Vasili: Arta Marku të shkarkohet dhe të ndiqet penalisht,ndryshe reforma ka vdekur!

495
Sigal

Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka reaguar me anë të një postimi në Facebook  pas konfirmimit të kandidaturës së Prokurorit Bujar Sheshi, për  pozicionin e anëtarit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Vasili shprehet  se Arta Marku duhet të shkarkohet dhe ndiqet penalisht, duke e  akuzuar se  pa pritur përgjigjen e verifikimit mbi integritetin e figurës ka përcjellë kandidaturën si kandidaturë që plotëson kriteret, duke shpërdoruar detyrën në mënyrë flagrante.

“Shkelja flagrante dhe e qëllimshme e ligjit nga Arta Marku, në rastin e Bujar Sheshit është një skandal i thellë,kritik dhe i pakapërcyeshëm”-shkruan Vasili

Postimi i plotë:

Arta Marku të shkarkohet dhe të ndiqet penalisht,ndryshe reforma ka vdekur!

Shkelja flagrante dhe e qëllimshme e ligjit nga Arta Marku, në rastin e Bujar Sheshit është një skandal i thellë,kritik dhe i pakapërcyeshëm.

Përgjegjësia e mbulimit të kësaj çështje dhe e shqyerjes së filtrave ligjore të përcaktuar nga reforma ka vetëm një fajtor Arta Markun prokuroren e përgjithshme.

Arta Marku i është drejtuar Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit në 26 tetor 2018. Autoriteti është përgjigjur në 22 janar 2019.

Pra është shumë e qartë, që pa pritur përgjigjen e verifikimit mbi integritetin e figurës Arta Marku ka përcjellë kandidaturën si kandidaturë,që plotëson kriteret, duke Shpërdoruar Detyrën në mënyrë flagrante.

Shkarkimi i Arta Markut është vetëm hapi i parë.

Ligji është i qartë si drita e diellit.

Veprimet antiligjore skandaloze të Arta Markut,prokurores së kapur nga Edi Rama,s’ka alibi qe ti justifikojë.

Shkarkimi i Arta Marku është vija ndarëse: ose për të shpëtuar një reformë në drejtësi të bërë pis që në fillim ose për ta shndërruar përfundimisht drejtësinë në një zgjatim dhe në një mbrojtëse të maxhorancës dhe ne funksion të kriminalizimit e korrupsionit ulëritës të saj.

Ligji përcakton qartë përgjegjësitë dhe detyrimet të cilat Arta Marku i ka shkelur dhunshëm duke shpërdoruar detyrën.

Lexoni çfarë thotë ligji për detyrat e Prokurores së Përgjithshme:

Ligji nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”

Neni 109

 

“1. Brenda 7 ditëve nga dita kur mbyllet afati për dorëzimin e shprehjeve të interesit, nën përgjegjësinë e Prokurorit të Përgjithshëm, administrata e Prokurorisë së Përgjithshme verifikon plotësimin e kushteve nga kandidatët, sipas përcaktimeve të nenit 105, pikat 2 dhe 4, të këtij ligji, dhe shpall zyrtarisht kandidaturat në faqen zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme”.

Neni 279

 

“3. Brenda 7 ditëve nga paraqitja e dokumentacionit, sipas nenit 108, të këtij ligji, Prokurori i Përgjithshëm verifikon përmbushjen e kritereve ligjore, sipas procedurave të parashikuara në nenin 109 të këtij ligji. Në rast se kandidati nuk i plotëson kriteret, Prokurori i Përgjithshëm njofton kandidatin dhe Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.”

Pse Arta Marku shkeli ligjin dhe nuk priti përgjigjen e Autoritetit të Dosjeve të Sigurimit të Shtetit?

Pse Arta Marku përcolli kandidatin pa kryer verifikimin e plotë?

Për llogari të kujt e shkeli ligjin?

A e ka të qartë se Arta Marku se me veprimet e saj minonte reformën në drejtësi?

Këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave…Arta Marku do të duhet tu përgjigjet përpara drejtësisë dhe përpara shqiptarëve që prisnin shumë nga reforma në drejtësi,por sot po përjetojnë një zhgënjim të thellë dhe tronditës.