Deputeti i qarkut të Dibrës, Xhelal Mziu ka reaguar në lidhje me dështimet në arsimin shqiptar, ku evidenton të dhëna, që hedhin poshtë strategjitë e qeverisë, duke e lënë në fund të listës së zhvillimit. Ja reagimi i Mziut: “OECD sapo publikoi të dhënat më të fundit për vendet me popullsinë më të arsimuar në botë.Kanadaja, Irlanda dhe Koreja e Jugut kryesojnë me mbi 55% të të rriturve (25–64 vjeç) që kanë përfunduar arsimin e lartë.Ndërkohë, vende si Gjermania dhe Austria, me sisteme të forta arsimi profesional, tregojnë se forca e një ekonomie nuk matet vetëm me diploma, por me cilësinë e aftësive që prodhon arsimi!Po Shqipëria?Në listat e OECD-së, Shqipëria as nuk shfaqet fare! Nuk na ka njeri në laps! Një tjetër skandal që tregon gjendjen alarmante të arsimit tonë. Sikurse në shumë renditje të tjera ndërkombëtare, kur përmendemi, jemi gjithmonë në fund të listës! Problemi nuk është mungesa e të diplomuarve. Shqipërisë i mungon serioziteti në politikat arsimore:– si realizohet,– si matet,– dhe si përkthehet arsimi në zhvillim real dhe të qëndrueshëm. Kemi universitete të parenditura, që shpërndajnë diploma pa vlerë ndërkombëtare. Ky është një nga shkaqet kryesore pse Shqipëria mungon në klasifikimet e OECD-së. Nuk kemi ende një sistem kombëtar që lidh arsimin me tregun e punës, megjithë fjalët, premtimet dhe reformat “në letër”. Nxjerrim juristë për një drejtësi të mbytur. Ekonomistë për një ekonomi të paformalizuar. Dhe mësues më pak, për një sistem që po zbrazet nga nxënësit.Vendet që kryesojnë nuk janë thjesht të arsimuara, janë të organizuara! Kanë strategji të qarta për: arsimin profesional,kërkimin shkencor, inovacionin dhe zhvillimin. Shqipëria ka strategji vetëm në letra, por në realitet, reforma të deformuara dhe një raport armiqësor me dijen. Falë Rama IV, arsimi është kthyer në viktimë të politikës, jo në motor të zhvillimit. Koha të rikthejmë dinjitetin e arsimit.Pa dije nuk ka zhvillim. Pa zhvillim nuk ka shtet.






















