Siguria ushqimore në “ditë të hallit”/ Pas pjeshkëve e domateve, BE bllokon dërgesat me madarina; zbulohen mbetje pesticidesh të ndaluara
Mandarinat që tregtohen në marketet e Tiranës rezultojnë sërish të pasigurta për konsum. Sipas analizave laboratorike të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV), ky produkt përmban sasi të larta mbetjesh kimike, të rrezikshme për shëndetin e njeriut.Fruti mandarinë është spërkatur përtej normës së lejuar me insekticidin Perimiphos Methyl, një preparat bujqësor që është i ndaluar për përdorim dhe tregtim në Shqipëri. Ky kimikat nuk bën pjesë në listën e Produkteve të Mbrojtjes së Bimëve (PMB) të miratuara nga Ministria e Bujqësisë.
Edhe këtë herë, fermerët janë përpjekur të mbrojnë prodhimin nga insektet që dëmtojnë mandarinat, por duke vënë në rrezik serioz shëndetin e konsumatorëve.
Në një nga subjektet agroushqimore të kryeqytetit, është afishuar ky njoftim për konsumatorët:
‘Ju njoftojmë se produkti mandarinë, sipas Inspektoratit AKU, ka rezultuar me mbetje pesticidesh. Ju lutemi, nëse keni në gjendje produktin e blerë gjatë datave 23–27 tetor, ta ktheni në subjektin tonë kundrejt rimbursimit.’Ky lajmërim tregon se qytetarët e Tiranës kanë konsumuar mandarina me kimikate të ndaluara për të paktën katër ditë, pa asnjë paralajmërim publik nga institucionet përgjegjëse.
Por njoftime të tilla nuk duhet t’i lihen bizneseve private. Detyrimin për të paralajmëruar konsumatorët e ka Ministria e Bujqësisë dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), edhe pse ky nuk është një rast që mund të kthehet në histori ‘suksesi’ për rrjete sociale.
Në vend që të garantojnë produkte të sigurta, këto institucione duket se po mjaftohen me faktin se mandarinat e helmuara kanë dalë në treg, ndërsa ende nuk kanë zbuluar origjinën e produktit, nëse është vendas apo i importuar.
Kjo nuk është hera e parë që ndodh një skandal i tillë. Më herët gjatë këtij viti, një situatë e ngjashme u bë publike nga autoritetet kroate, të cilat njoftuan për mandarina të ndotura me kimikate të ndaluara që ishin eksportuar nga Shqipëria. Ndryshe nga autoritetet tona, Kroacia mori menjëherë vendimin për asgjësimin e frutave të rrezikshme në territorin e saj.
Në mungesë të transparencës dhe gjurmueshmërisë së produkteve bujqësore, konsumatori shqiptar vazhdon të mbetet hallka më e pambrojtur në zinxhirin e sigurisë ushqimore.
Një çështje serioze ka shpërthyer në sektorin e agrikulturës shqiptare: Dërgesa të mandarinave nga Shqipëria janë kthyer mbrapsht në disa vende të BE pasi analizat zbuluan mbetje të pesticideve të ndaluara, të tilla si Chlorpyrifos dhe Phosmet.


















