Alqi Naqellari: Një vit pa profesor Gudar Beqiraj

579
Sigal

/Gazeta TELEGRAF 

U mbush një vit që nuk e kemi midis nesh profesor doktor, akademik Gudar Beqiraj, një vit që nuk dëgjojmë më zërin e tij, që nuk marrim mendimin dhe këshillat e tij, një vit që nuk shikojmë buzëqeshjen përkdhelëse të një njeriu babaxhan që buronte vetëm mirësi, respekt e dashuri, një vit që nuk e kemi pranë nesh shokun dhe kolegun tonë të dashur. Por njerëzit e mirë, njerëzit që kanë dhënë kontribut në këtë jetë nuk harrohen, aq më pak prej atyre  që e kanë pasur pranë. Gudar Beqiraj mbylli sytë si Rektor i Universitetit “Mesdhetar” të Shqipërisë, e prandaj sot, me inisiativën e themeluesit të UMSH-së, profesor Anastas Angjeli-t, u mblodh stafi i këtij Universiteti për ta përkujtuar rektorin, akademikun e nderuar që na bënte krenar me emrin dhe dhe punën e tij të paҫmuar, që nderonte Universitetin tonë brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Prof. Gudar BEQIRAJ

Arritjet e Universitetit “Mesdhetar” të Shqipërisë, afirmimi i tij brenda dhe jashtë vendit mbajnë emrin e shumë personaliteteve të shquara të mendimet shkencor shqiptar, njeri prej të cilëve ishte profesor Gudar BEQIRAJ. Ne përkujtojmë një vjetorin e ndarjes nga jeta të profesor Gudarit, por përkujtojmë bashkë me të edhe të gjithë personalitetet e tjerë shokët dhe miqtë e tij si, Luan Hajdaraga e Marko BELLO që janë larguar nga kjo jetë.

Universiteti “Mesdhetar” me Inisiativën e profesore G.Angjelit, vendosi të japë bursë për degën e Informatikë Biznesit me emrin e profesor Gudar Beqiraj, krahas Laboratorit të IT që do mbajë emrin e tij. Ky është një nderim konkret i qëndrueshëm për këtë njeri që i shërbeu me përkushtim vendit të tij deri në ditën e fundit të jetës.

Gudar Beqiraj i takon atij brezi idealistësh e iluministësh që synonin ta shikonin Shqipërinë “zonjë”, duke sakrifikuar gjithҫka, duke vënë interesin e përgjithshëm mbi interesin personal.

Gudar Beqiraj u lind në një familje intelektuale.

Përfundoi me nota shumë të mira në 1971, Fakultetin e Matematikës në Universitetin e Tiranës. Me vullnetin që e karakterizonte, bëri një punë që kushdo do ta lakmonte. Nga Qendra e Matematikës kaloi matematikan në ‘INIMA’. Në vitin 1993, u emërua drejtor i saj. ‘INIMA’ u bë kryeqendra e informatikës së aplikuar, ku u punësuan mbi 1200 gra dhe vajza të qytetit të Tiranës në vitet 1994 – 2007. ‘INIMA’ ishte i pari i këtij lloji në Shqipëri. Ajo jo vetëm që zgjidhi probleme të papunësisë në Tiranë, por bëri një punë të shkëlqyer në ngritjen dhe kualifikimin e brezit të ri në përdorimin e kompjuterave në punën e tyre. Ishte ‘INIMA’ që furnizoi me kompjuterat e saj me dhjetra institucione shtetërore dhe që kreu një punë titanike në shërbim të informatizimit të kadastrës  italiane. Ishte ‘INIMA’, e drejtuar nga profesor Gudar BEQIRAJ, që kulifikoi dhe specializoi me dhjetra e qindra studentë të informatikës, që sot janë bërë personalitete e kanë shkëlqyer, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Profesor Gudar BEQIRAJ ka bërë një sërë kualifikimesh e specializimesh brenda dhe jashtë vendit, ndër të cilat mund të rendisim:

1985-1986. Specializim në Gjeostatistikë pranë Qendrës së Gjeostatistikës, “Fontainbleau”, Francë.

1990. Specializim në metodat e informatikës së aplikuar në Gjeofizikë, Universiteti “Paris VI”, Francë.

1992. Punë shkencore me kontratë, pranë Universitetit “La Sapienza”, Romë, Itali.

1994. Titulli “Profesor”, dhënë nga Këshilli i Lartë i Atestimit të Komitetit të Shkencës dhe Teknologjisë.

2003. Titulli “Akademik”, dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë,

2012. “Anëtar” i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve.

