Dumreja, nga hambari i duhaneve te ai i hashashit

476
Fushat dhe kodrinat e Dumresë në Elbasan, dikur quheshin si “hambari i duhaneve”, me prodhime cilësore dhe pëlqeheshin nga tregjet e vendit dhe ato të huaja, madje deri në SHBA. Por sot fushat e dikurshme, po kthehen në “hambar të hashashit”, pasi fermerët e mërzitur, të mashtruar dhe të zhgënjyer nga tallja e qeverisë, kompanitë kontratore dhe bizneset e tjera, po refuzojnë kategorikisht mbjelljen e kulturës së duhanit, e cila ka vite që po u shkakton atyre dëme financiare. Llogaritet në afro 250 mijë euro dëmi financiar i afro 1840 fermerëve nga zona e Dumresë, të cilët deri në 2015, ishin të bashkuar në një shoqatë të tyre, dhe sot ajo pothuajse nuk ekziston. Pothuajse të gjithë ata janë zhytur në borxhe, kredi, në halle dhe telashe të tjera prej të cilave nuk dalin edhe për 25 vite të tjera. Vetëm vitin e kaluar fermerëve të Dumresë (Belshit) u mbetën pa u shitur dhjetëra ton me duhane, madje i pashitur është akoma edhe duhani i 2 viteve më parë, duke u krijuar atyre stres dhe vështirësi të mëdha ekonomike. Kjo situatë kaq dramatike, ka shkak edhe neglizhencën e qeverive, mungesën e zbatimit të ligjit, mungesën e një tregu të sigurtë, mungesën e një kontrate ligjore me kompanitë dhe bizneset e duhaneve. Nisur nga të gjitha këto mungesa, duket se rruga e vetme që ka mbetur, është mbjellja e hashashit. 

Punësimi i dytë për policët

Pavarësisht se e ndaluar me ligj, pavarësisht se fermerët e njohin mirë edhe rrezikun, duket se ka prej tyre që mungesa e bukës së përditshme për fëmijët i ka shtyrë në rrugën e gabuar, nga e cila mund të marrin gjithsesi një grusht me para. Burime tepër të besueshme nga Dumreja e Elbasanit i thanë “Telegraf” se “ortakë në shkeljen e tyre ligjore, në mbjelljen e hashashit, janë bërë edhe punonjës të postës së policisë Cërrik dhe Belsh, pasi ditën ata kryejnë shërbimin me uniformën e shtetit, natën vishen civilë dhe bëjnë roje tek parcelat”. Ka zëra që thonë se “gjithçka është e organizuar mirë, pasi policët e veshur civilë, ndjehen të sigurtë në “punën e tyre të dytë”, madje janë bërë miq edhe me fermerët e guximshëm, duke u ofruar atyre mjetin e tyre privat, dhe shërbime të tjera për kujdesin ndaj “barit” magjik. Madje ka punonjës policie që uniformën e mbajnë në bagazhin e makinës, për të qenë të gatshëm për turnin e parë pranë stacioneve policore. Këto të fundit, vetëm policore nuk duken, pasi në pamjen e parë ngjasin me salla bingoje, tek shikon policë gjysmë të zhveshur tek flasin gjithë ditën me celularë. Por duke u kthyer tek fushat e dikurshme të Dumresë, vërtetë të vjen keq, tek shikon se si zvarriten rrugëve fermerë të lodhur dhe pa asnjë qindarkë në xhep, duke pritur ndonjë ofertë joshëse nga uniformat e shtetit dhe trafikantët. Dikur hambari duhaneve për vendin dhe eksportin, sot Dumreja ka gjasa të kthehet në hambar të hashashit, ku më skandaloze mbetet mungesa e shtetit, dhe inkurajimi për këto veprime antiligjore nga uniformat e shtetit. Një fermer duhanesh u shpreh se “sikur qeveria të kujdesej më tepër për ne, duke na hapur tregje për shitjen, duke na krijuar lehtësira për lidhje kontratash me firma dhe kompani serioze, edhe ne do të mbeteshim të kënaqur dhe nuk do të mendonim të mbillnim hashashin, duke luajtur me jetën tonë, pavarësisht se këtë punë të ndyrë po e nxisin edhe punonjës të shtetit dhe ligjit”. Mbetet e turpshme jo vetëm angazhimi por edhe stimulimi që uniformat e shtetit po u bëjnë hallexhinjve edhe në Dumre, atje ku vendi prej shekujsh ka prodhuar duhane të një cilësie të lartë dhe sot rrezikon të prodhojë hashash dhe burg për kultivuesit dhe rojet e parcelave, por jo për kapot e tyre. 

Sigal

Maksim TUFA