Skrapar, shembet mali, përfundojnë në greminë varrezat, në rrezik 100 banesa

461
Sigal

PROBLEM/ Evakuohen banorët e fshatit Spatharë. Në vendngjarje, deputeti i zonës, Nasip Naço: “Fshati mund të zhduket”

Rrëshqitja e një pjesë mali në fshatin Spatharë të Skraparit ka krijuar një situatë të pazakontë për banorët e zonës. Gremina e krijuar ka përpirë komplet varrezat e fshatit dhe ka vënë në alarm të gjithë zonën, ku sipas të dhënave rezulton se në rrezik shembjeje janë edhe 100 shtëpi, të cilat ndodhen afër vendit, ku ka rrëshqitur pjesa e malit.

Situata

Të ndodhur para një situate emergjente, të gjithë banorët janë larguar nga banesat e tyre duke braktisur në këtë mënyrë fshatin e mbipopulluar në këto 20 vitet e fundit. Burime nga Komuna e Vëndreshës bëjnë me dije se gjendja është shumë kritike, pasi shkarja e malit ka krijuar një greminë të madhe. Banori i Spatharës, B.B, i kontaktuar në telefon nga “Telegraf”, ka konstatuar se, ata ndodhen në rrezik. “Nga situata që unë shikoj komplet fshati mund të përfundojë në greminë, madje kjo mundësi është 70 për qind, pasi hapja e greminës nga shkarja e dherave është shumë e madhe. Varrezat e fshatit kanë përfunduar plotësisht në greminë. Tani e kanë radhën shtëpitë tona, të cilat ndodhen 10 metra larg greminës së krijuar. Të gjithë banorët i kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe janë larguar për të shpëtuar jetën. Për ne ky është një rast i rrallë. Kemi ngelur të habitur kur kemi parë se si qindra sipërfaqe me pyje janë përmbysur”,- tha ai.

Ndihma

Në vendngjarje për t’u ardhur në ndihmë banorëve, të cilët ndodhen në një situatë të vështirë ka shkuar edhe deputeti i zonës, z. Nasip Naço, i cili ka parë nga afër edhe situatën e krijuar. I kontaktuar nga “Telegraf”, z.Naço është shprehur se, gjendja është katastrofike. “I gjithë fshati shumë shpejt do të përfundojë në greminë. Një greminë, e cila është krijuar nga shembja e malit. Në këtë fshat janë zhdukur varrezat dhe 100 banesa janë vetëm 10 metra larg vendit, ku ka ndodhur rrëshqitja”, tha deputeti Naço. Në Spatharë kanë shkuar edhe drejtuesit e pushtetit lokal të Çorovodës dhe ata të Qarkut të Beratit, të cilët kanë evakuuar banorët e kësaj zone të thellë malore. Gjithashtu janë marr masa për të siguruar fëmijët dhe të moshuarit, që ishin edhe të sëmurë kronik. Deputeti Naço ka kërkuar ngritjen e Shtabit të Emergjencave Civile për të marr masa urgjente për banorët që kanë mbetur në qiell të hapur. Kjo situatë është krijuar në orët e para të ditës së djeshme, kur banorët kanë dëgjuar një zhurmë të frikshme. Drejtuesit e pushtetit lokal së bashku me atë të Komunës së Vëndreshës dhe përfaqësuesit e Qarkut kanë transportuar banorët në qytetin e Çorovodës. Ndërsa deputeti i zonës ka kërkuar ndihmë e Qeverisë për të kapërcyer këtë situatë të rrezikshme, e cila nuk është parë ndonjëherë në këto përmasa.