Profesor Gudar BEQIRAJ është realizues i algoritmeve dhe programeve të ndryshme në gjuhët e programimit: Algol, Paskal, Fortran, të aplikuara në fusha të ndryshme si gjeofizika, gjeologjia, bujqësia, nafta, mjekësia, etj. Disa nga kontributet e tij në vite kanë qenë:

1987. Pjesëmarrës në Kongresin e III Botëror të Gjeostatistikës, Avignon, Francë.
1988. Anëtar i Komisionit të Vlerësimit për mbrojtje doktorature në Fontainebleau, Francë.
1989. Pjesëmarrës në Simpoziumin Ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në Gjeologji- Miniera, Pribram, Çekosllovaki.
1990. Pjesëmarrës në Simpoziumin CODATA, Leeds, UK.
1991. Pjesëmarrës në Simpoziumin Ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në Gjeologji- Miniera. Prezantimi i vlerësuar me medalje argjendi. Pribram, Çekosllovaki.
2002- 2007. Anëtar i Këshillit të Fakultetit të Ekonomisë – Universiteti i Tiranës.
2007. Anëtar i Komisionit të Kualifikimit Shkencor pranë Ministrisë së Arsimit.

Aktivitetet profesionale gjatë viteve.

Profesor Gudari ka një aktivitet të gjerë pune.

1971- 2003. Matematikan në ‘INIMA’

1993- 2007. Drejtor i ‘INIMA’.

2007- 2009. Dekan i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit, UPT.

2009- 2013. Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Profesor Gudar BEQIRAJ ka qenë për disa vite edhe nënkryetar i Akademisë së Shkencave. Në vitin 2017, ai fitoi me votim të lirë përsëri postin e Kryetarit të Akademisë. Pas një debati me Qeverinë, profesor Gudari për t’i hapur rrugë ç’bllokimit të saj, bëri një gjest fisnik, që pak kush e bën sot në Shqipëri. Ai dha dorëheqjen si Kryetar i Zgjedhur i Akademisë së Shkencave tek Presidenti i Republikës, zoti Ilir META.

Në këto vite profesor Gudari ka qenë edhe Drejtues i Projekteve Kombëtare Informatike të Komisionit Evropian.

2017- 2018 Drejtor i  Shkollës së Doktoratës, Universiteti “Mesdhetar” i Shqipërisë

2018 e deri në fund të jetës së tij 2020,  Rektor – Universiteti “Mesdhetar” i Shqipërisë.

45 vjet pedagog i matematikës dhe i informatikës në Universitetet e Shqipërisë, si dhe pedagog për sportin e peshëngritjes në Akademinë e Sporteve, në vitet 80-të.

Profesor Gudar BEQIRAJ ka kontribut në fushën e sportit, ka qenë edhe një nga mbështetësit më të mëdhenj të peshëngritësve shqiptarë. Ai ka shkuar në Shtërmenj të Peqinit te shtëpia e Briken Çalës, që çuditi botën. Ka mbrojtur interesat e sportistëve, dhe ka qenë një nga përkrahësit e drejtuesve të këtij sporti.

1982- Arbitër i kategorisë së parë ndërkombëtare në peshëngritje.

1992- 2000. President i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.

1996- 2000. Zëvendës President i Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar.

Gudar BEQIRAJ si humanist

Profesor Gudar BEQIRAJ ka qënë humanist, pak njerëz e kanë ditur këtë. Ai ka qënë anëtar i disa shoqatave bamirëse. Ishte mik i Presidentit Alfred MOISIU.

1993- vazhdim. Presidenti i Fondacionit Humanitar “Sue Ryder Care”, Albania.

2004- vazhdim. Anëtar i Bordit të Fondacionit Ndërkombëtar “Sue Ryder Care”.

2003-vazhdim. President i Hospisit të parë në Shqipëri për të sëmurët terminal të diagnostikuar me kancer.

Profesor Gudari për punën e tij është nderuar me tituj e medalje

1991-Prezantimi i një studimi shkencor në Çekosllovaki, vlerësuar me medalje argjendi. Pribram, Çekosllovaki.
2008. Çmimi ‘Personalitet i Vitit’, akorduar nga Bashkia e Tiranës.
2016. ‘Medalje e Artë’ për kontributin 50- vjeçar në sportin botëror të peshëngritjes, nga Federata Botërore e Peshëngritjes.
2019. ‘Medalje e Artë’, nga Presidenti Republikës Ilir Meta.

Profesor Gudar BEQIRAJ me punën e tij, me përkushtimin e tij, do të mbetet një shembull frymëzimi, për studentët dhe pedagogët e Universitetit “Mesdhetar” të Shqipërisë ku ai kontribuoi fillimisht si drejtor i  Shkollës Doktorale, dhe në vitin 2018 si rektor i Universitetit. I paharruar qoftë kujtimi i mikut dhe kolegut tonë, i akademikut, Profesor Gudar BEQIRAJ.