Hipoteka e Durrësit, pingpong me problemet e hallexhinjve

626
Sigal

ALUIZNI/ Historia e Allaman Çanit: Ja se si dokumentet skadojnë në sirtarët e institucioneve shtetëror

Kjo tingëllon mjaft ironike, madje është tallje jo me hallexhinjtë, por me rregullat e shtetit që në këto raste tregohet i verbër edhe kur i nëpërkëmben ligjet e tij.

Rasti

E quajnë Allaman Çani. Shpeshherë ai shihet në qendër të qytetit të Durrësit me një dosje në dorë. I menduar deri në mërzitje. Është banor i lagjes Nr.14 dhe me hallet e përditshme si të gjithë ata kryefamiljarët që kanë mbi supe një familje me 6 fëmijë dhe që të 8 pjesëtarët duke përfshirë edhe atë vetë janë të papunë. Ka edhe një hall shtesë. Ai ka shtëpinë në proces legalizimi. Siç janë në proces edhe banesat e rreth 22 mijë personave në qytetin e Durrësit. Një ndër hallet e shumta që i është shtuar këto ditë janë edhe problemet e dokumenteve që duhet t’i paraqesë te ALUIZNI në Durrës. Ka dy vite që i ka përfunduar dy pagesat e kërkuara sipas procedurave ligjore të legalizimit. Në bisedë me të ai qan hall me një shqetësim dhe mërzi të dukshme, pasi zyrtarët e ALUIZNI-t nuk ia kanë qarë hallin, ose nuk ia kanë zgjidhur problemin, të cilin fundja e kanë për detyrë. Allamani thotë se ka mbi dy vite që i ka kryer të gjitha detyrimet e aplikimit dhe po në atë periudhë ka bërë edhe të dy pagesat e kërkuara. Ai tregon edhe dokumentacionin si dhe faturat e pagesave të bëra. “Kam paguar 1%- shin që duhet për gjithë sipërfaqen dhe banesën si dhe 10%-shin për objekt të dytë. Dhe akoma nuk është bërë legalizimi. Deri tani ka shërbyer si pretekst fjala se do ta bëjmë kur të vijmë tek lagja e jote, sepse tani jemi duke u marrë me Spitallën. Para Vitit të Ri më thanë se pas festave të ndërrimit të vitit e ke gati çdo gjë për të përfunduar. Kur u paraqita më nxorën një pretekst tjetër. Më thanë se certifikata e pasurisë e marrë në hipotekë para dy viteve me firmë dhe vulë të rregullt kishte skaduar.  Tashti i jam drejtuar Hipotekës për të marrë certifikatën dhe kam shkuar disa herë për ta marrë, por s’ma japin në dorë. Më kanë thënë se do ta sjellim me postë. Kam pritur po ende nuk me ka ardhur certifikata”, sqaron ai. Dhe tregon faturat e pagesës së kryer për të marre këtë certifikatë.

Dokumentacioni

Dokumenti i parë që paraqet Çani është Certifikata për Vërtetimin e Pronësisë, e cila është nënshkruar nga ish-drejtori i Hipotekës, Alush Xhihani. Që mban datën 21.10.2003. Më pas është dokumenti tjetër  Kartela e Pasurisë së Paluajtshme, e cili sipas Çanit edhe i ka skaduar, pasi sikundër i kanë thënë i ka kaluar afati 3 mujor i lëshimit. Dokumenti në fjalë pasi është firmosur nga ish-drejtori i Hipotekës, Dokleat Ademi është vendosur në dosjen e legalizimit të Allaman Çanit. Dosje, e cila ka qenë në sirtarët e një institucioni shtetëror siç është ALUIZNI. Por preteksti i paraqitur për këtë dokument, se ai ka skaduar pas tre muajsh nga afati kur është lëshuar të bën të mendosh se ky dokument duhej t’i ishte kërkuar të paktën tetë herë halleshumit Çani, pasi në 24 muaj që kanë dy vite së bashku, dokumenti duhet të kishte skaduar rreth tetë herë…

Paradoksi

Dhe me këtë histori natyrshëm lind edhe pyetja: “Vallë u është kërkuar të gjithëve ky rinovim Certifikate Shtetërore, apo Çani është viktimë e një talljeje ose më keq spekulimi” ? Kjo histori tingëllon mjaft ironike, madje është tallje jo me hallexhinjtë, por me rregullat e shtetit që në këto raste tregohet i verbër edhe kur i nëpërkëmben ligjet e tija. Se sikur të ecej me këtë logjikë absurde të ALUIZNI-t në Durrës për skadim të dokumenteve shtetërore në tre muaj afat, dokumentacioni që paraqesin ish-pronarët para gjyqeve për marrjen e pronave me tapi të shekullit të kaluar do të ishte i gjithi i falimentuar dhe s’do të përfitonin asgjë. Thjeshte për faktin se janë të skaduara. Dhe kjo do t’i linte ata me gisht në gojë.