Arrestimi i Lefter Kokës, Meta: Rritet kostoja buxhetore për inceneratorët

229
Sigal

Presidenti Ilir Meta ende nuk ka bërë një reagim për arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka, por përmes një postimi në rrjete sociale lidhur me buxhetin e 2022, shkruan se ka rritje të kostos për inceneratorët.

Buxheti 2022” është antisocial. Ulje të fondit të ndihmës ekonomike për 64,710 familje, me të ardhura për person 0.7 USD/ditë. Rritje të kostos buxhetore për inceneratorëve, nga 2 miliardë lekë në 2.3 miliardë lekë”, shkruan Meta.

4 ditë më parë presidenti ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për “Buxhetin 2022”, ndërsa sot përmes një postimi shkruan se buxheti është antisocial, duke theksuar se sipas tij ka ulje të fondit të ndihmës ekonomike dhe rritje të kostos për inceneratorët. Pikërisht për aferën e një inceneratori është arrestuar Lefter Koka. Bashkë me 2 të tjerë, Klodian Zoton, ortak i vetëm dhe administrator i kompanisë “Integrated Technology Services”, si dhe Stela Gugallaj, ortake e vetme dhe administratore e kompanisë “Albtek Energy”, Koka u arrestua nga SPAK lidhur me hetimet për aferën e inceneratorit të Elbasanit.

SPAK njoftoi zyrtarisht se Zoto dhe Gugalla kishin krijuar një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, të realizuar nëpërmjet dy shoqërive tregtare respektive, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit. Të dyja kompanitë janë vendosur në sekuestro preventive.