, aty janë zhvilluar disa ndeshje të skuadrës sonë Kombëtare Shpresa, disa ndeshje ndërkombëtare për të rinj dhe ndeshja ndërkombëtare Tomori-Otelul Galati i Rumanisë në kuadrin e Kupës Ballkanike. Po më pas? Asgjë, asnjë dorë nuk është vënë aty nga strukturat shtetërore, edhe kur nga MTKRS-ja në vitet 1997-2000 u dhanë disa kacidhe për meremetimet e brendshme të stadiumit, edhe kur në dy raste FSHF-ja në vitet 2001 dhe 2010 investoi për tapetin e fushës. Stolat e tribunës dhe ato në shkallët e tjera janë donacione nga individë të ndryshëm që e kanë drejtuar futbollin beratas, por asnjëherë të përkrahur nga strukturat shtetërore me një infrastrukturë normale. 
E këtu gjej rastin të them se drejtuesit lokalë në Berat që nga viti 1992 e deri në vitin 2015, asnjëherë nuk kanë qenë vizionarë për atë vlerë që ka stadiumi në Berat. Kapardisjet e tyre në tribunën e tij në ndonjë ndeshje futbolli, apo dhënia e ndonjë leku si për bamirësi, këto janë kontributet që ata janë mburrur me këtë stadium, ndërsa për pistën e atletikës me parametra të kohës asnjëherë nuk është kujtuar politika në fushata dhe politika sportive në drejtimin e shtetit. Duke i parë në këtë këndvështrim këto tre resurse, duket qartë se si Aerodromi, Kalaja apo edhe Stadiumi “Tomori” në Berat, realisht kanë mbetur si “trofe të vdekura” që nuk përcjellin imazhin e një Shqipërie që shikon nga e ardhmja në mirqënie, në strukturë e në vizion. Do t’i kujtoja politikës së pas 21 qershorit 2015 që do të marrë besimin e qytetarëve për të qeverisur Beratin se, duke nisur që nga Ura e Kuçit ku Berati kufizohet me Lushnjën, rruga në drejtim të Skraparit të çon edhe tek kanionet e Osumit me vlera të rralla në natyrën shqiptare, ku realisht turizmi ka nisur të zbardhë diçka nga këto vlera. Vazhdimi i kësaj rruge të çon edhe në shtatin e Malit Tomor nga ku mund të nxjerrësh jo vetëm gurë e pllaka guri dekorative, por edhe thesare turistike si një burim të ardhurash për ata banorë të kësaj zone në vështirësi ekonomike e jetike. Bazuar në Hartën e re Territoriale të Shqipërisë mbi bazën e së cilës do të zhvillohen zgjedhjet vendore të 21 qershorit, bashkuar edhe me vlerat e resurseve të trajtuara më sipër në këtë këndvështrim, për t’i mbyllur këto radhë në faqen e gazetës “Telegraf” po i quaj ato sot edhe si një “protestë e qetë” që i bëhet politikës shqiptare nga “triangolarja e vlerave”: Aerodromi, Kalaja dhe Stadiumi!
Sigal