AMF nis Javën Globale të Investitorit me aktivitetin me përfaqësues të bizneseve dhe shoqatave të tregjeve

518
Sigal

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare organizoi sot, më 30 shtator 2019, një takim informues me përfaqësues të bizneseve nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës dhe shoqatave të tregjeve nën mbikëqyrje, në nisje të aktiviteteve në kuadër të Javës Globale të Investitorit.

Në fjalën e mbajtur, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi theksoi rëndësinë e përfshirjes së bizneseve në tregun e kapitalit, si një mundësi shumë e mirë jo vetëm për të siguruar financime, por edhe për të kontribuar direkt në rritjen ekonomike të vendit.

“Aktualisht, raporti i huave kredituar ndaj depozitave në sektorin bankar është poshtë nivelit 50%, që nënkupton se thellimi i tregut financiar nëpërmjet zhvillimit të tregut të kapitalit është domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik të vendit. Thellimi i sektorit financiar do të kontribuojë jo vetëm në angazhimin e burimeve të pashfrytëzuara drejt sektorëve të ekonomisë reale, por edhe rritjen e alternativave të financimit dhe reduktimin e kostove për biznesin në tërësi,” u shpreh Z. Koçi.

Nga ana e tij, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Z. Nikolin Jaka, tha se instrumentet e tregut të kapitalit janë sot një domosdoshmëri, në mënyrë që biznesi shqiptar të jetë sa më konkurrues në epokën e globalizmit.

Java Globale e Investitorit (30 shtator – 6 tetor) organizohet në të gjitha vendet që aderojnë pranë Organizatës Ndërkombëtare të Komisioneve të Letrave me Vlerë (IOSCO), me aktivitete me karakter ndërgjegjësues dhe informues në lidhje me tregun e kapitalit, fondet e investimeve dhe pensionet private. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të organizojë aktivitete të tjera dhe orë të hapura me grupe interesi, në bashkëpunim me aktorët e këtij tregu në vend.