Apeli i 30 shkrimtarëve/ Europa në rrezik, si të fikim zjarrin

518
Sigal

Plot 30 shkrimtarë europianë mes tyre edhe shqiptari Ismail Kadare kanë nënshkruar një letër të botuar në gazetën Liberation të ditës së sotme, ku ata vënë alarmin për kërcënimet që po i kanosenn kontinentit tonë, për braktijsen e tij nga aleatët tradicionalë, si ShBA dhe Britania, për rrezikun rus dhe thirrjet që vijnë nga brenda vetë Europës për tu kthyer brenda identiteteve kombëtare.

Firmosësit e saj janë: Vassilis Alexakis ; Svetlana Alexievitch ; Anne Applebaum ; Jens Christian Grøndahl ; David Grossman ; Ágnes Heller ; Elfriede Jelinek ; Ismaïl Kadaré ; György Konrád ; Milan Kundera ; Bernard-Henri Lévy ; António Lobo Antunes ; Claudio Magris ; Adam Michnik ; Ian McEwan ; Herta Müller ; Ludmila Oulitskaïa ; Orhan Pamuk ; Rob Riemen ; Salman Rushdie ; Fernando Savater ; Roberto Saviano ; Eugenio Scalfari ; Simon Schama ; Peter Schneider ; Abdulah Sidran ; Leïla Slimani ; Colm Tóibín ; Mario Vargas Llosa ; Adam Zagajewski.

Evropa është në rrezik. Nga të gjitha anët ka kritika, fyerje dhe braktisje. “Mjaft me “ndërtimin e Evropës”, dëgjohet thirrja.

Në vend të saj, le të rilidhemi me “shpirtin tonë kombëtar”, e të rizbulojmë “identitetin e humbur” që nuk ekziston veçse në imagjinatën e demagogëve, është programi i përbashkët i forcave populiste që po përmbyt kontinentin.

E sulmuar nga profetë të rremë, të cilët janë të dehur hidhësia po aq nga pandehma se ka mbërritur ora e tyre, e braktisur nga dy aleatë të mëdhenj, një përtej La Manshit dhe tjetri përtej Atlantikut, që në shekullin e kaluar e shpëtuan dy herë nga vetëvrasja, e brishtë përballë ndërhyrjes përherë e më arrogante nga zoti i Kremlinit, Evropa si ide, vullnet dhe përfaqësim po shembet para syve tanë.

Kjo është klima e helmatisur në të cilën do të zhvillohen zgjedhjet për Parlamentin Evropian në maj, që nëse nuk ndryshon diçka; nëse nuk shfaqet diçka për të zmbrapsur baticën këmbëngulëse në rritje; nëse nuk del ndonjë shpirt i ri rezistence, këto zgjedhje premtojnë të jenë më katastrofiket që kemi parë ndonjëherë.

Ato do t’u japin fitoren shkatërruesve.

Për ata që ende besojnë në trashëgiminë e Erasmusit, Dantes, Goethes e Comeniusit, do të ketë vetëm disfatë të turpshme.

Do të ketë triumfuar një politikë që nuk denjon inteligjencën e kulturën. Do të ketë shpërthime ksenofobie dhe antisemitizmi.

Katastrofa do të ketë rënë mbi ne.

Ne, të nënshkruarit, jemi midis atyre që refuzojnë t’i dorëzohen kësaj katastrofe që po vjen.

Ne e fusim veten mes patriotëve evropianë (një grup më i madh nga sa mund të mendohet, por që shpesh është tepër i heshtur e i tërhequr), të cilët e kuptojnë se çfarë është në lojë këtu. Tre çerekshekulli pas mposhtjes së fashizmit dhe 30 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, vjen një betejë e re për qytetërimin.

Besimi ynë qëndron në idenë e madhe që trashëguam, për të cilën besojmë se ka qenë forca unike mjaftueshëm e fuqishme për të ngritur popujt e Evropës mbi veten e tyre dhe të kaluarën plot luftëra.

Ne besojmë se ajo mbetet forca unike sot, mjaftueshëm virtuoze për të parandaluar shenjat e reja të totalitarizmit që tërheqin zvarrë pas vetes mizerjen e vjetër të epokave të errëta. Ajo çka është në rrezik nuk na lejon që të dorëzohemi.

Ndaj edhe ju ftojmë të bashkoheni në një lëvizje të re. Ndaj ju bëjmë thirrje për veprim në prag të zgjedhjeve të cilat ne refuzojmë t’ua lëmë në dorë varrmihësve të idesë evropiane.

Ndaj ju nxisim të mbani edhe njëherë pishtarin e një Evrope që, pavarësisht gabimeve të saj, lapsuseve dhe akteve të herëpashershme të dobësisë, mbetet një rreze drite për çdo burrë e grua të lirë në planet.

Brezi ynë gaboi. Ashtu si ndjekësit e Garibaldit në shekullin e 19-të, të cilët përsërisnin si motiv “Italia se farà da sè” (Italia do të bëhet vetë), ne besuam se kontintenti do të bashkohej vetë, pa qenë nevoja të luftonim për të, apo të punonim për të. Ky, i thoshim vetes, “është kursi i historisë”.

Ne duhet të ndahemi plotësisht nga kjo bindje e vjetër. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Tani duhet të luftojmë për idenë e Evropës ose ta shohim të vdesë nën valët e populizmit.

Në përgjigje të ofensivës nacionaliste dhe identitariane, ne duhet të rizbulojmë shpirtin e aktivizmit ose të pranojmë që hidhësia dhe urrejtja të na rrethojnë e mbytin.

Ne duhet të japim urgjentisht alarmin kundër këtyre zjarrvënësve të shpirtit, të cilët, nga Parisi në Romë, me ndalesa gjatë rrugës në Barcelonë, Budapest, Dresden, Vienë e Varshavë, do të ndezin zjarre me liritë tona.

Në këtë disfatë të çuditshme të “Evropës” që shfaqet në horizont; në këtë krizë të re të ndërgjegjes evropiane që premton të shembë gjithçka që i bëri shoqëritë tona të mëdha, të nderuara e të begata, ka një sfidë më të madhe se gjithçka tjetër që nga vitet ’30: Një sfidë kundër demokracisë liberale dhe vlerave të saj.

Ky tekst është përkthyer në shqip pas gjuhëve gjermanisht, arabisht, hebraisht, hollandisht, polonisht, rusisht dhe turqisht