Ana Shehu kthen besimin e sarandjotëve te Hipoteka

941
Ana Shehu erdhi në krye të institucionit shumë të përfolur të Hipotekës në Sarandë, pasi konkurroi brenda partisë së saj për kreun e Bashkisë së Sarandës dhe megjithëse nuk u kualifikua për kandidate, shumë nga pikat e platformës së saj prezantuese, sot po aplikohen nga institucionet e Sarandës. Por ajo që na bëri të shkruajmë këto radhë është fakti që Ana, që kur zuri postin e drejtimit në hipotekën e Sarandës, ktheu besimin qytetar tek ky institucion; humbën radhët dhe pritjet e gjata, sjellja harbute me njerëzit që aplikojnë dhe kërkojnë të dinë se ç’bëhet me kërkesën e tyre. Detyrimi ligjor i institucionit tanimë është pranë qytetarëve të Sarandës dhe këtë e dëgjon kudo se zyra e hipotekës është në shërbim të qytetarit brenda afateve kohore të përcaktuara, ashtu si edhe brenda kërkesave ligjore. Kemi shkuar shpesh për ta verifikuar këtë fakt të përmendur me zë të lart nga qytetarët dhe kemi vënë re që, edhe kur ka zëra të ngritur nga punonjësit e administratës së hipotekës, ajo del vet nga zyra, shkon tek sporteli dhe me buzëqeshjen karakteristike të saj që i mbulon fytyrën e ëmbël, e merr qytetarin në zyrë dhe e sqaron për kërkesën e tij, ndërkohë që nuk mungon as tërheqja e vëmendjes ndaj punonjësve zë lartë e herë-herë jep dhe ndëshkime të ashpra për ta. Ana, në formimin e saj është juriste dhe si e tillë e njeh ligjshmërinë, por si përmetare në origjinë, ka edhe urtësinë dhe kthjellimin në trajtimin e ankesave të qytetarëve; ajo është e ndërgjegjshme që qytetarët janë sorollatur, herë- herë edhe janë zhvatur e nuk kanë mbaruar punë. Ndërsa sot qytetarët thonë se nuk do shkojmë tek hipoteka, por tek Ana. Ja kanë harruar emrin e hidhur të viteve të shkuara këtij institucioni dhe sot e identifikojnë me emrin e asaj që u ktheu besimin tek e drejta e tyre e pronësisë. Dhe kur e gdhend emrin në kujtesën qytetare, ke skalitur mosharresën, ke fituar respektin dhe mirënjohjen, ke fituar korrektësinë ndaj vetes, shtetit dhe qytetarit. Është etika e çdo punonjësi,thotë Ana, që ta zbatojë ligjin dhe t’i jap atë ç’ka ligji i garanton, çdo gjë e veprim ndryshe kësaj është abuzim. 
Agron MEMA
Sigal